Mama, baba! Flisni me fëmijët dhe mësojini të reagojnë ndaj bullizmit!

Kam qenë në gjimnaz kur kam dëgjuar fjalën “bullizëm” për herë të parë. Jo se nuk isha përballur me fenomenin, por emri vonë u bë i njohur. Për ne, si fëmijë, konsideroheshin talljet e ngacmimet e fëmijëve. Dhe ah! E di mirë këtë pasi kam vendosur syze që në klasë të parë (viti 1996). Me kohën, përdorimi i syzeve nga tallje u kthye në aset, personifikonte zgjuarsinë.
Ndër vite kam qenë jo pak herë dëshmitare e formave verbale të bullizmit, pak te vetja dhe kam vëzhguar plot tek të tjerët. Dhe duke u rritur gjithnjë e më tepër si fenomen, mendoja gjithmonë “Po fëmijët e mi?” Derisa kjo kohë erdhi dhe ti si prind ngre shpatullat e thua “Ç’mund të bëj?” Je përballë dy situatave, ta ndihmoj/ndërhyj apo ta lë të zhvillojë vetëaftësinë të përballet me situatat (mami/babin s’mund ta ketë pranë gjithmonë).
Nga eksperienca ime me Orhanin i cili ka përjetuar situata të vogla të tilla që në çerdhe, e kemi këshilluar që, e para të na tregojë gjithmonë çdo gjë që ndodh. Komunikimi është padyshim thelbësor në përballjen e situatave të mëvonshme në jetë. Dhe e dyta, të reagojë. Kurrë me dhunë. Por me fjalë. T’u përgjigjet kujt i flet. Dhe gjithashtu, të adresojë shqetësimin e tij personave të rritur dëshmues në ato momente.
Ja si rasti në këtë video, ku Orhani si një Rudolph me hundën e tij të kuqe mori “vëmendjen” e thirrjeve të fëmijëve në kopësht. Prindër, jini pranë fëmijëve që kur janë të vegjël dhe nxitini të flasin hapur me ju. Bullizmi është fenomen tejet negativ, me pasoja afatgjata në psikologjinë e fëmijës dhe duhet të gjejmë forma se si ta menaxhojmë (se shmangur është e pamundur). Komunikim mama, baba! Flisni me fëmijët dhe mësojini të reagojnë.
Mësojini se nuk është sjellje normale, as e hijshme, as e pranueshme. Më mirë të rrisim “rebelë” se sa “kokëulur”.
Nga Deada Hyka