Mbetjet urbane – Kjo sfidë e madhe për vendin tonë
Një nga sfidat e zhvillimit të mjedisit me të cilat ballafaqohen sot qytetet ka të bëjë me menaxhimin e mbetjeve të ngurta dhe të lëngëta.
Por çfarë janë mbetjet urbane? Mbetjet urbane përfaqësohen nga një grupim i madh mbeturinash që prodhohen nga jeta e përditshme, aktiviteti ekonomik dhe nivel shoqëror ekonomik. Ato janë kështu imazhi i zhvillimit ekonomik, shoqëror e kulturor i një shoqërie te caktuar. Për të karakterizuar këtë imazh, shkrimtari italian Luçiano De Kreshenco e përkufizonte kështu “Më tregoni çfarë lloj mbeturine ju prodhoni t’ju tregoj se cili jeni”.
Në këtë kategori përfshihen mbeturinat shtëpiake (mbeturinat e kuzhines, orendi të vjetëruara, pajisje elektro-shtëpiake, ambalazheve të mallrave të konsumit, mbeturina të veshmbathjes, mbeturinat shtazore, mbeturina të kopshtit) mbeturina nga qendrat tregtare, të artizanatit (zyra hotele, shkolla, bar-restorante) të përziera me ato shtëpiake.
Gjithashtu futen dhe mbeturina të hapësirave publike (rrugëve, tregut, kanaleve, hapësirave të gjelbërta) ose ndërtimeve publike (administratë, shkolla, spitale(tepër të rrezikshme). Mbetjet urbane (të ngurta) konsistojnë kryesisht në përzierje të mbetjeve ushqimore, të letrës,kartonit, qelqit, metaleve, drurit, gomës, plastike dhe tekstile.
Më tepër se 30% e mbetjeve të ngurta urbane përbëhet prej paketimeve dhe 40% e kësaj te fundit përbëhet prej plastike. Për shkak të jetëgjatesisë së mbetjeve plastike që hidhen përbën një problem të madh për çdo organizëm të gjallë.
Në mënyrë direkte ose indirekte, mbetjet ndikojnë negativisht në mjedis, shëndet dhe ekosistem, ato janë barrë për planetin Tokë. Menaxhimi i mbetjeve urbane është përgjegjësi madhore për qeverisjen lokale dhe atë qëndrore është një angazhim kompleks që kërkon kapacitet organizimi të përshtatshme brenda sektorit Publik-Privat.
Sot vendi jonë arrin të riciklojë janë me shumë se 15% të mbetjeve të gjeneruara, shifër që vjen jo prej ndarjes në burim. Në masë më të lartë, gati 95% arrijnë të riciklohen metalet. Qelqi gjithashtu ka një përqindje të lartë riciklimi.
Plastika dhe letra janë nivele minimale (sipas raporteve të Komisionit Evropian). Rreth 85% e mbetjeve të ngelura pas riciklimit i nënshtrohen landifill-imit, groposjes, derdhjes në vend depozitime të paligjshme, dergjes në lumenj për të përfunduar në det, djegie në qiell të hapur.
Shqetësim real ngelet ende mungesa e theksuar e venddepozitimeve, si dhe gazrat e rrezikshme që emëtohen ne ajër nga mbetjet. Groposja e mbetjeve ngelet ende në Shqipëri metoda më e përdorur, por kjo jashtë çdo standarti edhe me legjilacionin shqiptar, dhe larg atyre evropiane. Në Shqipëri, iniciativat për trajtimin e mbetjeve me rikuperim energjie, nuk janë akoma realitet i prekshëm.
Artenisa Hoxha (Inxhiniere Mjedisi)