Linja e ndriçuesëve nga artizanët e “Motiv by Nji Mar Nji Mrapsht”
Linja e ndriçuesëve është një cikël krijimesh artizanale që gërshetojnë një sërë teknikash e materialesh, mbështetur në traditën më të mirë shqiptare, frymëzuar nga veshjet karakteristike të vendit tonë. Punuar nga artizanët e “Motiv by Nji Mar Nji Mrapsht”, nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, detajet e realizuara me dru, shajak e bojra vaji sjellin një pjesëz të veshjeve karakteristike e personazheve shqiptare që kanë krijuar identitetin tonë kombëtar ndër shekuj.
Kjo linjë suveniresh është konceptuar si një shkrirje e disa elementëve të trashëgimisë tonë kulturore me praktikat më të qëndrueshme aktualisht, që lidhen me krijimin ciklik e riciklimin. Një mbajtëse druri e ricikluar apo e realizuar me dru të ricikluar vishet me elementë të kostumeve tradicionale nëpërmjet pikturës. Qeleshja tradicionale prej shajaku vendoset në këtë kompozim mbi një llampë LED me efiçiencë të lartë energjitike.
Punimet janë funksionale e janë të përshtatshëm për t’u vendosur në
ambiente të ndryshme.