Më mirë një deodorant përgatitur në shtëpi
Për shkak të përbërësve të dëmshëm në deodorant është rritur interesi për opsionet natyrale për të luftuar aromën e sqetullave. Një alternativë është soda e bukës, e njohur si bikarbonat natriumi. Kohët e fundit ajo po gjen përdorim në fushën e shëndetit dhe kujdesit personal.
Nëse keni lëkurë të thatë ose të ndjeshme, mund të jeni të prirur ndaj efekteve anësore të saj si skuqje dhe kruarje. Për të shmangur efektet anësore duhet të bëni testin e saj në lëkurë.
Përbërësit:
3 lugë gjelle vaj kokosi
3 lugë gjelle sodë buke
2 lugë gjelle gjalpë shea
2 lugë gjelle niseshte misri
5 pika vaj esencial (sipas preferencës)
Receta:
Brenda një ene me ujë të nxehtë vendosni një kavanoz dhe shtoni vajin e kokosit me gjalpin shea që të shkrijnë. Më pas shtoni sodën e bukës, niseshten e misrit, vajin esencial dhe trazojeni. Në temperaturën e dhomës deodoranti është i fortë, kur e aplikoni merrni 1 lugë çaji dhe e aplikoni me anë të gishtave në sqetull. Në verë vaji i kokosit shkrin prandaj deodoranti duhet të ruhet në frigorifer.
Kujdes! Për të mos lënë njolla në veshje duhet të prisni disa minuta që deodoranti të thithet nga lëkura. ~ Aleksandra Stambolliu