Mirela / Një grua diellore si ajo
Pesë vite më parë, pikërsht në Ditën e Verës, Mirela mori vetëm dhjetë pëlqime tek fotoja e parë e një gatimi që postoi në Instagram. S’ka si të mos ishin ballokumet me sfondin e një luledielli, mënyra më e mirë për të kremtuar ardhjen e pranverës por edhe një stine të re për Mirelën: pasionin për të ndarë gatimet e saja me të tjerë. E sot nuk ka post që merr më pak se 500 pëlqime.
‘Papare the Beaty of Small Things’ quhet blog-u dhe që prej emrit kuptohet lehtë se ç’do gjesh aty: gatime me përbërës së thjeshtë e që i ndodhen apo i kanë mbetur shtëpisë, shije të harruara nostalgjie, gatime tradicionale festive, ballkanike dhe pse jo të huaja. Të gjitha këto kanë të përbashkët stilin e të servirurit në tavolinë me aq sqimë dhe elegancë. Sfondi është gjithnjë i goditur prej Mirelës ashtu si digjitura shoqëruar me një shkrim plot humor të hollë dhe shpesh me diçka për të mësuar. Ky pasion e shpërbleu atë duke u bërë pjesë e rëndësishme e një prej platformave më të mira mediatike shqiptare si Tring dhe Revista Living.
Mirela është kaq diellore! Nuk ka rast që ajo mos jap kontributin e saj për të promovuar dikë që përçon pak vlera, virtyte apo këdo që dëshiron të japë kontributin e tij modest në shoqëri. Rrëfen se nuk ke nevojë t’ia kërkosh, ajo të pikas dhe me inisiativë të jep kurajë teksa të përgëzon teksa i tregon githë botës për ty. Ajo është një ndikuese e pazakotë e rrjeteve sociale ku jo pak herë prodhuesve shqiptarë u promovon prodhimet. Me shaka tregon se e kanë kthyer në kavie për të provuar çdo gjë prodhuar nga duart e mundi i tyre. Ajo nuk nguron t’u japë një dorë të gjithëve dhe që asnjëherë nuk e bën këtë gjë me pagesë.
Kësisoj, në rutinën masmediatike të formatimit të personazheve ndjellëse apo influencuese, të kësaj epoke moderne e tek shpaloset një jetë e vrullshëme konsumi, Mirela është ndër të rrallat që përçon një tjetër botëkuptim. Ajo shpalos më së miri vizionin e virtytësinë e shpirtit të një njeriu që e do komunitetin. Tashmë Paparja nuk është më vetëm e saja, por e të gjithë atyre që besojnë në vokacionin e saj: kënaqësisë së kthimit të pasionit në mision.