Karantina – kundruar ndryshe
Ditët e karantinës së detyrueshme përgjatë vitit që lamë pas vec frikës dhe ngarkesës emocionale njerëzve ja u dhanë edhe një “shuplakë” shkundëse, si piskamë të fortë për pak qetësi e pushim – domosdoshmëri këto për ajrin dhe Tokën tonë të mbirënduar!
Ndonëse mund të tingëlloj si dëshirë tekanjoze por “pushimi disa javor” në dukje apokaliptik që flama i dha kohës dhe hapësirës brenda së cilës frymojmë, qe edhe sinjal alarmues për mbingarkesën që ja kemi vëndu planetit.
Të mo4mit do thoshin se njerëzit e kanë rënduar njëri – tjetrin si fillim. S’do mend, kjo s’ka të mohuar. Por zhurmat, tymi, plehrat, plastika, pesticidet, gazrat, rrëmuja, prishja e së vjetrës, betonizimi pa fre, etj, etj, etj., nuk mund të mohohen si cytje që ngadalë e me fort siguri, po e shthurin harmoninë e një rruzulli në fill, të përkryer.
Shumë prej nesh akoma kujtojnë cicërimat e zogjve nëpër lagjet e vyshkura për pak melodi dashurie! Kujtojmë kodrat që as e dinim se kishin pasë qenë fare pranë nesh! Kujtojmë edhe shfaqjet e delfinëve dhe ngazëllimin tonë fëminor!
Në maj të vitit 2002, ndër tjerash Administrata e Zonave të Mbrojtura raportonte për një rigjallërim të jetës së egër në plazhe dhe në Alpe. Aso kohe thuhej se në bregdet qenë shfaqur delfinë e yje deti kurse Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) vente theksin tek një shtim i jetës së egër në zonat malore, dokumentuar qysh në mes të prillit atëherë kur një familje rrëqebulli u fiksua në kamerat kurth të vendosura në zonën e Malit të Polisit dhe Gurit të Zi në qarkun e Elbasanit. Kafshë të rralla janë shfaqur edhe në zonat malore të Shkodrës. Reporter.al shkruante se në zonën e Munellës, por dhe në Theth e Toplanë u dalluan jo vetëm kafshët e egra që janë të zakonshme në këto zona si dhija e egër, derri i egër, ariu e ujku, por dhe kaprolli që është shumë i rrallë.
Sipas repoter.al me fat duket të kenë qenë edhe vrojtuesit e zogjve. Një çift i Kalit të Qyqes, që folezon në Vjosë, u rikthye në pranverën e vitit 2020. Po ashtu për shkak të ndalimit të lëvizjes zogjtë shtegtarë në laguna apo në Divjakë kanë pasur një pranverë të qetë, ndërsa sepcialistët kanë vërejtur numra të shtuar të flamingove rozë, pelikanit kaçurrel dhe një sërë llojesh të tjera.
Me aq sa duket, paska qenë thënë të mbahen njerëzit mbyllur që natyra, kafshët e bimët të gëzonin një troshë paqtimi n’habitatin e vet. Por sot, një vit mbas, a mendojmë ne se mund të ri-mbyllemi prap? Në mos, a ngacmohemi ndonjëherë nga ideja se mos ndoshta shëprfillja dhe neglizhenca jonë qenë mjaftueshëm arsye të forta për t’u shkundur me themel i gjithë njerëzimi?
Nga Fjolla Spanca