Merrni frymë thellë dhe ndieni aromat e së kaluarës në pazaret e kalldrëmta shqiptare

Pazari i Krujës
Pazari i vjetër i Krujës ose siç thirret nga vendasit, Pazari i Derexhikut, shtrihet në të dyja anët e rrugës së vjetër të shtruar me kalldrëm që të çon për në kala, një vendpazar që ka ekzistuar nga koha e Skënderbeut. Gojëdhënat thonë se në Derexhik macja kalonte tjegull më tjegull, në një gjatësi mbi 7 kilometra nga fshati Zahari deri në Picrrakë. Derexhiku ka ardhur gjithnjë duke u zvogëluar, pak e nga pak, për të mbetur sot vetëm një rrugicë që bashkon kohë krejtësisht të ndryshme.
Pazari i vjetër i rezistoi pushtimit turk për 500 vjet, për të qenë një ndër qendrat më të rëndësishme të zhvillimit tregtar. Një pjesë e mirë e pazarit është djegur në kohën kur Shqipëria sundohej nga Ahmet Zogu. Më pas, për vite me radhë mbeti si relikt i qytetit, ndërsa tani shfrytëzohet si pikë turistike.
Në dyqanet e tij prej druri dikur grupoheshin zejtarë të ndryshëm, si bërësit e pajisjeve prej bakri, qëndistarë e punues të armëve, ndërsa tani gjen artizanë që thurin dhe endin në vegjë, punojnë qeleshet, burra që gdhendin drurin, punojnë bakrin, ildisin veshje kombëtare dhe që, në sajë të traditës, sigurojnë jetën në kohët moderne. Artizanati i harruar rikthehet në këto kohë moderne, më shumë sesa për vendasit, për të huajt.
Çarshia e vjetër e Shkupit

Çarshia e Shkupit vazhdon të ekzistojë prej më shumë se shtatë shekujsh. Ajo shtrihet nga Ura e Gurit deri te Bit pazari dhe kalaja. U ndërtua sipas modelit të metropoleve të tjera bizantine. Në shekullin e 16-të dhe 17-të u bë një nga çarshitë orientale më të rëndësishme në Ballkan dhe, në mesin e shekullit të 17-të, ka pasur mbi 2150 dyqane.
Edhe pse ka përjetuar disa katastrofa, siç ishte rënia e një zjarri në vitin 1689 dhe një tërmet në vitin 1963, çarshia ka mbijetuar deri në ditët e sotme dhe përbën krenari për qytetin. Tani mbizotëron arkitektura otomane, por vërehen edhe mbetje nga periudha bizantine. Veçanti të famshme janë bujtinat, midis të cilave Suli Hani, Kapan Hani e Karvan Saraji i Kurshumli Hanit, si dhe hamamet siç janë Çifte Hamami ose Hamami i Daut Pashës – secili prej tyre përmban një histori të papërsëritshme.
Çdo objekt i rëndësishëm i çarshisë sot është bërë galeri ose muze. Bëni një shëtitje nëpër rrugët e ngushta me kalldrëm të labirintit të çarshisë, kënaquni në bukurinë e arkitekturës, vizitoni ndonjë nga dyqanet, shijoni lahmaxhunin, kërnackat a ndonjë byrek, ëmbëltohuni me llokume ose pini një çaj.
Pazari i Shkodrës

Fillimet e Pazarit të Vjetër të Shkodrës mendohet se i përkasin dinastisë së Bushatllinjve. Kulmin e lulëzimit e arriti gjatë pushtimit osman, kohë në të cilën u bë qendër e madhe tregtare e trevave shqiptare dhe më gjerë në import–eksportin e mallrave nga Kosova, Mali i Zi, Serbia, Manastiri, Bullgaria dhe anasjelltas, pra në gjithë Rumelinë. I shtrirë midis pjesës së vjetër dhe të re të qytetit, ky treg lejonte një kapacitet me mbi 30.000 njerëz në ditë pazari. .
Ai u bë qendra më e madhe tregtare. Asokohe në breg të liqenit dhe lumit Buna ankoroheshin dhjetëra anije të vogla e të mëdha, deri tek avulloret 1000-tonëshe, e kishte një pazar anijesh që ishte edhe në “garë” me “Pazarin e Madh”, edhe vazhdim i tij. Aty ishin ngritur magazina të mëdha për hyrje–dalje mallrash, kishte zyra të mëdha doganore, banka dhe afro 1.500 dyqane të papërsëritshëm edhe sot e kësaj dite.
Dyqanet ishin vendosur në mbi 30 sokakët e pazarit, të cilat ishin ndarë sipas zanateve (zejeve) e ku punonin qindra zanatçinj e çirakë, që mësonin e punonin çdo ditë. Brenda tij kishte rregull e disiplinë të veçantë dhe kryheshin shërbime kafeje, berberhane, hekurosjeje etj. Për fat të keq pazari nuk ekziston më. Malazezët më 1913 dogjën dhe shkatërruan qëllimisht mbi 250 dyqane, më të mirët, në pothuajse gjithë Pazarin e Madh në Shkodër. Të njëjtën gjë bënë edhe kolonët grekë. Goditjen e fundit pazari e mori me vendosjen e regjimit komunist.

Pazari i Gjirokastrës
Pazari i Gjirokastrës është në rikonstruksion të vazhdueshëm për shkak të vjetërsisë dhe statusit monumental që ka. Pazari, në formën që ka sot, është ndërtuar rreth 500 vjet më parë. Shëtitësi turk Elvia Celebi në 1672-in tregoi se kur zbritet nga kalaja prej portës qe sheh nga lindja poshtë, ekziston një lagje e të krishterëve. Kësaj i thonë Varoshi i Vogël. Gjithsej janë 200 shtëpi të gjera (vasi) e 40 dyqane të vegjël.
Vendi i quajtur “Qafa e Pazarit” sot është një nga pikat më identifikuese të qytetit të gurtë, që vizitohet çdo vit e më shumë nga mijëra turistë të huaj. Fasadat e shtëpive përreth ofrojnë një pamje interesante të ndërtimeve mesjetare, ndërsa dyqanet e shpërndara në rrugën e pazarit ofrojnë shumëllojshmëri objektesh e shërbimesh. Kati i parë është vendi ku artizanët punojnë gjatë gjithë ditës, ndërsa kati i dytë përdoret për qëllime të ndryshme prej tyre. Disa dyqane kanë edhe derë të pasme, që përdoret vetëm nga pronari.
Për nga arkitektura ngjan me Pazarin e Korçës, për të cilin historianët thonë se u ndërtua në të njëjtën periudhë (1879), dhe të dy u rindërtuan pas zjarrit. Diferenca është se Pazari i Gjirokastrës iu përshtat një terreni shumë të thepisur, dhe këtu qëndron bukuria e tij. Ajo që ne kemi sot është e ruajtur në mënyrën më të mirë të mundshme. Një trotuar i ngushtë për njerëzit u ndërtua në të njëjtën periudhë, çka e bën këtë pazar të veçantë nga gjithë të ngjashmit e kohës.

Pazari i Pejës
Çarshia e Vjetër është e njohur për rëndësinë e zhvillimit ekonomik në qytetin e Pejës dhe në rajon, prandaj ka një vlerë të trashëgimisë që identifikon zhvillimin në Pejë. Kjo zonë është ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane në shekullin XIV dhe përbëhej nga 4 pjesë, Çarshia e madhe, Çarshia e Gatë, Okoli dhe Çarshia e Shatërvanit. Kishte 960 dyqane të zejeve të ndryshme. Zejtaria në Pejë arriti kulmin e zhvillimit sidomos në shekujt XVIII dhe XIX. Prodhime me vlerë artistike në këtë kohë kanë realizuar veçanërisht argjendarët, saraçët, terzinjtë, qeleshepunuesit dhe zejtarë të tjerë.
Çarshia e Pejës është rikonstruktuar në vitin 2015, duke përmirësuar infrastrukturën dhe duke ruajtur elementet karakteristike të saj, të cilat datojnë që nga periudhat e hershme. Së bashku me rivitalizimin e çarshisë është krijuar edhe qendra e zhvillimit artizanal, e cila ofron mësime për më shumë se 12 zanate, përveç shumë dyqaneve që janë hapur për të promovuar zejet e punimet artizanale.

Tregu i Korçës
Pazari i vjetër i Korçës është objekt me vlera të hershme historike, kulturore dhe artistike. Ai karakterizohet nga ndërtesa përgjithësisht një dhe dykatëshe, rrugica të ngushta e një stil ndërtimi që tërheq vëmendjen e vizitorëve. Në shekujt e kaluar pazari ka qenë vend shkëmbimi për tregtarët që vinin nga Turqia, Greqia, Trieste dhe Venecia. Pazari i vjetër i qytetit të Korçës, kjo qendër tregtare, pati në lulëzimin e saj rreth 1900 dyqane prej guri, bezistane, pazarin e grave, por edhe hane të famshme, sheshe tregtimi, vatra mësimi dhe zyra avokatie.
Në qendër të pazarit janë vendosur më herët bakejtë (dyqane ushqimore) e vajit dhe të ullinjve. Më pas erdhën e u vendosën rrobaqepësit, këpucarët, orëndreqësit, argjendarët, mjeshtërit e punimit të qyrkut, të shajakut, të qylafëve, të pëlhurave dhe të stofrave. Më pas u shtuan kafenetë, lokalet tip restoranti dhe dyqanet e zejtarëve. Në lagjen e xhamisë së madhe, gjithçka ishte vendosur dhe zgjerohej sipas një rregulli të paracaktuar mbi popullimin dhe funksionimin e tregtisë. U ngrit më pas Medreseja dhe një hamam në shërbim të njerëzve në nevojë. Njëri pas tjetrit u shtuan edhe hanet për udhëtarët që i zinte nata në qytet. Pazari është djegur tri herë, por është ndërtuar sërish e vazhdon të funksionojë pothuaj si më parë dhe ka vlera kulturore e monumentale.