Mysafir në një shtëpi përrallash
Tani mund të marrësh me qira shtëpinë simpatike e të vërtetë të Winnie Pooh-s. Shtëpia është ndërtuar së fundmi për të festuar 95 Vjetorin e krijimit të personazhit të dashur Winnië, të cilin e kanë shumë të dashur shumë fëmijë anekënd globit. Shtëpia është një ekzemplar i përpiktë i shtëpisë që shfaqet në filmin vizatimor apo librat me historinë e arushit të ëmbël.
Konkretisht, ajo është ndërtuar në pemë dhe asnjë detaj që keni parë përmes ekranit nuk i mungon kësaj shtëpize. Letra e murit, orenditë e shtëpisë, pirgjet me vazot e argjiles plot me mjaltë, krevati i drunjtë apo çajniku mbi sobën e zjarrit janë pak nga detajet e shumta që shumëkush mund t’i shijojë tashmë si mysafir në shtëpinë e Winnie Pooh-s. Fatlumët që do të kenë mundësinë të vizitojnë shtëpinë e lezetshme do të mikpriten nga artisti Kim Raymond, personi që ka vizatuar Pooh për më shumë se 30 vjet.
Kushdo që dëshiron të prenotojë një natë në shtëpinë e Winnie Pooh-s, do duhet të presë në radhë të gjatë pasi kërkesat janë tejet të larta por një lajm i mirë është se pagesa për një natë nuk do i kalojë £95. Një çmim ky tërësisht i justifikuar për të jetuar një copëz fëmijërie edhe njëherë në shtëpinë e vërtetë të një personazhi kaq të dashur si Winnie Pooh.
Vizitoni Airbnb për më shumë.

