Influenca e arkitekturës Neoklasike në Korçë gjatë fillim viteve 1900
Nga Stavri Burda/The Albanian House
Kur Greqia fitoi pavarësine ne 1827 ajo menjehere hyri në një proces të shpejtë modernizimi. Ky ¨Evropianizim¨ i influencuar nga kulturat perëndimore, në fillimet e veta ishte vetëm një shtresë e hollë mbi një nënshtresë të trashë tradicionale të formuar gjatë periudhës Osmane. Shekulli i 19’të në Greqi karakterizohej nga një përpjekje jo e njëtrajtshme ndërmjet të shkuarës e cila tashmë përbuzej dhe të ardhmes ku ishin përqëndruar të gjitha shpresat e kombit.
Ekspeditat e shumta të arkeologëve të hershëm gjatë periudhës së Iluminizmit (The Age of Enlightment) dhe Empirizmit (Empirism), bënë të mundur zbulimin dhe studimin e arkitekturës së antikitetit Grek, në veçanti atë të tempujve, produkt i periudhës Helenistike. Këto zbulime bënë që arkitektët të kryenin një intrpretim të thellë të arkitekturës klasike, dhe të sintetizonin stlin e tyre unik duke ringjallur arkitekturën e periudhës helenistike (The Greek Revival).
Prezantimi i modelit të qytetit neoklasik ishte nje element i rrëndësishëm në politikat shtetërore, duke shënuar një moment kthese vendimtar në historinë e vendbanimeve moderne Greke, ajo simbolizonte shkëputjen nga perandoria Osmane, dhe lidhjen me Greqine antike. Arkitektura neoklasike u zgjodh si stili zyrtar i shtetit të sapoformuar Grek, dhe do të përdorej gjerësisht për një periudhë prej 9’të dekadash. Ky stil u perdor në të gjithë territorin e shtetit të sotëm Grek duke influencuar në masë zhvillimin e qyteteve sipas modelit të qytetit neoklasisk. Të gjitha tipologjitë e ndërtesave u ndërtuan sipas këtij stili, duke nisur që nga institucionet shtetërore, shkollat, libraritë e deri tek banesat. Ndër ndërtesat më të famshme janë: Zappenion, Triologjia e Athinës, Muzeu i artit Cikladik, Muzeu Benaki, Rezidenca e presidentit, Banesa e Karidit ne Plaka etj…
Për sa i përket banesës ajo është shumë më e vogël në shkallë nga ndërtesat e përmendura më sipër dhe më pak monumentale (Fig.1). Kryesisht është në variantin një, dy dhe tre kate, me formë drejtkëndore në plan, e pasur me elementë të shumtë dekorativë të frymëzuara nga arkitektura e tempujve Helenistikë.
Zhvillimi i tregëtisë midis Korçës dhe qyteteve Greke (Selanik, Kostur, Follorine etj…) do linte gjurmë edhe në zhvillimin e arkitekturës në qytetin e Korçës. Prapambetja e trojeve Shqiptare ka bërë që të zhvillohen shumë pak tipologji ndërtesash, dhe për këtë arsye, në ditët e sotme, ajo vjen kryesisht në formën e banesës. Fundi i shek të 19’të dhe fillimi i shek të 20’të është në fakt momenti kur vihet re një braktisje e stilit të banesës popullore, dhe përqafimi i asaj neoklasike të influencuar kryesisht nga arkitektura e qyteteve Greke të shek 19’të. Nëse në Greqi stili neoklasik ishte stili zyrtar i arkitekturës, dhe ndërtesat e projektuara u ndërtuan sipas modeleve të tempujve me të gjitha elmentët arkitektonikë te orderave (Dorik, Jonik, Koritnik), në rastin e godiave të institucioneve, në qytetin e Korçës ajo hyri nëpërmjet familjeve tregëtare, të cilët u influencuan nga kjo lloj arkitekture gjatë udhëtimeve të tyre në trojet e shtetit Grek, kryesisht shembullit të banesës neoklasike (Fig.1).
Përveç tregëtarëve një ndikim në arkitekturën e re të qytetit patën edhe ndërtuesit dhe mjeshtrat të cilët udhëtonin shpesh në qytetet fqinje për të para modele banesash, elementësh arkitektonikë si porta, dritare, grila ballkone, kangjella etj… Për këto arsye arkitektura neoklasike në qytetin e Korçës shfaqet më shume si një influencë, trend i kohës dhe jo si një stil zyrtar i konsoliduar siç ishte në Greqi Neoklasiku apo në Rumani Neo-Romanian (Romanticizmi Kombëtar). Në shembujt e marrë në shqyrtim do shihet që këto ndërtesa mbartin shumë elementë të arkitekturës neoklasike të kombinuara me elementë të arkitekturës lokale. Kjo vihet re tek trajtimi i kateve, raporti dhe marrëdhënia ndërmjet elementëve të fasadës, elementët dekorativë, ndarja funksionale dhe zgjidhjet konstruktive. Ndërtesa të tilla ka me dhjetra por në këtë shkrim do të trajtohen vetëm disa prej tyre shumë shkurtimisht.
Biblioteka ¨ Thoma Turtulli ¨ është shembulli më përfaqësues i arkitekturës neoklsike por në të njejtën kohë ajo përbën edhe një përjashjtim, pasi është projektuar sipas Orderit Jonik gjë që nuk shihet tek ndërtesat e tjera të qytetit. Edhe në Greqi ky lloj orderi është përdorur kryesisht tek institucionet dhe jo tek banesat. Kjo ndërtesë është konceptuar që në fillim për të qene bibliotekë dhe kjo shpjegon edhe stilin e përzgjedhur. Ajo ka një hyrje simetrike me shkallë të gjera me ballaustra të cilat të drejtojnë drejt hyrjes të trajtuar me kollona mermeri të Orderit Jonik (Fig.2).
Banesa e Zakarait është një shembull tjetër shumë përfaqësues ku vihet re një pasuri elementësh të arkitekturës neoklasike (fig.3). Kjo banesë karakterizohet nga një planimetri drejtkëndore me hyrje qendrore, me dhoma në të dy krahet me shkallë në qendër. Porta e hyrjes, dritaret me grilat persiane dhe korniza (Fig.4), ballkoni i mbështetur në gizë të derdhur (cast iron corbels) (Fig.5), janë vetëm disa prej elementë karakteristikë të dukshme në fasadë.
Megjithëse modeli i banesës të re u përqafua nga një masë e gjerë e popullsisë, dhe kjo vihet re tek rinovimet e shumta të cilat pësuan banesat në Korçë në fillim të viteve 1900; që nga trajtimet estetike të fasadave, ngjyrat e reja , apo edhe shembjen komplet të banesave popullore dhe rindëtimin e tyre sipas stilit neoklasik, sërish ato janë më të lehtësuara në ornament në krahasim me banesat e ngjashme në Greqi. Ndryshimet nuk vihen re vetëm në eksterier, ato janë edhe në interier, të lidhura me ornamentin e brendshëm detajet e dyshemesë, tavaneve etj…
Nëse në Greqi ndërtimet e reja mbështeteshin nga shteti nëpërmjet ofrimit të tokës për ndërtim, apo kredive të buta me qëllim realizimin e tyre sipas kërkesave, në Korçë ajo financohej drejtpërsëdrejti nga vetë pronari. Duke ju referuar këtyre fakteve mund të themi që trajtimi më i lehtë nga ana arlitektonike mund të jetë si pasojë e fuqisë më të ulët ekonomike në raport me qytetarët e Greqisë, dhe mungesës së kërkesave specifike në aplikimin e stilit.
Fig.1 Banesë e arkitekturës neoklasike në Lamia (Trianafyllia P, Flickr) Fig. 2 Biblioteka ¨ Thoma Turtulli ¨, Hyrja kryesore. Fig.3 Banesa e Zakarait
Fig.4 Foto te dritares se baneses me grila persiae Fig. 5 Mbështetja e ballkonit mbi elementë prej gize (cast iron corbels). Fig.6 Banesat Nr.1 mbrapa Mitropolise Fig.7 Banesat Nr.2 mbrapa Mitropolise Fig. 9 Dentilet në kornizën e çatisë Fig,8 Porta e daljes në Ballkon dhe ballkoni i mbështetur mbi gurë të gdhendur