Krelana e Dardanisë!
Ardhja e mërgimtarëve përjetëisht ka qenë një prej atyre gëzimeve që e shkundnin konakun! Besa, të jetosh larg Tokës se xhanit s’është kurrë e lehtë, ndaj kthimi në vatër ish festë sublime për secilën shtëpi, që priste mot-mot më i ardhë zogjtë e përmalluar!
Mbaj mend se ndër vite, sa herë mblidheshim rrotull sofrës, gjyshja nxirrte specat e ngjyem në mazë katundi, djathin e gatitun në çilar edhe një sini plotë krelanë! “Krelana me duqa” është një soj haje e mirënjohur në Dardani, që nëpër breza i ka bashku familjet e besa edhe të huajt, me shijen e saj tepër modeste, por dashninë e pamatë – prej të cilës është mbrumur kaherë!
S’do mend se receta nuk ka qenë kurrë fikse! Nanat “me sy” e kanë përzier brumin kurse shprishja e kores së sipërme ka qenë (e mbetet) ngazëllimi i të gjithë fëmijëve! Shpesh, ne afrohemi rrotull një sofrabezi të shtruem me ojna, e me anë të një piruni i ndihmojmë gratë e shtëpisë me i formu topthat e vegjël sipër të cilëve kollaj derdhet ajka e ngrohur mbi sobën e drurit!
Sot, kur e pyes gjyshen për recetën, ajo më thotë së afërmendsh krelana me duqa e do:
- 1 kg miell; 700 ml ujë; 1 lugë kripë; 50 gr gjalpë dhe 300 gr mazë ose kajmak.
Pra, brumi i krelanës gatitet duke i përzier miellin, kripën dhe ujin derisa të fitojmë brum homogjen, pak më të trashë se sa brumi i palëpetëve (krepave). Pastaj, tava ku shtrohet brumi duhet të jetë e ngrohtë dhe e ngjyer mirë në vaj. Krelana e derdhur në tavë lihet për pjekje rreth ç0-50 min, derisa ana sipërore e saj të jetë skuqur mirë e mirë!
Pasi të jetë pjekur, korja e sipërme bashkë me brumin coptëzohen në toptha të vegjël, kurse gjalpi i shkrirë i hidhët koresë së poshtme. Maza e freskët, e shkrirë me pakëz kripë vendoset mbi topthat që tashmë janë nusnu e presin me u shiju!
Kjo haje jo edhe aq e lehtë por e dashunueshme mbetët ftesa më e parezistueshme për paqtim e çmallje zemrash!