“My Little Star” / Një markë veshjesh prej pambuku organik
“My Little Star” është një markë veshjesh dhe aksesorësh për beba e fëmijë të realizuara të gjitha me dorë, në mënyrë artizanale. Ajo çka i bënë të veçanta produktet e kësaj marke është materiali me të cilat ato punohen: pambuk organik i importuar nga Japonia dhe Korea e Jugut, të cilat janë prodhueset më të mëdha të pambukut organik.
Arizona është një prej vajzave që fshihet pas “My Little Star”. Ajo, së bashku me Letitian, përkujdesen që krijimet e tyre të jenë jo vetëm cilësore, por me një dizajn të këndshëm minimalist, me ngjyra kremi e me materiale që krijonë rehati te bebet dhe fëmijët. Këto veshje nuk janë seri dhe janë shpesh të dedikuara sipas kërkesës së nënave të reja.
Transferuar nga Italia, vendi ku u rrit, Arizona prej gjashtë vjetësh jeton në Bruksel, ku ka përfunduar studimet pasuniversitare dhe ka ngritur strehëzën e saj të dashurisë, e bekuar me një vajzë që sot është një vjeçe. Për të, “My Little Star”, nuk është puna e saj e mirëfilltë. Ajo punon në një e-kompani si koordinatore dhe ajo çka e bën të angazhohet me veshjet e fëmijëve s’është veçse pasioni për të bukurën, artin, cilësinë dhe shpirti i sipërmarrjes që e karakterizon.
Për Arizonën dhe Letitian kjo iniciativë nuk lindi krejt rastësisht. Ajo që i bashkon është ndjeshmëria kundrejt modës së ngadaltë, e cila vjen në respekt të standardit të qëndrueshmërisë, i cili konsiton në përzgjedhjen e copave cilësore që zgjatin në kohë dhe atyre stileve mode në qepje që zor u del boja; standardit etik, i cili lidhet me të drejtat e njerëzve të punësuar që krijojnë veshjet duke implementuar standarde të larta të të drejtave të punonjësve si dhe standardi ekologjik, i cili ka të bëjë pikërisht me zgjedhjen e materialeve natyrale siç është pambuku organik me të cilin prodhohen veshjet “My Little Star”.
Disa prej produkteve janë të pangjyrosura. Pambuku organik është përdorur në formën e tij origjinale e më të pastër dhe kjo vlen edhe për arushin “By your side Teddy” ose për batanijet “Moon Blanket”, sepse janë objekte me të cilat foshnja bie direkt në kontakt, eksploron me gojë ose mbështillet për të fjetur natën. Kurse për çfarë tepron nga copat e tjera, vendoset të bëhen maska për fëmijë ose të rritur, për të mos shpërdoruar copën, për mos të ndotur ambientin e për të respektuar punën dhe historinë mbrapa çdo cope.
Kështu, vajzat ëndërrimtare krijojnë këto veshje me shumë dashuri dhe me parime të qarta për drejt sipërmarrjes së veshjeve për fëmijë. Kërkon padyshim sakrifica projekti i tyre i vogël, siç e quan Arizona, ama edhe kënaqësitë janë të shumta. Përditë ajo sheh veten tek rritet bashkë me të. Krijon njohje të frytshme profesionale e personale duke e lejuar veten të frymëzojë e të frymëzohet prej të tjerëve, të ndajë pa drojë e frikë projektet inovatore e krijuese të së ardhmes.
Çdo krijim nga “My Little Star” është unik dhe ideal për dhurata apo për t’u ruajtur e ripërdorur nga fëmijët pasardhës e pse jo, të kalojnë dorë më dorë në breza. Arizona me shumë fanatizëm kërkon që ideja e një mode të ngadaltë dhe të qëndrueshme të udhëheqë edhe sipërmarrës të tjerë në industrinë e modës, duke qenë edhe vetë një angazhuese e zellshme me përditshmërinë e saj përmes një jetese të thjeshtë plot harmoni dhe thjeshtësi si konsumatore e kundër shpërdorimit.
Tek flet me aq pasion për Shqipërinë, për mallin e rrënjëve e të të afërmve, Arizona dëshiron me zemër të sjellë copëza të krijimit të saj këtu, ndaj ky projekt po e ndihmon më së miri të krijojë lidhjet e këputura me vendin, ku ka lënë pas kujtimet e fëmijërisë, gazin e hareshëm dhe kalaqafat me moshatarët. Ajo do të kthehet këtu sërish fëminore, ngarkuar me ëndrra të arrira e me dëshirën për të bërë diçka e për të sjellë gëzim te vogëlushët në nevojë. Ëndrra e saj sapo ka filluar dhe një mijë yje vezulluese do t’ia ndriçojnë udhën për në shtëpi.
Mirë se të vish Arizona!