LUGA E ARGJENDTË – Misioni për rikthim të Sofrës Shqiptare

Sofrat janë padyshim dëshmi e rëndësishme në krijimin e kulturës, traditës dhe folklorit të një vendi duke përfshirë edhe mënyrën e përgatitjes së ushqimit tradicional. Rreth sofrës shqiptare gjithmonë janë mbledhur burrat dypëllëmbë mustaqe në biseda vatani, pushke e burrërie. Për këto sofra hapej dera për t’u rujt ndera, motit e për sa të jetë jeta.
Falë këtyre gostive kemi edhe sot tregimet e moçme të lëna gojë-pas-goje, kemi po ashtu zakonet e mikpritjes së fisme të mysafirëve, besimet e traditat që merrnin botëkuptim dhe zotim për vazhdimësi. Nga këto sofra janë ruajtur me sqimë e famatizëm tradita e gatimeve për mik e për zot, nga zonjat e shtëpisë dhe çupave që s’i ndanin nga futa për t’u mësuar atyre gjithë sekretet e erëzave të parajsës.
Shumë nga ata që jetuan pas 90-tën, e kujtojnë mirë metamorfozën shkel e shko, gati qesharake të identitetit për t’u përshtatur me botën e madhe aq shumë të dëshiruar. Fiksimi për të përthithur pa fré zakonet e jashtështetasve përçudnoi sjelljen tonë të zakonshme, të veshurin, të folurën, të ngrënit e gjithçka që na identifikonte.
U përbishtën kështu edhe kuzhina shqiptare, puna e bujkut, blektorit, bariut, baxhierint fshatarëve, e çdokush tjetër që jeta e kish lidhur me tokën dhe të mirat prej me vlera, teknika e njohuri të trashëguara brez pas brezi. Kësisoj u la në harresë fshati, zonat rurale që fare pak i njohin dhe i dinë.
Gjithë ky ngërç anadollak vlerash dhe identiteti ish therës për sytë dhe mendjen e Dhuratës që prej pak kohëve kishte shkelur Tiranën bashkë me familjen. Fati deshi të angazhohej me një organizatë të sektorit të mjedisit rural në vitin 2012 ku angazhimi në zona rurale e bëri të dihaste ajrin e një Shqipërie tjetër. Atë të skutave të virgjëra, të bukurive magjepsëse të natyrës, ushqimeve të gatojcave me dialekte të harruara, bimëve të egra të gjetura gërxheve apo farave të moçme të kopshtajave, ruajtur plevicave në katunde.
Me pasion për ushqimin, Dhurata hulumtoi fillimisht fshatrat e kargëta në Dibës, ato përqark Shkodrës, Korçës, Peshkopisë, Vlorës duke zbuluar produkte të rralla që askush në qytet nuk e dinte se ekzistonin e as më pak t’u jepnin vlerën e mohuar. Dhurata u vu në gjueti të produkteve autoktone nga duart e fermerëve të vegjël e atyre produkteve të egra mbledhur nga vendarë pyjeve, bjeshkëve dhe maleve me thepa.
Me to filloi të gatuante për familje e miqtë e të ndante përvojën në të cilën ishte kredhur me krye. Pasionin e gatimeve e ndau edhe me të panjohur përmes shkrimeve të përditshme tek Shqiptarja.com.
Interesi i lartë bëri që Dhurata t’i dedikoj në rrjetet sociale një hapësirë “tokës së re” të zbuluar prej saj. Kështu lindi “Luga e Argjendte”. Bashkë me të lindën dhe ndjekësit e etur për të zbuluar Shqipërinë përmes Dhuratës por edhe se ku ndodhej restoranti saj.
Nuk kishte në fakt një restorant veçse gatimet e Dhuratës fotografuar nën dritën e rrezeve të para të agimit në dritaren e kuzhinës së saj. Në fakt një restorant të tipit “bistro” për francezët apo “tratorisë” për italianët do të ishte një ide fantastike për të krijuar gatime me përbërës 100% shqiptar.
Ishte viti 2012 ku me idetë e qarta dhe guximin dhe vetëdijen për këtë rrugëtim kundra rrjedhës, Dhurata perceptoj një restorant të vogël mobiluar me tulla të vjetra e ripërdorjen e tubave hidraulikë si dekor. Nisi tregetimi i produkteve të para si çajra, reçelra, verë, vaj ulliri, dhe produkte të brumi si makarona dhe trahana.

Mënçuria e gjysheve dhe nënave tona por dhe ajo e gjyshëve dhe baballarëve kanë bërë që gjithë ajo gurë të mbëtrijë tek ne për të na frymëzuar.
Kjo trashëgimi historike, bujqësore dhe ushqimore, na jep mundësi ne brezave të rinj të ruajmë biodiversitetin lokal dhe kombëtar duke i dhënë kështu ushqimit të trashëguar forma të reja, pa humbur thelbin (palcën që mban gjallë kockën e memories së shijes).
Kuzhinierët, bujqit, por dhe ne si bashkëprodhues (konsumatorë, por që e urrej si fjalë) jemi ata që me zgjedhjet tona përcaktojmë zgjidhjet e qëndrushme të jetës së Tokës mëmë!
Dhurata Thanasi Deneri