Kafe, fruta të thata Çajupi
Me vazo të vogla në duar, shishka apo paketime në letër, turistët pyesin për produktet që nuk i kanë hasur më parë. Etleva, administratorja e dyqanit “Kafe fruta të thata Çajupi” iu shpjegon se brenda këtyre paketimeve gjenden produkte të zonës, erëza, pije e vaj ulliri. Dhjozma, lule shtogu, bliri, sherebela e rigoni janë erëzat që bëjnë më shumë përshtypje, pa harrruar çajin e malit që mbetet më i preferuari nga vizitorë vendas e të huaj.
Shtimi i njësive tregëtare në pazarin e Gjirokastrës është shoqëruar me llojshmërinë e produkteve që gjen në to. Etleva Saraçi, është tregtare e re. Dyqani i saj u hap një vit më parë dhe ofron atë gamë produktesh që mungon në këtë pjesë të qytetit. Llokumet tradicionale me aromë e shije unike janë vendosur në një vend të dukshëm në dyqan. Ato janë prodhime vendase dhe iu këshillohen turistëve që mund t’i blejnë të paketuara ose të hapura sipas dëshirës.
Në raftet e drurit gjen pije në paketime të ndryshme. Edhe këto, produkte vendase, raki, verë, liker që shumë herë vizitorët i marrin me vetë si suvenirë. Ëmbëlsira, kryesisht amareta, glikò, karamele, janë një mundësi zgjedhjeje për ata që duan të ëmbëlsohen gjatë lëvizjes në rrugët e qytetit. Edhe mjalti e vaji i ullirit janë të preferuara për turistët. Frutat e thata që zënë pjesën e poshtme të rafteve tërhiqen nga klientët vendas. Mulliri i kafesë dallon lehtësisht. Në të bluhet kafeja e freskët që përhap aromë në gjithë rrugën./Tid Gjirokastra