Koha për lokalizimin e ekonomisë
Globalizimi i tregoi botës se nuk ish parë kurrë një rritje ekonomike aq e vrullshme dhe një zhvillim teknologjik përtej të imagjinueshmes. Pa dyshim se jeta, shëndeti, arsimimi i miliona e miliona njerëzve janë përmirësuar në mënyrë të dukshme. Por pavarësisht këtyre arritjeve, gjithnjë e më tepër bëhet e qartë se civilizimi modern, përmes rendit social, ekonomik dhe politik ka dështuar së marri në konsideratë nevojat më bazike të qenieve njerëzore për të jetuar në harmoni me njëri-tjetrin dhe me natyrën.
Por duket se ekonomia botërore po pëson një tjetër qasje e tension që nga viti 2018, kohë ku mori rëndësi termi “slowbalisation”, përdorur për herë të parë nga shkrimtari holandez Adjiedj Bakas për të përshkruar një epokë të re, të ashtuquajtur “ecja e kërmillit” e që dalëngadalë po zëvendëson globalizimin. Pa dyshim edhe kriza e pandemisë shtoi disa doza sentimentalizmi lidhur me reflektimin mbi kostot e një ekonomie që gëlon vrullshëm e pa u ndalur.
Pabarazia, puna skllavëruese e milionave, varfëria, diskriminimi gjinor, të drejtat e njeriut dhe problemet mjedisore që nga ngrohja globale deri te rreziku i specieve në zhdukje, humbja e biodiversitetit, aktivitetet tregtare të multikompanive te popujt indigjenë dhe te komunitetet më pak të zhvilluara, e gjithë kjo është panorama e një ekonomie që nuk ka në qendër njeriun, por konsumin e shfrenuar kapitalist dhe gjigantizimin e kompanive ndërkombëtare. Ekonomia lokale shihet tashmë nga shumë ekonomistë dhe aktivistë si thirrja për një ekonomi që udhëhiqet nga e njerëzishmja e ku vendimet merren në bazë të nevojave të njerëzve të zakonshëm e jo në interes të elitave.
I gjithë zhvillimi teknologjik që po përjetojmë, rritja galopante e popullsisë botërore, influenca dominuese e aktivitetit njerëzor mbi natyrën dhe klimën, automatizimi i panevojshëm, zaptimi i bujqësisë nga praktikat intensive të prodhimit, po na çon pashmangshmërisht drejt një rrënimi me pasoja fatale për njerëzimin. Një epokë kur njeriu me aktivitetin e tij sundon me një ndikim të paprecedent mbi Tokën dhe mbi gjithë gjallesat. E thënë me gjuhën e shifrave, rreth 97% e publikimeve shkencore tregojnë që ngrohja globale është shkaktuar nga aktiviteti njerëzor.
Por do të ishte fatale të harrohen gjithë përfitimet që njerëzimi pati prej globalizimit e të mendohet se ndërlidhja ekonomike botërore nuk është më e nevojshme. Përkundrazi, logjika e ekonomisë lokale nuk do të thotë izolim dhe veçim nga mbarë bota: ajo kërkon që ekonomia e ndërlidhjes botërore të funksionojë në harmoni e në mënyrë të qëndrueshme, në respekt të demokracisë, drejtësisë sociale dhe të natyrës, duke bërë çmos që kompanitë gjigante të huaja që operojnë larg kompanive mëmë, gjetkë, në vende më pak të zhvilluara, të mos shfrytëzojnë rastin e mungesës së një qeverisjeje solide që dështon të mbrojë interesat e njerëzve të zakonshëm.
Është pikërisht koha që të hiqet dorë njëherë e mirë nga spekulimet se ekonomia e të vegjëlve nuk mund të mbahet në këmbë pa subvencione e mbështetje financiare, pa taktikat merkantiliste të njohura për deformimin e tregut dhe përfitimin e kompanive të mëdha. Ideja e ekonomisë lokale, ekonomisë prej të vegjëlve, sjell në vëmendje rëndësinë e bashkëveprimit e të bashkëpunimit mes banorëve të një komuniteti, në termat e ndërveprimit ekonomik e financiar. Është absolutisht e mundur të krijohet një sistem ekonomik që ruan balancën ndërmjet mirëqenies sociale e gjithëpërfshirëse, nevojave të tregut dhe biodiversitetit e natyrës në tërësi. Sepse ekonomia lokale është e vetmja mundësi që na siguron një të ardhme të paqtë me veten, komunitetin dhe botën.