Mbi martesat mes vajzave shqiptare dhe burrave serbë / Një studim nga Dr. Olta Murataj
Olta Murataj është njëra nga ato gratë e rralla që sapo e takon të përcjellë një soj maturie të admirueshme! Shpesh duket edhe si një libër i fisëm, prej të cilit mund të nxësh shumë dituri e urtësi! Olta studimet themelore i ka ndjekur në Universitetin e Tiranës, ku ka studjuar “Gjuhë dhe Letërsi Shqipe” si dhe “Letërsi të Krahasuar” në nivelin Master. Më pas, ajo largohet nga Shqipëria, për të vazhduar studimet doktorale në Hacettepe University – në një shkollat më të mira të Europës. Rikthimi në Shqipëri nuk qe vetëm shpërngulje gjeografike apo lëvizje simbolike për vajzën nga Tropoja, përkundrazi dr. Olta Murataj erdhi për t’i falur një shërbim të jashtëzakonshëm kërkimit shkencor në Shqipëri, pra një punim shkencor 300 faqesh, për të cilin veçmas prof. Artan Fuga patë shkruar se bëhet fjalë për një trajtesë akademike të rrallë, të një problemi sa sociologjik, aq edhe gjeostrategjik për vendin tonë.
Olta, emri yt shpesh na sjell ndërmend intervistën e shkëlqyer që ju dhe prof. Artan Fuga realizuat kohë më parë mbi gjetjet e punimit tuaj të doktoraturës. Një kërkim shkencor prof. Fuga e ka vlerësuar tej mase. Fillimisht, për lexuesin më pak të njohur me një të tillë çështje, mund të shpalosësh disa detaje mbi martesat shqiptaro – serbe?
Martesat mes kulturave të ndryshme kanë qënë shumë të rralla dhe shpesh të padëshiruara nga shoqëria pasi vazhdimisht është preferuar martesa homogjene, martesa me “tjetrin” që është i ngjashëm në kulturë, në nacionalitet, racë, besim, apo në statusin socioekonomik. Në Shqipëri, martesat mes grave dhe burrave shqiptarë me partnerë jashtë Shqipërisë, i ka fillesat pas rënies së sistemit komunist. Fillimisht, martesat e grave shqiptare me burrat grekë, italian e më vonë me burra me kombësi të ndryshme filluan të kthehen në fenomen normal. Në më shumë se dhjetë vitet e fundit burra nga Maqedonia, Mali i Zi, ashtu si dhe Shqiptarë të Kosovës filluan të martohen me gra shqiptare nga qytete të ndryshe të Shqipërisë. Përkatësisht, martesat e grave shqiptare me burrat serb, unë i cilësoj, martesa të orientuara nga individë të caktuar që kanë marrë përsipër rolin e shkuesit (mblesit) tradicional dhe nga agjensitë martesore. Pra, nuk është një kërkesë personale e palëve por është “treg martesor” i iniciuar nga aktorë të jashtëm.

Atëherë, përse martohen vajzat shqiptare me burrat serbë? Cilat janë shkaqet që rëndom i shtyjnë këto gra drejt një vendimi të tillë jetësor?
Bazuar nga rrëfimet e pjesëmarrësve burra dhe gra, kam arritur të veçoj arsyet thelbësore që kanë shtyrë palët të kalojnë kufirin në kërkim të partnerit të jetës. Këto arsye janë të rënditura sipas frekuencës së përsëritjes nga çdo pjesëmarrës. Sipas burrave serb janë: (1) mungesa e vajzave në vendin ku jetojnë, (2) refuzimi i grave serbe të martohen dhe të jetojnë në fshat, (3) “e dëgjuar nga të tjerë” se gratë shqiptare janë gra të lidhura me shtëpinë, që krijojnë familje, bëjnë mbi dy fëmijë, kujdesen për bashkëshortin dhe familjen e tij, pranojnë të jetojnë në fshat, bëjnë punët brenda dhe jashtë shtëpisë, nuk kanë shumë pretendime dhe nuk shpenzojnë shumë para, (ç) mosha e tyre për tu martuar, (5) nevoja për të krijuar familje, (6) dëshira për të pasur fëmijë dhe, (7) frika e të plakurit vetëm.
Ndërsa arsyjet që shtyjnë vajzat Shqiptare të pranojnë kërkesën për martesë: (1) mosha e martesës (në vendet rurale mosha është një faktor i rëndësishëm në martesën e vajzave; pas moshës 25-vjeçe kërkesat për martesë ulen shumë), (2) frika se mos mbesin në shtëpi “vajzën që nuk e mori askush” ose “lënesha” (3) mungesa e djemve Shqiptar (boshatisja e zonave rurale nga të rinjtë sidomos nga djemtë), (ç) martesa si detyrim social sepse “vajza duhet me e gjetë shtëpinë e sajë”, (5) jetesa në fshat pa prespektivë (martesa vjen si një mënyrë për tu arratisur) (6) duke menduar se do jetojnë jashtë Shqipërisë krijojnë mendimin e një jete më të mirë, me kushte ekonomike më të larta, (7) kurioziteti për të parë një kulturë të re (8) shtysa që vjen nga familjarët dhe rrethi shoqëror.
Sa raste të tilla ke studiuar dhe në cilat zona janë më të përqëndruara këto gra: fshat apo qytet?
Në këtë studim janë realizuar intervista të thelluara me ç2 gra dhe 31 burra, në total 73 individë, ndër ta 30 janë çifte (për arsyje të ndryshme, nuk ka qënë e mundur që për çdo të intervistuar grua të jetë pjesë e studimit dhe bashkëshorti ). Rastet studimore, janë kryer në Jugperëndim të Serbisë, rajon ky që në periudha të ndryshme historike është njohur me dy emërtime Rashka dhe Sanxhak (Raška dhe Sandžak) – në gjashtë komuna Novi Pazar, Sjenica, Tutin, Priboj, Prijepolje dhe Nova Varosh, qytetet e të cilave mbajnë të njejtët emra. Intervistat janë kryer në komunat më përqendrim më të madh të këtyre martesave si, në Sjenicë (në nëntë fshatra të kësaj komune), në Novi Pazar (në një fshat) dhe në Tutin (në tre fshatra), përveç dy intervistave që janë realizuar në qytetin e Jagodin-ës dhe Kraljevo. Gratë shqiptare të martuara atje, kryesisht janë nga Veriu i Shqipërisë, me përjashtim të disa rasteve nga Shqipëria e Mesme.
Këto martesa a janë ekonomikisht të motivuara apo vijnë si shtrëngim?
Paraja .. është diskutuar shumë për paranë kur flitet për këto martesa. Ky ka qënë ndër intereset e mia të veçanta gjatë kohës në terren. Nga rrëfimet e burrave Serb, ata tregojnë se, kanë paguar shuma të caktuara parash ndërmjetësuesin për punën që u ka bërë. Sipas tyre, këto para ndërmjetësi i justifikon me harxhimet që bën duke lëvizur për të gjetur nusen kandidate, me përgatitjen e dokumentave martesore nëse arrihet dakortësia, dhe me një shpërblim që mund t’i takojë për lodhjen. Familjet e grave Shqiptare nuk marrin asnjë para, përveçse rastet kur bëhet fejesë dhe kandidati për burrë le një shumë parash në tabakanë e kafes. Pjesa më e madhe e çifteve kanë bërë dy dasma, familja e vajzës ka bërë dasëm sipas traditave shqiptare në Shqipëri dhe familja e djalit sipas traditave të tyre në Serbi.
A i njohin ato burrat e ardhshëm ose thënë ndryshe si ndodhë takimi / njohja mes tyre?
Nga informacionet e përfituara nga studimi në terren kam kuptuar se, këto martesa, kanë filluar në vitin 2006 dhe deri në vitin 2018 kanë qënë në vazhdimësi, më tej nuk jam në dijeni si mund të kenë vazhduar. Kuptohet se, ka qënë një grua, e cila i ka nisur martesat Shqiptaro-Serbe, dhe paçka dëshirës dhe tentativës time për ta takuar, me qëllim krijimin e një mendimi sesi ka lindur ideja tek kjo grua për fillimin e martesave të tilla, ka qënë e pamundur. Por, nuk është e vetmja që ka bërë ndërmjetësime të martesave të tilla, pasi ndër vite shumë persona janë bërë pjesë e bashkimeve martesore Shqiptaro-Serbe.
Martesat e para i ka nisur ndërmjetësuese “V.” (për të ruajtur identitetin e sajë e kam paraqitur me inicial), e cila ka bërë shumë martesa të tilla (numri i saktë nuk dihet), e me të cilën fillon historia e martesave Shqiptare-Serbe. Sipas rrëfimeve të grave që martesat e tyre janë ndërmjetësuar nga “V.”, kam arritur të kuptoj se kjo ndërmjetësuese në shumë raste ka fshehur të vërtetën për origjinën e burrit kandidat dhe vendin ku do jetojnë (shpesh duke u thënë se burri është Malazes dhe se do jetojnë në Tuz ose Podgoricë), për kushtet e jetesës, për cilësitë e burrit kandidat, për familjarët e bashkëshortit që do jetojnë me të, për tokën dhe bagëtinë që do kenë. Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së komunikimit të të dy palëve mes tyre dhe ndërmjetësuesja ka kryer edhe rolin e shkuesit por edhe të përkthyesit duke e sajuar situatën sipas përfitimeve të sajë.
Organizata Humanitare Stara Rashka (Stara Raška) e themeluar në vitin 2000 nga z. Vojin Vuçiçeviç (Vojin Vučićević) me qendër në Beograd, krahas aktiviteteve humanitare që zhvillonte në Serbi, fillon bashkëpunimin me agjensinë martesore “Maruel 2008 & Co”, të themeluar në vitin 2008 në Shkodër nga z. G.GJ. Ky bashkëpunim i organizuar mirë për nga mënyra sesi gjenden kandidatët në të dy anët e kufirit, si takohen, si kryhen të gjithë hapat nga momenti i parë deri në kohën kur vajzat Shqiptare hyn nuse në familjen Serbe, ka sjellë krijimin e shumë çifteve Shqiptaro-Serbe. Sipas organizatorëve, me të cilët jam takuar disa herë, kanë deklaruar se, agjensia e tyre martesore ka kryer mbi 500 martesa mes grave Shqiptare dhe burrave Serb. Me bisedat që kam pasur me z. Vuçiçeviç ai është shprehur se, ky bashkëpunim me agjensinë martesore nga ana Shqiptare nuk ka ardhur si një interes në përfitim të organizatës së tyre, por është parë si një program me interes kombëtar që ti shërbente zonave rurale të Serbisë, të cilat janë drejt shpopullimit.
Në grupin e tretë kam klasifikuar “martesat nga të njohurit dhe zinxhirë”. Këto janë martesa ku ndërmjetësuesi është një person i afërt/i njohur për familjen e vajzës ose për vetë vajzën që mund të jetë, një komshi, kushëri, motër, vëlla, shoqe, kumbari i shtëpisë ose vetë gratë e martuara atje që kanë tërhequr njëra-tjetrën. Rrëfimet e grave të klasifikuara në këtë grup mbajnë një ngarkesë të madhe emocionale.
Në grupin e katërt “ndërmjetës të ndryshëm”. Sa më shumë raste që tako, aq më shumë fillojnë të ndryshojnë emrat e ndërmjetësuesve. Në një fshat, thuajse të gjitha martesat ishin ndërmjetësuar nga një person i vetëm, që në studim për të ruajtur identitetin e tij kam përdorur për të emrin “Paul”. Këta janë mekanizat që kam mundur të identifikoj si mënyra të përdorura për ndërtimin e urës lidhëse mes çifteve Shqiptaro-Serbe. Në pamundësi për tu zgjatur më shumë, detajet sesi veprohej, të shoqëruara sëbashku me rrëfimet e pjesëmarrësve jepen në studimin tim.
Sa është diferenca mes partnerëve dhe a kanë martesa paraprake të dyja palët?
Diferenca në moshë mes këtyre çifteve është 15 vite, kurse, mesatarja e jetës martesore nga koha e intervistave 8 vite. Nga të intervistuarit burra, asnjë prej tyre nuk ka qënë më parë i fejuar apo i martuar, ndërsa, gratë, njëra prej tyre më parë e fejuar dhe një tjetër e martuar, ndërsa të tjerat deklarojnë se nuk kanë pasur një fejesë apo martesë të mëparshme.
Zakonisht si e ndërtojnë jetën këto çifte; sa fëmijë kanë, cilën gjuhë flasin fëmijët, a jetojnë veçmas apo me familjarë të tjerë?
Nga gratë e intervistuara, nga koha kur është bërë ky studim, 6 prej tyre nuk kishin fëmijë, ndërsa të tjerat kishin mesatarisht nga 3 fëmijë secila, gjithsej, nga këto martesa kishin ardhur në jetë 92 fëmijë. Këto çifte nuk kanë krijuar familje më vete, por kanë nisur jetesën në familjet e bashkëshortëve serb, kryesisht me prindërit e tyre, e shpesh edhe me vëllezërit apo motrat e bashkëshortit. Nëse me familje bërthamë do i referohemi burrit, gruas dhe (nëse kanë) fëmijëve, nga ç2 gratë pjesëmarrëse, nga koha e këtij studimi, 17 prej tyre jetonin në familje bërthamë (një pjesë e tyre e kishin nisur jetën të paktën me njërin nga prindërit e bashkëshortit, por që ishte ndarë nga jeta); dhe 25 prej tyre jetonin me bashkëshortin, fëmijët, prindërit e bashkëshortit (të paktën me njërin nga prindërit) dhe disa raste me vëllain/motrën e bashkëshortit.
Gjatë vitit të parë këto gra në çdo ditë të jetesës së tyre janë në një proces të pandërprerë mësimi, përthithje dhe përvetësimi të çdo gjëjë që shohin, që dëgjojnë dhe përjetojnë. Veçanërisht, tre muajt e parë janë jashtzakonisht të vështirë, pasi komunikimi me fjalë nuk ekziston, vetëm me shenja, me të prekur, dhe me gjeste. Pas muajit të tretë, fillojnë të mësojnë fjalë të objekteve, të ushqimeve, fjalët përshëndetëse, ose ndërtimin e fjalive të shkurtra. Sipas grave pjesëmarrëse, pas muajt të gjashtë ato fillojnë të kuptojnë, por duhet një vit (deri në një vit e gjysmë) që të fillojnë të flasin pa vështirësi. Sipas pjesëmarrësve çdo gjë fillon me “tregoj” dhe “shkruaj”. Burrat shprehen se, fjalët e para që u’a kanë mësuar bashkëshorteve kanë qënë objekte në shtëpi dhe më shumë fjalë që lidhen me kuzhinën. Sipas tyre çdo gjë fillon me “prek objektin” dhe “shkruaj”.
Me mësimin e gjuhës gradualisht nis dhe procesi i adoptimit. Gratë fillojnë të kuptojnë dhe të njohin familjarët më të cilët jetojnë, fillojnë të njohin bashkëshortin me të cilin ndajnë shtratin, fillojnë të kuptojnë bisedat familjare, të shkëmbejnë biseda me komshijtë, dhe të bëjnë pazarin e shtëpisë. Pra, është gjuha që i lidh me vendin, i bën të kuptojnë botën rreth tyre. Gjuha e folur dhe e përdorur brenda në familje është vazhdimisht gjuha Serbe.
Si janë marrëdheniet e këtyre grave me familjet e burrave?
Pas kapërcimit të barrierës gjuhësore marrëdhënia me familjarët e bashkëshortit fillon të marrë trajtë. Një pjesë e tyre shprehen se nënat e bashkëshortëve u janë gjetur afër duke i ndihmuar me punët brenda shtëpisë, duke i mësuar e këshilluar, e po ashtu duke u dhënë dorë dhe në rritjen e fëmijëve. Me familjarët në tërësi dukej se marrëdhëniet mes tyre ishin të ndërtuara mbi bazën e respektit reciprok, qoftë të grave shqiptare ndaj familjarëve të bashkëshortit, e qoftë nga ana e burrave serb për familjarët e grave shqiptare. Mbase mungesa e komunikimit mes familjeve i mban marrëdhëniet në të njejtin nivel, as nuk i afron dhe as nuk i shkëput.
A duken të lumtura ato? Nëse nuk janë, të paktën a duken? A e kanë gjetur ato jetën që u është premtuar?
Këto nuk janë martesa që u përngjajnë historive romantike të dashurive moderne. Mund të them se, shumë nga ne, njohim raste të martesave të tilla ku shpesh individët nuk gjejnë çfarë u premtohet apo pritshmëritë e tyre nuk realizohen. Në rastin e këtyre martesave ku individët i bashkon qëllimi i përbashkët i krijimit të familjes dhe dashuria mbetet proces që mund të gjejë zhvillim gjatë jetës bashkëshortore nuk e di sesa mund të mendohet apo të shkruhet për lumturi. Kësaj unë jam përpjekur t’i përgjigjem duke ndërtuar një situatë kundërfaktike me pyetjen “nëse këto gra do të ishin martuar në fshatra të ndryshme të Shqipërisë, si do të kishte qënë jeta e tyre?”.
Nga ato çfarë unë kam parë në terren dhe nga çfarë kam dëgjuar prej tyre më ka bërë të mendoj se niveli i jetesës do të kishte qënë i njejtë, e mbase më i ulët. Sigurisht, një martesë në Shqipëri do të kishte kursyer paragjykimet që u është dashur të kapërdijnë sa herë kanë kaluar kufirin për të hyrë në Shqipëri, paragjykimet nga shoqëria shqiptare të shprehuara nga individë rastësor në rrugë e deri tek ata virtualët në mendia, paragjykimet nga shoqëria në vendin ku janë martuar, do kishin kursyer vështirësinë që kanë kaluar për të mësuar gjuhën, sakrificën që u është dashur të kalojnë përgjatë procesit të adoptimit me kulturën dhe besimin fetar, e po ashtu distancën gjeografike me shtëpinë e tyre.
I gjithë ky proces ka zgjatur afërsisht dy vite, por pas vitit të dytë jeta ka filluar të hyjë në rrjedhën. Mësimi i gjuhës dhe lindja e fëmijëve janë dy faktorë shumë të rëndësishëm që i bën ato të fillojnë të lëshojnë rrënjë brenda shtëpisë së bashkëshortit. Ndaj dhe mendimi im se jetesa e tyre do të kishte qënë në të njejtat nivele niset kur mendoj “dy vite pas-martesore” të kaluara në Serbi prej tyre. E me nivel jetese kam parasysh kushtet e shtëpisë ku jetojnë, bagëtinë që kanë, tokat dhe makineritë që përdorin për blegtori, çfarë i kam gjetur të jenë shumë më mirë se në fshatrat shqiptare.
A duken të lumtura? Janë të pajtuara me fatin që kanë pasur. Pyetjes se “a do ta kishin bërë sërisht këtë martesë nësë do ktheheshin dhe një herë pas” thuajse të gjitha i janë përgjigjur, jo. Për arsyjet që u shkruajtën më sipër, sidomos për vështirësinë që kanë jetuar nga mungesa e gjuhës.
E di, një studjues duhet të jetë përherë i ftohtë përgjatë hulumtimeve që kryen, por për hatrin e së vërtetës, ti si grua, si u ndave prej këtyre takimeve? C’emocione e kujtime ruan nga puna e realizuar në terren?
Kjo pyetje mund të ishte intervistë më vete sepse ajo kohë në terren më ka ndarë në dy individë; njëri që mundohej të ishte i ftohtë, të mos ndikohej emocionalisht nga situatat, dhe tjetri emocional që zakonisht ngjallej brenda meje kur largohesha nga terreni. Kam vërtetë kujtime të bukura, imazhe fytyrash, orendi shtëpiash, përqafime, aromë ushqimesh që i kam marrë me vete në kujtesë.
Nëse do të përgjigjesha për hatrin e së vërtetës, ashtu siç më ke pyetur, sakrifica që këto gra kanë kaluar për të pasur familjen që kanë sot, mua më ka tronditur thellësisht shumë. Mendo sikur në një moment të të humbasë dëgjimi. Mendo sikur në një moment të humbasësh rrugën dhe të ecësh pa e ditur ku je duke shkuar. Mendo sikur për një moment ke hapur sytë dhe nuk di sa larg je prej shtëpisë. Mendo sikur për një moment shoqëria të cilës ti i përket të ka linçuar. Mendo sikur për një moment dikush të të kërkonte të braktisje identitetin tënd. Ti veçse i rrëshqite sytë mbi këto fjali që nuk të morën as një minutë nga jeta jote për t’i lexuar; e madje mendimi yt nuk ndaloi as t’i mendojë si situata që mund të të ndodhin ty sepse duken sikur një shkrimtar i ka fantazuar për karakteret e tij surreale. Por, të vendosësh veten në vendin e këtyre grave duhet të mendosh pikërisht këto.
Përtej kësaj, ruaj kujtime shumë të bukura. Ishte e vështirë të fitoje besimin e tyre, por nëse kjo ndodhte ato të hapnin shpirtin me shumë çiltërsi. Unë kam hyrë në shtëpinë e secilës çfarë më ka mundësuar të shoh adete të ndryshme të pritjes së mikut, ku më specifiku ishte një gotë ujë e shoqëruar me dy kuba sheqer ose me pak mjaltë dhe pas kësaj kafja turke që ato e bënin në filxhan të madh dhe pa sheqer. Detaje të tilla ka plot por duhet rrëmuar në kujtesë për t’i nxjerrë.
Bisedoi Fjolla Spanca