Kurveleshi, një zonë që premton turizëm fantastik
U bënë katër vjet që shkoj rregullisht në Kurvelesh, që prej herës së parë. Verës përgjithësisht më rastis të shkoj më shpesh. Pushimeve të zgjatura pranë prindërve në Tepelenë, pranë lumit të fëmijërisë, si një stopim i kohës dhe moshës, ritual që ua kam “imponuar” edhe dy vajzave të mia, u është bashkëngjitur edhe një xhiro në Kurvelesh. Sot jam e lumtur, pasi ngjitja në këtë zonë është bërë më e lehtë (30 minuta duke shijuar udhëtimin), më fëmijë a pa fëmijë qofsh, me makinë të vogël a me fuoristradë.
Rruga Tepelenë-Kurvelesh brenda sezonit veror do të përfundojë tërësisht, aq sa plot shpresë jam që edhe rruga që lidh Kurveleshin me bregdetin do të përfundojë po aq shpejt. Jam gjendur në këtë zonë fantastike edhe në pragdimër e pranverë. Hera e fundit ishte këtë fundjavë. Në çdo stinë, Kurveleshi, përveç emrit sarkastik, ka një magji në vetvete, që të fton e të fton sa here shkon. Nuk ka asgjë tjetër të veçantë veç natyrës. As bujtinat nuk mund të them se janë joshëse. Aspak. Është ende një zonë në fillim të zhvillimit, në pikëtakimet e para me turistët vendës, se për të huajt akoma do të duhet shumë punë. Por është një fillim i mirë. Janë shumë pak bujtina, që mundohen të mirëpresin me çfarë kanë bujtësit. Mishi e bulmeti nuk mungon në tryezat e tyre. Por, a mjafton kjo? Aspak!
Turizëm nuk do të thotë që një fundjavë të vjen një grup i organizuar, deri në dhjetë vetë a diçka më shumë dhe kaq. Turizëm do të thotë ide, zhvillim, industri, punësim, njerëz, konkurrencë.
Të pesë fshatrat e zonës së Kurveleshit: Lekdushi, Progonati, Gusmari, Rexhini dhe Nivica, duke lënë pas Bënçën, ndihen ende të fjetura. Shumë pak banorë. Çdo ditë e më shumë në zonë po ngelet vetëm mosha e tretë. Po të rinjtë ku janë?! Të rinjtë plot ide, kreativitet, pasion?! Përgjithësisht në kryeqytet ose jashtë Shqipërisë. Por kush do ta zhvillojë këtë zonë pas përfundimit të segmentit rrugor Tepelenë—Kurvelesh—Borsh, i cili pritet të jetë një segment kyç për zhvillimin e Jugut? Sipas parashikimeve, për 50-60 minuta udhëtim, ditëve të verës, mund të shijosh bregdetin fantastik të Jugut, kryesisht Borshin, Qeparonë e zonat përreth, kurse mbrëmjeve freskinë e maleve të Kurveleshit. Personalisht nuk kam ndonjë lidhje të veçantë me këtë vend, por di që ajo çfarë më shtyn ta vizitoj shpesh është fakti që ndiej të njëjtën kënaqësi si herën e parë.
Në pranverë mund të shijosh byrekun me lakra të egra të mbledhura në fusha. Në fillim të verës, qershitë e kuqe e të verdha, të cilat mund t’i hash direkt nga pema; në vjeshtë mollët, gështenjat, lajthitë e arrat. Plantancione të tëra dhuratë nga e kaluara. Ndaj, nëse ke një fundjavë të lirë, mos ngurro të vizitosh Kurveleshin. Sot shijo natyrën e ato pak bujtina mikpritëse, me shpresën që nesër, falë ardhjes tënde të shpeshtë, kjo zonë do të zhvillohet më tepër, do të përmirësohet në shërbim, kuzhinë, hoteleri. Jemi ne që mund ta zhvillojmë këtë vend.
Nga Anila Mema