Të blesh tek “të vegjlit”
Të blesh produkte direkt nga fermerët e vegjël, prodhuesit lokalë apo te dyqani te cepi i pallatit, sjell me vete një ndikim të jashtëzakonshëm ekonomik për qytetin, qytezën e fshatin. Fati i shumë bizneseve familjare, bujqve, fermerëve apo zejtarëve, varet pikërisht nga përzgjedhja që bëjnë konsumatorët. Më poshtë janë disa argumente nga impakti ekonomik e social i të blerit dhe të konsumuarit prodhime vendore.
Lekët qëndrojnë në komunitet. Ngandonjëherë, gjestet e vogla të shumë individëve bëjnë ndryshime marramendëse. Kështu, nëse vendosni të shpenzoni në interes të prodhuesve dhe fermerëve të vegjël lokalë, në vend të supermarketeve apo multikompanive milionere, atëherë ju i keni dhënë një dorë jo vetëm ekonomisë lokale, por edhe komunitetit tuaj e individëve të saj.
Krijimi i vendeve të reja të punës. Fermat apo punishtet e vogla janë burim i shkëlqyer për krijimin e vendeve të reja të punës në zonat rurale e jo vetëm. Nëse konsumoni prodhime nga bizneset familjare, bujqit apo fermerët e rrethinës ose nga cilido prodhues i vogël, ju i keni dhënë mundësi të reja komunitetit ku jetoni.
Ndihmoni në mosbraktisjen e komunitetit. Statistikat janë të frikshme kur bëhet fjalë për numrin e të larguarve nga zonat rurale, qytezat apo vetë kryeqytetet për një të ardhme më të mirë gjetkë . Nëse ju konsumoni e shpenzoni për shërbime dhe produkte nga bizneset familjare, punishtet e vogla apo fermerët lokalë, atëherë ju keni investuar në të ardhmen e një komuniteti të tërë. Njerëz që investojnë në komunitet dhe ndërtojnë jetën aty, kanë një arsye të fortë për të mos e braktisur atë .
Ruani veçoritë e komunitetit. Duket si pak i rëndësishëm në dukje ky argument, por jo. Çdo fshat, krahinë, qytezë apo qytet ka veçorinë e tij/e saj, ndaj banorët vendas në përpjekjet e sipërmarrjeve të tyre do të bëjnë atë çka dinë më mirë të bëjnë dhe që në shumicën e rasteve buron nga njohuritë përftuara në komunitet. Kështu, nëse Korça bën kërnackat më të mira në Shqipëri, kjo veçori e këtij qyteti është falë traditës së kultivuar prej komunitetit të saj.