Mulliri i Bjeshkëve në Tale të Lezhës
Për zellin e dy vëlezërve për të trashëguar një zanat në zhdukje
Zgjohem herët. Si gjithmonë aty nga ora 5.15 ose 5.20, jo më vonë! Nuk ka aguar akoma. Pa zhurmë kërkoj me dorë syzet mbi komodinë dhe i pari veprim që kryej është të hap celularin. Hyj e dal nëpër aplikacione dhe ndalem tek Instagrami, që shoh se pluskon nga mesazhet. Më tërheq vëmendjen njëri prej tyre që vjen nga adresa “Mulliri i Bjeshkëve”. Futem menjëherë të shoh mesazhin, i cili më drejtohej me një shqipe të pastër: “Përshëndetje! A jeni i interesuar për produktin tonë, i cili ia shton vlerën traditës dhe agroturizmit, si dhe cilësisë së bukës? Gjithashtu, këtë mulli guri, mund ta konsideroni si një aset më shumë për t’u vizituar nga turistët! Vihet në punë me anë të energjisë elektrike.”
Plot kureshtje përvidhem në faqen e tyre për të parë fotot dhe videot, të cilat, për hir të së vërtetës, janë më moderne nga ajo çka mendoja. Video të shoqëruara me muzikë TikTok-u dhe me statuse të kuruara në gjuhën shqipe dhe angleze. U shkruaj menjëherë dhe pas disa minutash marr përgjigje.
Të zotët e “Mullirit të Bjeshkëve” ishin dy djem që këtë zanat e kanë trashëguar nga i ati. Ndodheshin në rrugën që të çonte për në Lezhë, pranë fshatit Tale. Menjëherë u shkruaj që në fundjavë do të doja t’i takoja, dhe më përgjigjen fill që ndiheshin shumë të lumtur dhe të nderuar të më prisnin.
E kështu bëj. Pa pyetur e pa menduar shumë, me një adresë të shkruar dhe GPS-in si udhërrëfyes, nisem të shtunën e po asaj jave, së bashku me tim shoq e tim bir për në Tale. Kur jemi diku pranë fshatit na del përpara me biçikletë Petriti, një djalë shumë më i ri nga ç’e prisja. Buzagaz na thotë ta ndjekim. Kur hyjmë në oborrin e shtëpisë, stepemi për t’u futur brenda me makinë, por djaloshi ngulmon të mos shqetësohemi. Pasi dalim nga makina ndihemi disi të tutur për të dhënë dorën. Normal, kohë pandemie! Por djaloshi më shtrëngon dorën dhe bën të më përqafojë. E përqafojmë të gjithë. Në djall korona!
Petriti na fton brenda në shtëpi, dhe ne ndihemi disi të papërgatitur. I them që kemi ardhur të shohim punën dhe mullirin, por menjëherë aty ia beh i vëllai.
— Më quajnë Altin,—më thotë,—ejani brenda sepse kemi bërë një drekë të vogël.
— Oh jo! Prit! Drekë?! Si ka mundësi?—them me vete.
Pa bërë shumë llafe futemi brenda në shtëpinë modeste, me pak orendi. Diku në krye të dhomës, në një krevat, është i shtrirë një burrë, që me sa duket është i sëmurë.
— Ky asht baba,—më thotë Petriti,—nuk mundet me u ngrit.
Ndihem shumë e prekur, por edhe e shqetësuar. Vetëm në Shqipëri gjen mikpritje të tillë. Me drojë ulemi të tre pranë tryezës dhe aty nis bashkëbisedimi. Ndue Lleshi është i ati i Petritit dhe Altinit, por edhe i shtatë fëmijëve të tjerë. Eshtë 73 vjeç, me profesion elektricist, të cilin thotë se e ka mësuar kur ishte në ushtri. Por është edhe mekanik dhe zotëron plot zanate të tjera, të cilat i ka mësuar në ngritjen e shumë veprave në Shqipëri, si hidrocentrali i Fierzës, minierat e Fushë-Arrëzit etj. Tek bisedoj me Nduen, sytë më shkojnë te kompjuteri ku është instaluar një kamer, e cila u shërben djemve për mësimin online. Aty zbuloj që si Petriti, edhe Altini studiojnë në Tiranë, përkatësisht për Ekonomi dhe Inxhinieri Minierash, dhe janë studentë të shkëlqyer.
Ndjekin çdo ditë mësimin online nga i njëjti kompjuter. Ndërsa e ëma, një grua pa fjalë, shtron tavolinën, u kërkoj vëllezërve të më tregojnë punëtorinë. Dalim sërish në oborr, ku gjendet një ndërtesë përdhese mbushur me mjete pune e në mes të saj një mulli me rrotë guri, punuar në dru. Ajo çka më bie në sy është gdhendja e një luleje me pesë petale. Poshtë saj është shkruar “Mulliri i Bjeshkëve”. Petriti më dëften që ky simbol i lashtë gjendet i gdhendur në muret e kullave të të parëve të tij në Fushëbardhë. Ndue Lleshi është lindur e rritur në Bjeshkët e Fushëbardhës. Aty i ka mësuar të gjitha, edhe gdhendjen e gurit. Ndaj, kur pas shumë vitesh zbriti në Tale për një jetë më të mirë dhe për të rritur fëmijët, nisi gdhendjen e mullinjve. Të parët ishin për agroturizmin “Mrizi i Zanave” dhe më pas për restorantin “Mullixhiu”.
Dy nga nëntë fëmijët e tij, Petriti dhe Altini, vendosën të jetonin në Tale dhe ta shihnin aty të ardhmen e tyre. “Edhe pse universiteti na duhet, sepse jetës nuk i dihet kurrë, na pëlqen shumë që këtë biznes ta ngremë ashtu siç duhet”,—thotë Altini, vëllai i vogël, të cilit i pëlqen dhe të gatuajë. Ai mendon se ndoshta një ditë do ta transformojë shtëpinë në një vend ku njerëzit të vijnë dhe të provojnë gatimet e tij, tek shohin se si prodhohen mullinjtë e gurit. “Jemi të vetmit në Shqipëri që i prodhojmë”,—vijon Petriti. Dhe nuk ka më mirë sesa ta bluash në gur grurin ose misrin. Temperatura që guri i jep miellit është shumë më e ulët nga mullinjtë industrialë. Kështu që gruri nuk nxehet, e kësisoj produkti del shumë më i mirë! Dalim diku jashtë punëtorisë. Petriti na demonstron se si i pret pllakat e gurit, dhe në sy i lexohet pasioni me të cilin e bën këtë punë.
Diku aty ka lidhur një tub të ricikluar serumi me një shishe uji plastike të varur në pemë dhe e hap me rubinet sa herë tehu i thikës depërton në masivin e gurit. “Mënjanoj pluhurin,—më thotë,—ja kështu me të sajuar.” Ndiej një ngazëlllim e më vjen ta përqafoj këtë djalë të imët në trup, por të fortë në mendje. Në oborr ndihet një aromë e mirë që del nga saçi i mbuluar me prush. Aty Altini është duke pjekur laknurin. E hap dhe na bën shenjë që është gati. Futemi brenda në dhomë të gjithë dhe ngremë një dolli, në atë dhomë të vogël me shpresa të mëdha!
Nga Dhurata Thanasi