Ishte koha kur ne bënim gazeta(ri)
Ka pas një kohë kur ne bënim gazeta, një periudhe e artë e shtypit dhe kulturës shqiptare në përgjithësi. Ata ishin pa dyshim vitet ’30. Shumë mentarë (intelektualë) të shquar shqiptar nga e gjithë bota u rikthyen në atdhe bashkë me shpalljen e pavarësisë për të ndërtuar shtetin që e kishin ëndërruar prej kohesh, që kishin luftuar e punuar për të.
Pa dyshim që kultura ishte puna më e vështire. Ata e dinin që pa dituri ky vend, ky shtet i dalë nga mijëra vite robëri kombëtare e shoqërore nuk mund të bëhej . Prandaj lanë fatet e karrierat e tyre të shkëlqyera në vendet ku jetonin dhe përveshën mëngët për të bëre Shqipërinë.
Media e asaj kohe, është pasqyra më e mirë e zhvillimit që sollën ato mendje të arta në kulturën shqiptare. Në përmbajtje, tematikë dhe etikë etj, media e viteve ’30 përbën nivelin më të lartë të arritur nga gazetaria shqiptare në historinë e shtypit shqiptar, një nivel që turpëron sidomos nivelin e sotëm të komunikimit publik.
Midis tyre spikat Minerva , revista e parë me ngjyra që e ngriti gazetarinë shqiptare të kohës në nivelet e vendeve më të zhvilluara perëndimore. Minerva u botua në Tiranë nga viti 1932- 1937 nga Nebil dhe Ikbal Çika, motër e vëlla, ndërkohë që pjesë e saj ishin firmat më të spikatura të elitës sonë kombëtare. Duke filluar nga faqosja që realizohej nga Odise Paskali tek menatarë të njohur si Faik Konica, Mid’hat Frashëri, Branko Merxhani, Patër Anton Harapi, Imzot Vinçens Prenushi, Mehdi Frashëri, Vangjel Koça, Ernest Koliqi, Mirash Ivanaj, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ali Asllani, Ilo Qafzezi, Het’hem Haxhiademi e deri tek Migjeni etj.
Minerva doli si gazetë e botës intelektuale por në fakt u bë shumë shpejtë e të gjithë njerëzve. Numri i abonimeve ishte 3 mijë një shume e konsiderueshme për një popullsi me 800 mijë banore dhe nivel të konsiderueshëm analfabetizmi.
Minerva ishte dhe mbetet një pishtar i kulturës kombëtare në të gjitha aspektet e saj. Ajo i parapriu zhvillimeve politike, ekonomike shoqërore e sidomos kulturore të vendit, një kontribut që vlerësohet edhe sot.
Për fat te keq botuesi dhe shumë gazetare e bashkëpunëtore të shquar të saj do ta paguanin me kokën e tyre këtë kontribut vetëm pak vite më vonë me ardhjen e komunizmit. Por megjithatë, ata lanë gjurmët e arta në ato vite të shkëlqyera të shtypit shqiptar, sidomos tek Minerva.
Ishte koha kur ne bënim gazeta(ri)!
Nga Nebil Çika (i Riu)