Mbani vesh ç’thonë “Maniakët e Librit” për librat që duhet t’i lexoni patjetër.
Maniakët e Librit lindi natyrshëm, si rrjedhojë e një marrëdhënieje të ngushtë me librin dhe dashurisë për të. Dëshira për t’u marrë me diçka, e cila përtej përfitimeve do të më jepte dhe luksin që ta bëja më pasion dhe ta dashuroja, flinte te libri. Nuk është nisur mirëfilli si një projekt-ide biznesi, por më shumë si motiv për të krijuar një komunitet ku ndajmë me njëri-tjetrin sugjerime, ide dhe këshilla mbi librin. Një shtëpi virtuale ku çdonjëri gjen veten si lexues. Doja të krijoja diçka speciale që puna dhe përkushtimi do të përcaktonin ecurinë e suksesin.
Në pamundësi për të qenë vazhdimisht afër lexuesve dhe miqve, të cilët bëhen shkak që të lexojmë dhe të përmirësohemi nëpërmjet leximit të librit, kjo faqe virtuale, në një kohë kur jeta është shumë dinamike, arrin të përçojë te miqtë, të rejat më të fundit rreth librave. Botimet e fundit, përshkrime e komente nga ne e nga miq të ndryshëm, oferta dhe çmime, vijnë çdo ditë në faqen “Maniakët e Librit”.
Momentet kur shumë miq dhe mikesha na shkruajnë se janë frymëzuar nga kjo dritare që të fillojnë të lexojnë, janë pa diskutim nga më të gëzueshmet.
Andaj, kur vjen fjala për sugjerime, sigurohemi që të bëjmë ato të duhurat, duke mos marrë aspak parasysh çështjen e përfitimit.
Që të japësh sugjerimin e duhur, duhet edhe ta njohësh pak lexuesin.
Por disa libra hedhin një themel të shëndoshë për vazhdimin e leximit dhe ndërtimit të një strukturë të fortë për të ardhmen.
Imagjinata dhe arsyeja janë dy nga gjërat që duhet të jenë gjithnjë në veprim.
Imagjinata shkel rrugën që do të përshkojmë përmes arsyes, dhe filozofia e historia janë thelbësore për të hedhur themele të shëndosha.
Më poshtë, edhe pse është shumë e vështirë të japësh pesë sugjerimet më të mira, sepse librat janë si pjesë që plotësojnë njëra-tjetrën, do të guxojmë të sugjerojmë:
1-Bota e Sofies, Jostein Gaarder
Ky roman, në qoftë se do të quhej i tillë, nga autori Jostein Gaarder, është një rrugëtim filozofik nga lashtësia deri në kohët e sotme. Ajo çfarë e bën tërheqës dhe sugjerim të parë, është forma në të cilën e ka zhvilluar autori. Libri vjen në formën e një seminari le të themi, ku një i panjohur merr përsipër që me anë të letrave t’i shpjegojë një vajze si lindi mendimi filozofik, si evoluoi ndër vite, shkollat e mendimit filozofik etj.
Është i rrjedhshëm dhe nuk të mundon. Kështu krijon një ide të përgjithshme se si lindi dhe u zhvillua mendimi filozofik.
2-Meditimet, Mark Aurel
Kjo përmbledhje e perandorit të urtë romak Mark Aurelit, është një nga librat më të rëndësishëm në historinë e mendimit. Një libër plot urtësi dhe mësime jete. Këshilla, mësime mbi çështje delikate të shoqërisë, familjes, politikës, moralit dhe shtetbërjes.
Libri vjen në formë përmbledhjesh, përkufizimesh dhe reflektimesh mbi çështjet e sipërpërmendura. Një shembull unik i një burri shteti filozof.
3-E pafilozofuara, Hasamedin Feraj
Ky libër nga Hasamedin Feraj, është ndër esetë më të goditura që është prezantuar nga një autor shqiptar për shqiptarët.
Të filozofosh atë çka shqiptarët hezitojnë ta filozofojnë ose i kemi filozofuar tashmë të gjitha dhe, kur vjen puna te historia e filozofia, gjithmonë e kemi një përgjigje gati.
Profesori rrëzon në mënyrë të pamëshirshme çdo idhull në kokën e shqiptarit dhe e ul atë me këmbë në tokë. Reflektime mbi atë pse jemi këtu ku jemi. A kanë filozofuar ilirët? Nëse po, ne me sa duket nuk jemi pasardhës të tyre. A kanë pasur ilirët shtet të madh dhe të fortë? Atëherë pse s’e kemi dhe ne?
Një kritikë historianëve që për çdo pyetje kanë një përgjigje gati.
Shqiptari si qenie hobsiane dhe darviniane. Ne jo vetëm mbijetuam. Trajtim i çështjes së lirisë nga perspektiva e shqiptarit.
Një libër i vogël që peshon shumë.
4-Të mjerët, Viktor Hygo
Një nga veprat e preferuara të Viktor Hygosë.
E vlerësoj shumë këtë vepër, sepse në të njeriu kalon në të gjitha sfidat dhe sukseset që jeta sjell. Ka në të çështje shumë esenciale mbi të drejtën dhe gjykimin, të drejtën morale dhe atë ligjore. E sugjerojmë sidomos për studentët e drejtësisë.
Një tablo kaq dinamike dhe e larmishme, ku njeriu që prodhon mjerim është si një thikë me dy presa, i rrezikshem si për vete, edhe për shoqërinë.
Një rrugëtim që frymëzon dhe, mbi të gjitha, edukon.
5-Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet, Sami Frashwri
Besoj një nga esetë më të fuqishme që para themelimit të shtetit shqiptar, që mbetet po aq e fortë edhe sot. Ajo çka e bën të rëndësishme është pikërisht pjesa e tretë, “ç’do të bëhet”.
Vizioni dhe projektet afatgjata janë disa prej gjërave që na kanë munguar që nga fillimi i të bërit shtet. Autori, Sami Frashëri, na fton të mendojmë për diçka shumë jetike dhe thelbësore për një shtet: vizionin. Në këto njëqind e pak vite kuptojmë se shoqëria jonë nuk ka prodhuar ende institucione që arrijnë të merren me projekte të mirëfillta kombëtare për shekullin e ardhshëm. Prandaj frymëzimi i brezit tonë mbi domosdoshmërinë e një vizioni të qartë dhe edukimi me këtë ide, e fut librin në listën e atyre që duhen lexuar patjetër.
Ju falënderojmë dhe shpresojmë që sugjerimet tona t’ju kenë frymëzuar sadopak!
Nga Adriatik Kurti