Klarida, vajza që dashuron fshatin dhe artizanatin
Nëse hedh sytë në profilin e saj, do të mendosh se Klara është një artizane në fillimet e punës me baltë, aq e dashuruar me mjeshtërinë e qeramikës. Po të vazhdosh të shfletosh galerinë e fotografive mendon se duhet të jetë qëndistaria puna që bën vërtet. E gjithsesi mundësia që të jetë një fermere e re që i vjen në ndihmë familjes, mbetet po aq e besueshme sa dy të parat.
Në fakt Klarida Bregaj, 32 vjeçarja nga Vezhdanishti i Vlorës ka përfunduar studimet e larta për punë sociale dhe prej 12 vjetësh është e angazhuar si punonjëse sociale në projekte të ndryshme të organizatave jofitimprurëse. Krahas kësaj pune, është aktiviste për të drejtat e njeriut dhe të natyrës, si dhe eksperte në hartimin e lojërave të tavolinës për fëmijë.
E dashuruar me tokën, dheun, baltën, natyrën dhe mençurinë e saj, përpiqet çdo ditë të kuptojë esencën e jetës së jetuar thjesht e në mënyrë kuptimplotë, pa komplekse dhe me pasionet e saj, si qepja dhe stilimi i veshjeve, qëndisjet, punimet me baltë, piktura. Ajo që e gëzon është dëshira për të sprovuar veten me këto pasione, ndërthurja me njerëzit që i kanë profesione të tilla, nga të cilët mëson mjeshtëritë. Për të, kjo është shumë e rëndësishme.

Ç’ndjesi është rikthimi në tokat e të parëve, për t’i mbjellë e për të marrë të korrat e sezonit?
Në fakt nuk ka pasur kurrë një largim fizik, por një largim shpirtëror. Fizikisht kam qenë gati çdo vit në fshat, për mbledhjen e rrushit, ullinjve, perimeve dhe frutave. Por shpirtërisht kam pasur një shkëputje që prej adoleshencës, kur fjala “fshatar” nuk ishte më cool. Me kalimin e viteve fillova të kuptoj se toka ishte e rëndësishme për mua dhe më falte atë lumturi që nuk e gjeja në shumë gjëra të tjera, prandaj ju ktheva asaj. E dua dhe e shijoj punën atje dhe, megjithëse lodhem shumë, e di që më jep gjithmonë më shumë seç i jap.
Cilat mendon se janë nevojat më të ngutshme të fshatit sot?
Nevoja e fshatit është që ta duan. Është kaq e thjeshtë. Nëse të rinjtë do ta duan fshatin, do të përfitojnë mjaftueshëm sa për të plotësuar nevojat e tyre. Duke pasur në mendje teknologjitë e reja dhe urtësinë e vjetër, ata kanë mundësinë të zhvillohen njësoj si në çdo profesion tjetër. Ndërsa në nivel politikash, ato nuk janë aspak motivuese për të rinjtë.
Fshati ka probleme me shitjen e prodhimeve, me rrugët, ka shumë burokraci me etiketimin dhe paketimin, ka mungesë uji dhe elektriciteti për të vënë në punë makineritë, pak mundësi për të gjetur punëtorë, kosto të lartë transporti, mungesë tregu dhe mungesë rregullatorësh të çmimeve të produkteve vendase krahasuar me ato të importuara etj. Shumë shpesh me grupin e ndjekësve të mi në Instagram diskutojmë për këto çështje. Është shumë e çuditshme të zbulosh se sa të ndryshme janë problemet e fshatrave në zona të ndryshme dhe se sa e vështirë është të përmblidhen nevojat e tyre.
Çfarë do të të bënte të ktheheshe në fshat përgjithmonë?
Nëse do të kisha kushte më të mira ekonomike, një rrugë për fshatin dhe një shkollë afër, do të jetoja në fshat. Fshati është luks që, për momentin, nuk mund ta kenë të gjithë. Në Evropë, shumë njerëz po i rikthehen fshatit dhe jetës së thjeshtë, dhe kjo të jep shpresë për të ardhmen. Kjo të jep shpresë për mirëqenie fizike, mendore, shpirtërore dhe ekonomike.

Si nisi dëshira për të punuar baltën, për të pikturuar mbi të?
Fillimisht, balta ishte si kujtim fëmijërie, një kujtim që lidhej me lojërat dhe me jetën në fshat. Por, kur erdhëm në qytet, balta na bënte pis dhe na u shtrua me asfalt poshtë pallatit, kështu që duhet të gjeja mënyra të tjera. Nisur nga gjithë benefitet që ka balta, karantina u vuri vulën pasioneve të mia; kisha nevojë të isha unë. Falë dy shoqeve që më prezantuan me Janën dhe Vasilin, fillova të punoj me baltë.
Puna me të më jep një kënaqësi shpirtërore të veçantë, ndoshta e ndikuar edhe nga lidhja ime me tokën. Duke punuar me motivet shqiptare, me kostumet popullore, ndjeja keqardhje për çdo pjesë të historisë së Shqipërisë që nuk e dija. Tani po kuriozohem më shumë për historinë në përgjithësi dhe etnografisë në veçanti.
Qepni, qëndisni dhe këtë pasion e bazoni te principet e modës së qëndrueshme. Pse gjithë kjo qasje e kundërrrymshme?
Në fakt unë nuk jam e kundërrrymshme, jam më afër asaj që është natyrale dhe e natyrshme. Plastikën nuk e do as trupi ynë, as toka dhe as oqeanet. Prej shume vitesh kam hequr dorë nga blerja e veshjeve të reja për këtë arsye dhe përsëri kam plot veshje dhe kam ato veshje që dua. Nuk ndjek modën, por stilin tim dhe kjo me ka ndihmuar të ndihem më mirë me veten dhe me veshjen.
Në raste shumë specifike mund të blej diçka, duke u siguruar që nuk do të lëshojë mikroplastikë sa herë të lahet, që trupi im do e doje atë veshje dhe që, pasi unë “ta hedh”, do të shpërbëhet ne tokë, duke mos e dëmtuar atë. Kam krijuar një piramidë timen: në fund të piramidës janë veshjet e përdorura dhe në majë një veshje e re miqësore ndaj mjedisit. Jam vërtet e lumtur kur dëgjoj që shumë të rinj të tjerë po bëjnë të njëjtën gjë.
Linja e bluzave që krijova ishte pa modë, me materiale natyrale, me pëlhurë të blerë në outlet, me qëndisma të bëra me dorë dhe e qepur gjysma me dorë dhe gjysma me makinë nga një rrobaqepëse e lagjes, në sasi të limituar dhe me modele unike. Para rreth dy vjetësh fillova të eksperimentoja me lyerjet natyrale të pëlhurave, por ishin disa procese të vështira për t’u bërë nga një njeri, kështu që po përpiqem të bëj proceset që mundem, në mënyrën më të mirë të mundshme.
Aktiviste e të drejtave të njeriut e njëkohësisht ambientaliste. Çfarë mendon se ende nuk shkon mbarë me aktivizmin këtu, më mirë me të dyja këto fusha ku ke vendosur të angazhohesh?
Mua më duken e njëjta gjë dhe jo dy fusha të ndryshme. Është e drejta e çdo njeriu të jetojë në një ambient të shëndetshëm. Ka 3 gjëra që më shqetësojnë. 1-Apatia. Kemi humbur ndjeshmërinë. Na janë normalizuar vrasjet e grave, përdhunimet, plehrat në mes të rrugës, mungesa e ujit në shtëpi, mungesa e rrugëve në fshatra. 2-Nuk kërkojmë. Të ankohesh është normale, por të kërkosh jo. Domethënë, ne kemi të drejtën të kërkojmë, të sugjerojmë zgjidhje, të bëjmë peticione e kërkesa. Ne edhe kur protestojmë, nuk dalim me kërkesa të qarta, prandaj protestat kanë kaq pak ndikim.
Për çfarë profesioni do ta braktisnit atë të tanishmin?
Profesioni im është punonjëse sociale dhe prej 12 vitesh punoj me grupe të ndryshme. Duke qenë se, që prej shkollës së lartë, dëshirat e mia kanë ndryshuar dhe po ashtu edhe mundësitë, më pëlqen të futem në fushën e dizajnit. Gjithashtu, më pëlqen jashtëzakonisht ideja e të pasurit një fidanishte, ku përgatiten edhe vazot e qeramikës për fidanet dhe më gjerë.
Gjithsesi mund ta ndërroj profesionin apo zanatin sa herë që diçka nuk shkon apo sa herë që jam e palumtur. Ka shumë njerëz që më thonë se unë e kam një profesion dhe më duket e çuditshme që ata e lidhin profesionin me atë që janë. Njeriu ka të drejtën dhe detyrimin të lumturojë veten dhe të vetërealizohet, pavarësisht nëse është 20, 30 apo 60 vjeç. Në të njëjtën kohë, edhe të mos dish se çfarë të pëlqen të bësh është ok, edhe të marrësh pak pushim është ok, edhe të ndryshosh për njëfarë kohe është ok.
Shpesh shkruani për çështjet mjedisore e jo vetëm. Sa pasione mund të ketë njeriu në këtë epokë që duket se gjithçka lëviz shpejt?
Çështjet sociale, çështjet e barazisë, çështjet e mjedisit nuk janë pasione, janë detyrime qytetare dhe janë fortësisht të lidhura me çfarëdo që ne folëm më sipër. Në këtë kohë, njeriu duhet të ketë të gjitha pasionet që ndjen. Ka shumë njerëz që zakonisht kanë punën si gjënë më të rëndësishme, dhe kjo i lumturon; ka njerëz që kanë gjëra të tjera të rëndësishme, dhe këto u falin kënaqësi. Mirëpo ka vetëm diçka që nuk duhet ta harrojmë: shëndetin mendor. Pasionet e mia më sjellin mirëqenie mendore, dhe kjo është e papagueshme.