Me mërgimtarët!
Nuk ka rrugë më të dashtur në jetë sesa ajo që të kthen tek sofra e nënës a te oxhaku i babës! Fundja, kush njëherë e ka provu, larg folesë me jetu, sot e mot ëndërron të dashurit, me i taku! Me ta, me u çmall duke u shtrëngu!!
Dje, rrugët e Kroacisë u përgjakën prej një aksidenti që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit. Një autobus me 65 udhëtarë, saktësisht 62 mërgimtarë (punëtorë në Frankfurt) që po ktheheshin në atdhe pas 2 vitesh panë vdekjen me sy, në fragment sekondi, një mbyllje sysh prej shoferit të përgjumur; një mbyllje sysh e mjaftueshme për ta praptuar autobusin e shuar mbi 10 jetë!
Sot, Kosova është në zi kombëtare, ndërkaq autoritetet shtetërore dje pasdite u gjendën pranë të plagosurve që po qëndrojnë nëpër spitalet kroate! Shumë prej tyre akoma janë në rrezik për jetën! Dhimbja që e ka pllakosur mbarë popullin është thuajse e papërshkrueshme, ndërkaq liderët e Ballkanit kanë shprehur ngushëllimet e tyre si dhe gatishmërinë për t’ju gjendur pranë autoriteteve shqiptare të Kosovës.
Në fatkeqësi si kjo, njeriu domosdo reflekton mbi shkaqet që mund ta kenë cytur një të tillë dhimbje! Tashmë, në mediat shqiptare po gëlon debati mbi çmimet tejet të larta të biletave që ofrojnë kompanitë airore – çmime këto të papërballueshme për një mërgimtar që punon gjatë gjithë vitit, me shpresën për të kursyer ca para – si ndihmë ndaj familjes së hjekun keq! Gjithashtu, po diskutohet mbi faktin se kompanitë shqiptare akoma nuk kanë arritur t’i ofrojnë kushtet e duhura për udhëtimet shumë-orëshe/ mijëra-kilometërshe, çfarë ndikon direkt në shëndetin fizik e mendor, sidomos të atyre që ngasin autobusët!
Thënë ndryshe, ndonëse në pamjë të parë, të tilla shqetësime duken sipërfaqësore, tragjedia e Kroacisë është shembulli më i trishtë që sinjalizon autoritetet shtetërore për të ndërmarrë urgjentisht hapa serioz e konkret! Diaspora shqiptarë mbetet një pasuri e jashtëzakonshme kombëtare, e cila meriton trajtim të dinjitetshëm e të fisëm!
Ne si fshatezanat shprehim ngushëllimet tona më të ndjera, për familjet dhe familjarët që humbën më të dashurit e tyre!