Ku mund të ha në një vend që shërben ushqim tradicional, por ama si ai nga duart e gjyshes?
Dhe përgjigjja është: “Lakror’Ane”, vendi i duhur në Tiranë.
“Lakror’Ane”, jo më kot është quajtur i tillë. Në zonën e Gjirokastrës, “ane” është quajtur gjyshja, personi, i cili jo vetëm na fal dashuri, por dhe nga i cili nuk ndahesh dot për shkak të gatimeve të shijshme që gjithmonë i shërben me merak në tryezë. Vetëm e vetëm që të ngopen nipërit e mbesat.
Lakrorane quhet personi që gatuan lakrorë.
Frymëzuar nga recetat e gjyshes dhe historisë disavjeçare, ky vend i vogël, i lokalizuar mbrapa shkollës “Vasil Shanto”, shërben lakrorë dhe gatime tradicionale të trashëguara me recetë nga gjyshja.
Pse duhet të vizitoni “Lakror’Ane”?
– Sigurisht për lakrorë, bre lalkë!
Me varietete të ndryshme lakrorësh si: me spinaq, me qepë dhe domate, me mish, me fasule, me kungull etj., ju premtojmë që “do të lëpini gishtat” në fund!
“Meraku i Anesë”, glikotë
Një epitet shumë i goditur në menu, i cili i referohet glikove. Pas lakrorit, mund të ëmbëlsoheni me gliko ose me ëmbëlsirën e ditës, që mund të jetë: kadaif, pengjire, paçavure etj. Glikotë me shije të ndryshme si: portokall, fik i butë e fik i egër, me lajthi etj., mund t’i blini dhe t’i konsumoni ne shtëpi.
Përveç ushqimit, sigurisht dhe pijet e servirura nuk mbeten pas
Rakia e kumbullës, e marrë nga kantina e familjes, nuk duhet të mungojë kur të porositni lakrorin. Fundja, si do t’ju këndojë shpirti pas lakrorit?
Një vend i vogël dhe i ngrohtë që të rikthen kujtimet
Gatimet janë të servirura në një ambient të rehatshëm, i cili është kuruar me detaje që janë sjellë posaçërisht nga fshati. Madje, edhe pjatat e lugët janë servise të ruajtura e të trashëguara.
Nëse të ka marrë malli për muzikë të vjetër shqiptare, për serenata korçare dhe jeni nostalgjikë, atëhere ju premtojmë që do ta shijoni ushqimin vetëm me muzikë shqiptare.
Për ata që e kanë të pamundur të shkojnë ta vizitojnë “Lakror’Ane”, mund të porositin në telefon lakrorë dhe jua sjellim menjëherë në tryezat tuaja.