Mirela Kumbaro na rrëfen magjishëm çdo ngjarje të bukur nga Gjirokastra
Kësaj here na prezanton hotelin më të ri në qytet, qe mban emrin Argyropolis
Mirela Kumbaro është kthyer në një misionare të papërtuar për të na njohur me Shqipërinë, ashtu siç nuk e pandehim. Udhëtimet e saj larg kryeqytetit të madh, na sjellin copëza frymëzuese të ëndrrave, idealeve e punës së ndershme që njerëzit e atyshëm përcjellin. Tema e rrëfimeve prej viseve e skutave shqiptare të shkeluara prej saj mbetet kultura unike, qytetaria, vetë njerëzit e zakonshëm e të talentuar, që spikasin me origjinalitetin tërheqës.
Në profilin e saj në Instagram e përshkruan si më poshtë hapjen e një hoteli të ri në Gjirokastër, ic cili mban emrin e veçantë Argyropolis:
“Shtohen çdo jave bujtinat e reja në shtëpitë e vjetra në Gjirokastrën e gurtë, duke më tejkaluar në çdo parashikim që kisha bërë se e vetmja mënyrë për të shpëtuar shtëpitë pasuri kulturore ishte rijetëzimi i tyre në fole mikpritëse dhe ekonomi të vogla të një turizmi të madh. Teksa përshkoj, në kulm të vapës, sokaqet në Palorto, pak mbi muzeun etnografik tashmë në kantier restaurimi, ndalem para një shtëpie të madhe me emrin ARGYROPOLIS
Dikur e kujtoja të vjetër dhe nuk më bënte të mbaja hapat, pastaj kur drejtoja Këshillin Kombëtar të Restaurimeve si Ministre Kulture, m’u rishfaq si projekt restaurimi dhe rijetëzimi për t’u kthyer në hotel, dhe më shumë mbaja mend ngazëllimin që provoja sa herë na vinte një projekt i tillë se sa vetë projektin.
Rikthehem para pak ditesh ne Gjirokastër dhe Argyropolis Hotel hap dyert si shpëtim i ëndërruar prej zhegut të drekës dhe gurit të sokakut që nxeh, për të më ofruar freskinë e gurit që ruan aromat e shtëpisë dhe freskinë e mureve të trasha.
Molua (shkurtim i emrit Molotov) i zoti i shtëpisë, bashkë me familjen i bëjnë krenarisht yzmetin biznesit hotelier, duke të ofruar më të mirën gjirokastrite. E tërhequr paksa nga Qafa e Pazarit, kjo shtëpi që mua më flet në gjuhën e nënës, është vendi ideal për të shijuar Gjirokastrën ashtu siç e përshkruan Kadareja (shtëpia e të cilit ndodhet gjithashtu ne Palorto), në qetësinë absolute të tejdritareve, ku dëgjohen veç gjinkallat, por edhe vetëm pak minuta nga gjallëria e Pazarit nëse në darkë do që të jesh pjesë e festave kulturore dhe turistike.
Ndërkatet e drunjta, kamaret e ndriçuara, “nerohitet” siç i thoshte gjyshja ime gropëzës prej guri ku vendosej muslluku i ujit, musandaratë, oxhaqet, janë qershitë mbi tortën e shtëpisë që arrijnë të të shkëpusin estetikisht nga moderniteti i përditshëm pa të gënjyer me dekoracione të rreme.”