Muzeu i Gruas në Tiranë
Muzeu i Gruas është iniciative individuale e Elsa Ballaurit, gazetare, aktiviste e të drejtave të njeriut dhe koleksioniste. Ajo është përkujdesur për të treguar për gruan në një këndveshtrim tjetër, intriguar nga fakti që nuk është thënë e dihet mjatueshëm për rolin dhe jetën e grave të pas viteve 1900.
Është pikërisht një koleksion personal i sendeve të familjes së saj ku një pjesë e madhe e tyre i përkisnin Ollga Ballauri Frashëri, gjyshes së saj. E ndërsa shtëpia ku ajo hyri për herë të parë nuse është vendi ku shfaqen të gjitha këto objekte tashmë të një funksioni muzeal për të dëftuar jo vetëm gjurmët e kujtimeve personale të gazetares.
Ky muze është një rrëfim i historisë së grave shqiptare nëpërmjet ngjarjeve të njohura dhe të panjohura. Gruaja në këtë muze udhëton në kohë që prej antikitetit dhe shfaqet nëpërmjet objekteve, dokumentave e fotove drejt qellimit që muzeu ka: te zbuloje sa më mirë rolin e femrës në shoqëri, familje, në monologun me veten dhe dialogun me burrin.
Veshjet, objektet personale, çantat dhe kapelat, janë një zbulim i këndshëm për ata që nuk njohin Shqipërinë e viteve ’20-’30, ndërsa dokumenta dhe botime të ndryshme tregojnë se historia e intelektualeve të vërteta ka nisur edhe përpara krijimit të shtetit shqiptar.
Në sipërfaqen e vogël të një apartamenti të ndërtuar ne vitet ’60, vizitorët do të zbulojnë një botë të madhe të pasionit, krijimtarisë dhe forcës së grave. Muzeu i kushton një rëndësi të vecantë edukimit; fëmijët e shkollave dhe të rinjtë janë gjithmonë të mirëpritur jo vetëm si vizitorë por edhe si debatues mbi cështjet e rolit të gruas në shoqëri.