Kantina Alimani – Një ndërthurje e këndshme e traditës dhe risisë
Kantina “Alimani” ndodhet në Tiranë në rrugën “Tomi Kristo”. Ajo u ndërtua në vitin 2016 nga dy djemtë e familjes, Rezart dhe Erjon, me mbështetjen e vazhdueshme të babait të tyre, Ramazanit. Ramazan dhe Rezart Alimani kthehen në Shqipëri pas një eksperience shumëvjeçare në Itali në një ndër kantinat më prestigjioze në Romë, “Poggio Le Volpi”. Ramazani nisi rrugëtimin e tij pranë kësaj kantine në vitin 2000 duke u marrë kryesisht me punë të ndryshme në vreshta, si: krasitje, spërkatje, punim e vjelje.
Pesë vite më vonë me ta u bashkua edhe Rezarti, menjeherë pasi kreu shkollën e mesme në Zerqan, Dibër, ku lidhja e ngushtë që kishte me të gjyshin, Kasem Kalecin, agronom, i ushqeu dashuri të madhe për natyrën, vreshtat dhe punën. Sapo shkoi në Romë, në vitin 2006, Rezarti u përfshi menjëherë në punët dhe proceset e brendshme të kantinës. Dashuria për punën dhe pasioni për verën përkthehen me suksesin e kësaj kantine, të re në emër, por të pasur në eksperiencë.
Filozofia
Ne në kantinën “Alimani” besojmë që verërat e mira duhet të jenë një e drejtë e patjetërsueshme. Në këtë kantinë mendohet se verërat me cilësi të lartë duhet të jenë më pranë konsumatorit dhe me një çmim të favorshëm. Ne besojmë në filozofinë “Pak dhe saktë”. Puna e prodhuesit të verës është të bëjë të mundur që cilësia më e mirë e frutave të dalë në pah.
Ne nuk kemi vreshta në pronësinë tonë dhe kjo na ka lejuar të shpenzojmë kapitalin tonë aty ku ka më shumë rëndësi, në rrush, fuçi dhe teknologji e jo në hipoteka. Duke vendosur kontrata afatshkurtra dhe afatgjata me kultivuesit tanë, ne kemi përfitimet e qëndrueshmërisë dhe të fleksibilitetit.
Ne jemi të kujdesshëm në lidhje me përzgjedhjen e vreshtit dhe sigurohemi që ato të menaxhohen nga njerëz të pasionuar për cilësinë ashtu siç jemi dhe ne. Ne punojmë me vreshta që janë certifikuar dhe janë menaxhuar në mënyrë organike, biodinamike dhe në mënyrë të qëndrueshme. Shumica e vreshtave tona janë të thata, dhe ne përgjithësisht preferojmë vreshtat e vjetra, të pozicionuara në zona të larta, vreshta me klimë të moderuar, duke lejuar kështu një maturim më të ngadaltë të rrushit intensivisht aromatik.
Proçesi i prodhimit të verës
Fruti është zgjedhur në intensitetin e pikut dhe pastaj trajtohet butësisht gjatë gjithë procesit të prodhimit të verës. Kjo nënkupton vjeljen me dorë. Ne preferojmë të përdorim fuçi lisi frutor, kjo për maturimin e verës rezervë të kantinës. Qëllimi ynë është të bëjmë verë me karakter dhe shpirt. Besojmë se hijeshia, ekuilibri dhe kompleksiteti janë ato që pëlqejnë shumë të apasionuarit e verës.