Ku ishim dhe ku shkuam?
Një vrojtim zemërngushtë mbi realitetin e Kosovës
Kaherë shqiptarët braktisën Kosovën, si e si për ta ruajtur Kosovën në zemrën e tyre! Ata ikën, për t’i mbajtur gjallë ata që lanë pas. Shqiptarët ikën, për t’u kthyer bashkë me Lirinë. E kur u kthyen, gjetën veç copëza kujtimesh, të cilat i trazuan më shumë sesa dhimbjet që kishin jetuar. Vite pas pavarësisë, tani që shkruajmë e flasim, shqiptarët duan të ikin përgjithmonë, sepse Kosova nuk është më vendi ku mund të jetojnë njerëzishëm. Kosova e zaptueme, nuk është atdheu i atyre që s’janë më dhe as i atyre që jetojnë të shtrënguar prej varfërisë.
Shqiptarët e Kosovës kanë qenë emigrantë për dekada të tëra. Madje, familjet rurale mbijetonin falë të ardhurave që vinin prej burrave që kishin shkuar jashtë për të punuar. Anise ata qëndronin larg familjeve në pjesën më të madhe të kohës, kontributet që i nisnin në Kosovë ishin shtysë për përparimin e rrethit të ngushtë, por edhe të mbarë fisit.
Të moçmit thonë se djemtë e tyre dikur merrnin rrugën e Stambollit a të Selanikut, e më pas rrugën e Zagrebit dhe Beogradit, e iknin kështu për të punuar në ndërtim, bujqësi apo si shitës ëmbëlsirash.
Përkundër vështirësive dhe largësisë, burrat e ikur mbanin lidhje të forta me familjet e tyre në Kosovë. Madje, me remitancat që ata dërgonin, krijoheshin mundësitë për të blerë bagëti e traktorë, ndërtohej ndonjë kat i shtëpisë ose shtohej familja përmes martesave (me shkuesi). Asokohe vajzat “jepeshin” me qejf e lehtësi për djemtë që udhëtonin me tren drejt Zvicrës e Austrisë për të gjetur një vend pune.
Realisht, emigrimi anise nuk ishte i mirëpritur, mbi të gjitha, kryente një funksion esencial në mendjet e popullsisë, duke dhënë të vetmen shpresë për t’i ikur varfërisë. Tregohet se djemtë që emigronin e kuptonin mirë se ç’barrë do të mbanin mbi supe, por në etapa të caktuara, ikja ishte e vetmja rrugë shpëtimi.
Në Kosovë, emigrantët ishin kryesisht burra të rinj e të pamartuar. Ata largoheshin duke e ditur se kishin goxha obligime ndaj familjeve, prandaj në Europë bënin jetë modeste, punonin shumë dhe prisnin ditën kur do të ktheheshin për të krijuar familjet e veta. Të paktën nga rrëfimet, kupton se shumica e të ikurve ishin të bindur se do të ktheheshin. Ose do të martoheshin e do ta merrnin nusen me vete. Ndërkohë kishte raste kur djemtë nuk ktheheshin në Kosovë për martesë, sepse tashmë e kishin lidhur jetën me gra “të huaja”. Ky “fenomen” përbënte shqetësim serioz për reputacionin e familjes. Nuk ngelte njeri pa e komentuar “fatkeqësinë” që i kishte rënë tjetrit, madje përbuzej i tërë fisi, saqë djali shpesh nxitej ta linte gruan e parë për t’u martuar me një vajzë shqiptare që do t’i bënte “hyzmet” deri në fund të jetës! Përveç diferencave kulturore, familjet kishin edhe halle të tjera që lidheshin kryesisht me remitancat, të cilat rrezikonin të pakësoheshin në rastet kur djali martohej me një të huaj. Gjithsesi, emigrantët me ç’është vënë re nëpër dekada, nuk kanë pushuar së mbështeturi financiarisht familjet e tyre.
Kur ikin të gjithë, për t’u kthyer
Në vazhdimësi të ngjarjeve, diku rreth viteve 70, nevoja për të emigruar sikur u zbeh, meqë vala e zhvillimeve të industrializmit socialist i shpalosi idealet e të rinjve shqiptarë, të cilët kërkonin të shkolloheshin. Kësisoj, supozohej që shqiptarët do ta fitonin siguri ekonomike, por edhe do të qëndruonin afër familjeve. Kjo periudhë shënjon një lëvizje të rëndësishme edhe në mendësinë e gruas shqiptare, e cila, ashtu si në heshtje, shpresonte se nëpërmjet arsimit fitohet liria, gjendej një vend pune, e po ashtu edhe një bashkëshort që jetonte në Kosovë e jo jashtë.
Fatkeqësisht, kësaj fryme do t’i vinte shpejt fundi, sepse represioni i Millosheviçit ktheu mbrapsht gjithë progresin e arritur deri në atë kohë. Fundi i viteve 80 do të sillte valën e re të shpërnguljeve dramatike në drejtim të Gjermanisë dhe Zvicrës. Sipas të dhënave të European Stability Initiative, gati gjysmë milion shqiptarë të Kosovës, pra rreth 25% e popullsisë, jetonin jashtë vendit.
Nga ana tjetër, përshkallëzimi i dhunës dhe represionit që solli më pas intervenimin e NATO-s, shënoi fundin e kontrollit të Serbisë mbi Kosovën. Madje me mbarimin e luftës, në vendlindje u kthyen mijëra të shpërngulur dhe emigrantë të tjerë. Evropa nuk do të ishte më edhe aq tolerante karshi azilkërkuesve, anise dikur ishte treguar më e hapur ndaj punëtorëve emigrues.
Thënë shkurt, emigrimi ndër dekada e ka lehtësuar presionin e tregut të punës dhe ka siguruar një standard jetese më të mirë. Madje i ka ndihmuar familjet të dalin nga varfëria. Është e rëndësishme të nënvizohet fakti se ndër të tjera, diaspora krijoi një frymë solidariteti mes shqiptarëve që jetonin brenda dhe jashtë Kosovës, përmes ndihmave që nisën sidomos në kohë krizash.
Me jetu, duke prit
Kosova nëpër mote ka krijuar lidhje me botën e jashtme përmes emigrantëve dhe mallrave që ata kanë sjellë. Jo rastësisht, disa mund ta shohin sot emigrimin si agjent të modernizimit. Ka dhe shumë syresh që e përceptojnë atë si fillimin e rrënimit të familjes. Parë nga një kënd tjetër, nuk mund të mohohet fakti se me ikjen e burrave jashtë vendit, traditat konservatore e sidomos në Kosovën rurale, nisën të ishin më të forta. Pothuajse në të gjitha zonat lëvizja e grave jashtë shtëpisë ishte e kufizuar, sidomos e atyre që i kishin burrat jashtë; vajzat e reja që u “dhanë” për djemtë në mërgim ndaluan shkollën (edhe të mesmen, madje) dhe u veçuan, duke pritur burrat që të martoheshin. Plot martesa u rregulluan pa qenë djemtë në atdhe, si nismë e familjarëve. Jo rrallë herë ndodhi që, këto çifte (imagjinare) nuk u takuan kurrë, sepse djali tashmë kishte një familje tjetër në Gjermani ose Austri.
Ndonëse ishin krijuar ca lehtësi për ekonominë familjare, nënat ishin ato që e vuajtën largimin e djemve. Bashkëshortet, por edhe fëmijët mund të prisnin dhjetë pranvera pa e takuar një herë të vetme bashkëshortin a babain.
Baba, mik n´shpi t´vet
O kofsh mallkue i Zi gyrbet!
Sa na lindin fmi e fmi,
Nuk kan babë o me thirr n´shpi.
Gratë edhe pse të vetme në shtëpi, ishin nënë e babë për fëmijët. Ishin kujdestare për prindërit e burrit, si dhe ruajtëse të nderit, ndërkohë që burrat stërngarkoheshin me punë krahu rrugëve të Evropës Perëndimore. Në të dy krahët, vuajtjet janë bashkudhëtare të jetës. Ama, ishin dhe kurajo në vitet e pritjes! Nuset i kanë të freskëta dhimbjet dhe presionin që burrat e familjes, e besa edhe vjehrrat, ushtronin mbi to, sa herë bëhej fjalë për “vlerat morale dhe edukimin e fëmijëve”, sepse fundja këto ishin “dhurata” për djalin që kur të kthehej nga kurbeti, ta gjente çdo gjë siç e kish lënë!
Në tërë këtë zallamahi, ndonëse familjet siguruan financat, gratë nuk arritën të shkëputeshin nga amullia e mendësisë së ngushtë. Disa familje e tejkaluan krizën e identitetit që e shtrëngoi Kosovën qysh herët. Të tjerat u përfshinë në dalldisjen e zakonshme, që niste me dasmën e madhe sapo kthehej djali nga kurbeti, florinjtë e pakursyer për nusen dhe rrobat e shtrenjta e vazhdonte deri te ndërtimi i shtëpisë dhe mobilimi luksoz. Për shkollimin dhe edukimin e grave nuk shqetësohej askush, sepse mjaftonte jeta sipërfaqësore, por edhe disi e qetë, krahasuar me ç’kishin hequr e përjetuar shqiptarët “para luftës”.
Pse ikën gratë?
Gratë shqiptare, sikurse edhe burrat, kanë emigruar kryesisht për arsye familjare. Përgjithësisht, emigracioni anëve tona ka qenë fenomen tipik mashkullor, kurse ca më pas, mori ngjyrime të tjera. Qyshkur gratë nisën të lëvizin, nisën të ndryshojnë marrëdhëniet mes diasporës dhe Kosovës. Në plot raste, ka më pak të ardhura, sepse burrat detyroheshin të mbanin familjen e re, kurse në rastet kur punonte edhe gruaja, hapeshin “fronte” të reja ndihme. Pra, mbaheshin financiarisht dy familje. Në vija të trasha, arsyet për emigrim ndryshojnë midis grave nga zonat urbane dhe atyre nga zonat rurale. Shumica e grave në zonat urbane emigrojnë për t’u arsimuar, arsye familjare dhe për punë. Kurse gratë nga zonat rurale emigrojnë për arsye familjare, punë e mbase për t’u arsimuar.
Deri vonë, gratë që ikën jashtë pasi fituan bashkimin familjar, kanë bërë jetë pasive. Ato nuk para janë përfshirë në tregun e punës. Por, me kalimin e viteve, ndryshimet politike dhe ekonomike që kanë ndodhur në vendet ku jetojnë, i kanë detyruar në një farë forme të bëhen pjesë e shoqërisë nëpërmjet kontributeve modeste. Ato tanimë gëzojnë pagën mujore si shpërblim për punën që kryejnë. Bëhet fjalë për zanate pa shumë kualifikime ose për profesione të mirëfillta, të cilat i kanë kultivuar mbas shkollimit. Në të dyja rastet, mbështetja e bashkëshortit dhe familjes, padyshim ka qenë dhe mbetet një shtysë esenciale për të ecur para.
Përveç grave, janë edhe fëmijët shqiptarë, ata që tani po përpiqen të shkëputen nga mentaliteti i gjeneratave të kaluara. Pra bëhet fjalë për djemtë e vajzat e reja që jetojnë në Gjermani, Zvicër, Austri, Holandë, Suedi a Finlandë, të cilët tej shembullit të nënës apo babait, po thellohen në studime dhe po integrohen më lehtë në shoqëri, falë aftësive dhe dijes.
Kur humb shpresa për ditë më të mira
Askush nuk e priste që Kosova mbas Pavarësisë të ishte kaq e zymtë dhe pesimiste sa ç’është sot! Ndoshta askush nuk e kishte imagjinuar Kosovën si shtëpinë e një grushti njerëzish, të cilët dolën mbas konfliktit të armatosur si pronarët absolut të këtij vendi. Aq më pak, ata që dikur ikën me shpresën për t’u kthyer bashkë me Lirinë, nuk e prisnin Kosovën si burgun e ardhshëm. Kosova, me kufijtë e mbyllur dhe izolimin permanent, e pazhvilluar dhe e mbytur në korrupsion, nuk përfaqëson më “Tokën e Ëndërrave” për mijëra të rinj që dikur veç mund të shpresonin se do të vinte dita kur me punë dhe pasion, do ta kthenin atdheun në një vend më të mirë për të jetuar!
Është e frikshme të mendosh se edhe pas gjithë këtyre viteve të pasluftës, shqiptarët e Kosovës kërkojnë dëshpërimisht ta braktisin vendin e tyre, sepse aty nuk gjejnë më as perspektivën më minimale. Akumulimi i shumë problemeve dhe menaxhimi jo i mirë i tyre, ka bërë që ikja të jetë alternativa më e përsosur për të ndërtuar një jetë normale diku larg.
Dikur kanë qenë disa faktorë që ndikonin negativisht në ekonominë e vendit, si politikat e dobëta ekonomike, konflikti etnik, qasja e pakët në tregtinë dhe financat e jashtme, kurse sot ekonomia e Kosovës është rrënuar prej shkallës së ulët të prodhimtarisë, shkallës së ulët të investimeve ndërkombëtare, bilancit negativ në tregti, shkallës së pamjaftueshme të rritjes ekonomike, mungesës së shkathtësive praktike, etj. Thënë ndryshe, kohët tona janë kohë mangësish dhe boshllëqesh. Janë etapa të vështira, të cilat po i cytin të rinjtë të ikin, pa e kthyer kokën mbrapsht. Ata të rinj që kanë përqafuar një lloj pasiviteti dhe fatalizmi.
Shtegtimi i kapitalit njerëzor
Largimi i burimeve njerëzore me aftësi e dije mbetet një ndër shqetësimet kryesore në vendet pak të zhvilluara dhe shumë të korruptuara. Të rinjtë e talentuar, në pamundësi për t’u zhvilluar profesionalisht, detyrohen të shpërngulen drejt vendeve më mikpritëse, ku përveçse arrijnë “të çelin” projekte tepër të rëndësishme për njerëzimin, fitojnë edhe respektin e vlerësimin e munguar në atdhe!
Ky “tru i ndritun” që sapo ka nis me e pa dritën e shpresës dhe mundësive për t’u realizuar, vyshket në vende të izoluara, ku prioritetet përcaktohen nga pazaret politike, lidhjet farefisnore dhe gjobat apo haraçet! Pra, fatkeqësisht Ballkani përfaqëson sfidën e trishtë që mendjet e mëdha ndonjëherë e kanë gati të pamundur ta tejkalojnë. Dhe prandaj janë të shtrënguara “për t’u spostuar” në hapësirë.
Kur flasim për “largimin e trurit”, kemi parasysh se këtu bëhet fjalë si për gratë, edhe për burrat. Ndonëse tregu i punës është i mbizotëruar prej burrave, gratë kanë treguar se janë jo më pak të vlefshme, falë aftësive, dijes dhe përkushtimit.
Guri i rand’ në vend të vet
Dikur na thoshin se guri asht i rand’ në vend të vet! Ngado që të ikim, herët a vonë, sërish kemi për t’u kthyer aty ku u nis e para fjalë e jona, dashuria e parë dhe ëndrra më e pamundur. Mbase një ditë, sado larg qoftë ajo, në Kosovë do të kthehen gratë dhe burrat që mbi krahë kanë valixhet e qëndisura më dije dhe dritë zemre. Ndoshta do të kthehen ata që rininë dhe shëndetin ja falën rrugëve të kurbetit, teksa përpiqeshin të mbanin familjet larg varfërisë. Ndoshta do të kthehen gratë që i jetuan vitet e njoma larg të dashurve të zemrës! Biles, edhe fëmijët që u rritën me një fotografi të babit, do të kthehen ndonjëherë. Çdo gjë mund të ndodhë, nëse Kosova shkëputet prej hipokrizisë së atyre që nuk e deshën kurrë atdheun!
Përndryshe, emigrimi do të mbetet një pjesë e rëndësishme e peizazhit historik, politik, social dhe ekonomik të Kosovës, për sa kohë të rinjtë nuk do të kenë mundësi të lëvizin pa viza nëpër Evropë. Emigrimi do të mbetet e vetmja udhë për çiftet e reja që duan t’i shohin fëmijët më mirë e më të arrirë se vetja. Për shkencëtarët, sportistët, artistët, mjekët, inxhinierët e plot të tjerë, ikja ka për të mbetur i vetmi shteg nga ku shpëtohet prej padrejtësisë kolektive. Për aq kohë sa arsimi, shëndetësia, ekonomia dhe infrastruktura urbane të shkruhen veç nëpër letra, emigrimi do të jetë sinonim i shpresës për ditë më të paqta!