Lindita Luani
Mësuesja që ka gjithë fuqinë e magjinë për të ndryshuar botën

Në klasë të parë, këtu e tre dekada të shkuara, pësova shok tek pashë mësuesen e klasës së parë me një torbë rrjete mbushur me portokaj. Duhej patjetër të ishte një gabim gjithë ajo pamje sepse mësueset nuk mund të bënin gjëra të zakonshme si bërja e pazarit, larja e dhëmbëve apo bërja e byrekut. Për mua mësuesja ishte hyjni. Ajo ishte vetëm mësuesja e klasës që kishte lidhje veçse me korrigjimin e detyrave për pjesën e mbetur të ditës kur ne nxënësit e saj jemi në shtëpi.
Pikërisht kjo përqasje më erdhi ndërmend pasi mësova për Liljana Luanin, mënuesen që mëson fëmijët e ngujuar për shkak të gjakmarrjes në veri të vendit. Në një kohë kur e gjithë figuara dhe imazhi i mësuesit ka pësuar një krisje të madhe identiteti, gati në përçudnim, për arsye të ditura tashmë. Kështu Liljana jep një shembull sesi ende një mësues e ka fuqinë e magjinë për të ndryshuar botën. Me punën e saj, që prej pesëmbëdhjetë vitesh, në mënyrë krejt vullnetare, mëson vocërrakët përtej parmakëve të kangjellta, duke u kujdesur t’u përçoj jo vetëm dije.
Ajo hyn në çdo shtëpi që është në gjak, si një rreze dielli për të zbutur zymtësinë që ka pllakosur tej e tej nëpër. Mësuese Liljana nuk bën gjë tjetër veçse me shpirtin e saj solidar zëvendëson një për një, punën e dështuar të burokratëve dhe institucioneve përgjegjëse për ta trajtuar çështjen me prioritet. Një njeri i vetëm, me mbështetjen modeste të pak bashkëpunëtorëve mund të zbusë disi plagët në shpirtrat e pafaj të vogëlushëve të cilët falë saj nuk e humbin kontaktin me librin e mësimin.
Nga dera e jashtë është vetëm një realitet për të madh e të vogël mbetur në atë shtëpi: frikë e pasiguri për vetë jetën e dyshim për kërkënd që troket në derë. Ama me Liljanën puna nuk është kështu: edhe pse ajo viziton për të mësuar fëmijët e të dy shtëpive në gjak, puna e saj kthehet në një fushë të minuar edhe prej një fjale të pavend. Ajo nuk rresht kurrë së mbjelli dashuri në zemrat e brengosura, për të zbutur sadopak tmerrin për jetën që ka kapluar dhjetra familje. Ajo punon fort që këta fëmijë mos rreshtin së ëndërruari dhe të imagjinuari të një të ardhme të bardhë.
Fatmiresisht fëmijët e kanë imagjinatën e tyre një bekim të madh. Asqë nuk krahasohet me dijen dhe nxënien magjia e të rrokurit të botës përmes mendjes së një fëmije me ngjyrat e imagjinatës. Shpesh mendja e tyre krijuse lëvron shpenguar çdo situatë e nuk ka bosht shtjellor që mudn t’i mbaj të lidhur këta ëndërrimtarë të vegjël. Edhe në situatat më delikate dhe jo fort të mira ata gjejnë një arsye arratisjeje për t’i shpëtuar brengosjes. Hera-herës mjafton qoft edhe një cingërimë imagjinate që qielli t’i mbushet yjesh. Mjafon veçse një mësues, njw mwsuese si Liljana.