Ingrid Xhaja ose një oazë gjithë erëza e bojna
Në Tiranën zhumurese e pluhur-shumë, të takosh gra që ja dalin mbanë sfidave të jetës me forcën e zemres dhe qartësinë e mendjes është fat e mrekulli. Madje, aq herë sa ne harrojmë që kjo e jona botë nuk është fushë e shtruar me lule, gratë si Ingrid sikur na ndërmendin se të tanat pengesa janë bërë për t’u tejkaluar dhe jo për t’u dorëzuar! Kështu, Ingrid duke shpalosur përvojat e saja tepër të vyera dhe gati – gati mistike, nuk rresht së frymëzuari! Kësaj here, ajo nuk po flet vetëm si gruaja e udhëtimeve përrallore; gruaja pas “Bon Vivant” & “Taste Marubi” e “Marou” … Ingrid është akoma më tepër sesa kaq sepse prej dashnisë për të mirën e fisme, në harmoni me kujtimet dhe përvojat e nxëna ndër vite, ajo shpalos vizionin e një gruaje që qytetarin dhe qytetin e përcepton dhe trajton me dinjitetin të pacen!
Ingrid, tani që po shtrohemi për pak muhabet, e ndjej që paskam mall për ato historitë e tua gjithë bojna e jetë, cep më cep dynjasë! Këto dy vite pandemie gjithë zhurmë e frigë, a kanë qenë të zorshme për ty?
Kanë qenë padyshim. Por ama ka qënë për të gjithë. Në forma të ndryshme, me intensitete të ndryshme.
Blloku yt me shënime prej udhëtimeve duket si nji oazë. Me të ngacmu disi, prej nga dhe si buron gjithë kjo dashni për të bukurën, për ushqimin, per Natyrën e Tokën?
Besoj që disa aspekte të secilit prej nesh janë kultivuar ndër vite, ndaj mendoj që një pjesë e asaj që jam sot, është meritë e familjes time. Jam rritur në një familje me gra të forta, të dhembshura dhe që e kultivonin fort dashurinë për gjërat e vogla dhe të bukura. Jam e bindur që saktësisht aty gjenden rrënjët e asaj që unë përqafoj me kaq dashuri sot.
Pa modesti, sa kontinente ke shkelur deri më tani?
Ah, nuk janë aq shumë sa do të doja. Vetëm 2 derimë tani.
Cila anë e Tokës tonë ta ka vjedhun xhanin?
Lindja e largët. Nuk e di nëse kjo renditje do të ndryshojë pasi të vizitoj cepa të tjerë që ëndërroj të shkel, por ndjej që kam një lidhje të fortë shpirtërore me Azinë.
Cilat janë ushqimet që ti i ke ma fort për qejf?
Jam tërësisht e dashuruar me ushqimin Aziatik. Më mahnit kompleksiteti i shijeve dhe përdorimi i shpenguar i erëzave e përbërësve ekzotikë. Dëshmi e vërtetë e një toke pjellore, por me popullsi të dendur e të varfër që për shekuj u është dashur të jenë krijues për të patur diçka në tavolinë.
A është e vështirë për një grua që të fluturoj ndën kultura e qytetërime, e vetme?
Gjithmonë kam shpresuar që një ditë t’i përgjigjesha kësaj pyetje edhe për gra të tjera që duan të udhëtojnë vetëm. Përgjigja është jo.
Padyshim çdo ushëtim është një ndërrmarrje që kërkon mendim, kujdes dhe planifikim, por për fat të mirë të tjera gra nga e gjithë bota e kanë bërë më të thjeshtë për të gjitha ne të udhëtojmë më lehtë dhe me më pak frikë.
5 gjanat që kurrë s’kanë mungu n’baulen tënde sa herë ke udhëtu?
Udhëtoj me shumë pak bagazhe sepse mënyra si i organizoj udhëtimet kërkon të jem në lëvizje, por ama diçka që nuk mungon kurrë janë librat (ose Kindle im).
Çfarë të ka fal më së shumti shtegtimi nëpër brigje të panjohura?
Përveç magjepsjes dhe kujtimeve më të bukura ka dy aspekte tejet të vyera që vetëm këto shtegtime mund të t’i mundësojnë. Njëri aspekt ka të bëjë me gjendjen e brendshme. Me një dialog të munguar me veten. Me përjetimin e çdo momenti vetëm. Me vetëbesimin. Është një aspekt që na mungon kur jemi gjithmonë të rrethuar nga njerëzit tanë të dashur, ndaj kur je mijëra kilometra larg, absolutisht vetëm, i gjithë fokusi është vetja. Nuk është aspak egoist si proces. Madje, është një rigjetje e nevojshme që përkthehet në forcë karakteri dhe vetëbesim.
Aspekti i dytë është një proces që ndodh së jashtmi. Kur gjendesh vetëm në një vend kulturalisht të ndryshëm, nuk mund të mos hapësh mendjen dhe zemrën dhe të pranosh atë që gjen. Ky përqafim i kulturave të tjera, shoqëruar me dëshirën për të kuptuar thellë historinë e popujve të tjerë është një reflektim por edhe një celje sysh. Empati e thellë.
Po Rubi! Rubi – sa zemër prej zemrës tënde duhej për me u nis njw projekt i tillë?
Të gjithën. J Por kjo është edhe mënyra ime për të bërë diçka. Pasi e mendoj gjatë, i dedikohem plotësisht sepse besoj që kjo është e vetmja rrugë për të ndërtuar diçka solide dhe novatore.
Pse pikërisht “Rubi”?
Rubi është një emër simbolik. I gjithë ky start-up ka plotësisht në qendër gratë ndaj dhe donim një emër që të mishëronte aspektet e markës tonë, të ishte emër gruaje por të kujtonte disi edhe gurin e çmuar.
Si dhe çfarë gatuhet tek Rubi?
Tek Rubi kemi zgjedhur të sjellim një tortë me origjinë amerikane që është tejet e njohur tani në botë. Ndryshe nga tortat klasike apo ato evropiane ku zakonisht baza është një kek jo fort i trashë dhe disi më i thatë ku kremi mban të gjithë ‘përgjegjësinë’ për shijen, në këto torta me 3 shtresa, keku dhe kremi kanë njësoj rol në shije, pamje e teksturë.
Të gjitha tortat tona janë frymëzuar nga udhëtimet e mia dhe një pjesë e tyre përdorin përbërës që i importojmë posaçërisht për to, siç është Matcha për tortën me emrin Kyoto (sigurisht frymëzuar Kyoto J) dhe çokollata me origjinë të vetme nga Vietnam për tortën L’Origine. Në laboratorin tonë nuk përdorim ngjyrues, aromatizues, shtesa të tjera industriale apo produkte gjysmë të gatshme (premikse, kremra apo salca të gatshme). Gjithçka përgatitet nga fillimi nga ekipi ynë i vajzave super të talentuara.
A është e vështirë me mbijetu në një kohë si kjo e jona?
Jashtëzakonisht. Për shumë arsye, por kryesorja është tregu i vogël, i kufizuar dhe me të ardhura të ulëta. Ky është një aspekt që ka ekzistuar edhe më parë por besoj ky vit e vendosi edhe më tepër në dukje.
Shqipëria, pengesë apo frymëzim për punë?
Të dyja. Shqipëria ofron mundësi që tregje të saturuara nuk mund të t’i ofrojnë dhe ky është avantazhi kryesor. Pastaj ka edhe një seri pengesash që lidhen me faktorë të ndryshëm, duke nisur nga tregu jashtëzakonisht i kufizuar, konkurrenca e pakontrolluar me sjellje jo etike deri tek paaftësia e klientelës për të bërë zgjedhje të edukuara. Në kushte të tilla, biznesit i takon të mbulojë edhe role të tjera për të mbijetuar, duke u tkurrrur më tepër se ç’mund të duhet të bënte në një treg me mundësi të tjera.
Cfarë simbolizon një cokollatë e mirë?
Një çokollatë e mirë përktheht në një shije elegante, në përbërës të pastër dhe shumë të paktë, origjina të qarta dhe tregti direkte.
Aspekti kryesor i çokollatave cilësore bean-to- bar apo siç më pëlqen t’i quaj nga lëvozhga në pllakëz, është padyshim cilësia. Këto çokollata vijnë nga një origjinë kakaoje, gjë që mundëson që çokollata të ketë kompleksitetin e shijes që ka bima, ose atë që njihet si “terroir”, njësoj si tek vera. Këto çokollata kanë shije komplekse pa shtesa aromatike, dhe zakonisht janë vetëm çokollata të errëta me 1 ose 2 përbërës, masën e kakaos dhe sheqerin e kanës. Ndryshe nga çokollatat industriale (qofshin ato të mirënjohurat Belge apo Zvicerane) që përdorin kakao të ndryshme duke krijuar pllakëza të hidhura dhe të plotësuara me stabilizantë të ndryshëm.
Aspekti i dytë është që këto çokollata shmangin rrjetin e shfrytëzimit që dominon tregun e kakaos dhe përdorin modelin e tregtisë së drejtëpërdrejtë duke i dhënë mundësi mbijetese familjeve të fermerëve në 6 krahinat e Vietnamit ku rriten këto bimë.
Pse duhet na, me e provu një cokollatë të tillë?
Mendoj që takimi me një çokollatë bean-to-bar të ndryshon perceptimin për atë që industria na ka mësuar të identifikojmë si çokollatë. Ka disa mite që zhbëhen kur nis të provosh të tilla çokollata, dhe njëherë që je mësuar me to gradualisht nuk ka më kthim pas. Njësoj si rrugëtimi me verën. I ngadaltë, akumulues por i pakthyeshëm.
“MAROU” – si dhe pse e solle dashunueshëm në Tiranë?
Për tortat tona donim diçka fantastike, dhe erdhi krejt natyrshëm që zgjedhja të ishte Marou. Gjatë udhëtimit në Vietnam vizitova disa herë vendodhjet e tyre, bëra edhe një kurs për temperimin e çokollatës dhe u dashurova me këtë çokollatë të sinqërtë dhe të mrekullueshme. Pa përmendur lumturinë e sjelljes së një copëze Vietnami këtu në Tiranë J
Ti përherë të fal atë ndjesinë se gratë munden! Gratë janë për gratë!! Nga përvoja dhe urtnia që ke korrun, çfarë duhemi me pasë mbi supe dhe në zemër për me ja dal mbanë?
Vetëbesimin e plotë që mund t’ja dalim. Kudo shikoj vajza dhe gra që ia dalin më së miri në krye të nismave të tyre. Qofshin të vogla apo të mëdha, brenda apo jashtë shtëpisë.
Natyrisht është një proces, por besoj që vetëdijësimi për aftësitë tona është hapi i parë drejt një ndryshimi afatgjatë.
Nuk e mohoj që do të doja të shihja më tepër butësi, mbështetje e empati mes nesh.
Antagonizmi është i pajustifikuar dhe i pavend. Duhet të largohemi nga këto modele drejt një të ardhmeje që padyshim na përket.
Nga Fjolla Spanca