Nana – Toka e Hana!

(zullumi që shtohet përditë në shoqni, ma kujton pajada se nji rreze e Hanës’
hala struket amël-tamël n’krahnor t’Nanës)
Kush rritet ngat prehnit t’nanës, përkundet n’djepin e qëndisun me ninulla prej loçkës e xhanit!
Aty’ ashtë nji troh Parajse e gatueme me andrra e lutje Qiellnore!
Aty, Dashnija përthekohet me aromë trandofili, portokalli, zymbyli, kanelle, karadmoni, karafili … prehni i nanës tem ashtë shkolla ma e vyeme që ka mrrijtë me e jetue njerëzimi!
Petku i saj, bore e paqtë’ nuk ja ka mshelun kurrë penxheret urtnisë e ditunisë … herë heshtun e herë zashëm … herë larg e herë ngat … ajo, nana jem, ka qenë gjithnji nxanëse shembullore edhe Mësuese e Përsosun e Dashnisë!
Nana,
kjo udhëtare açik dynjasë që s’ka lanë cep Toke pa e shëtitun me shpirt, e as gjuhë bote pa e knue me sy – kurrë s’ka mrri me i msue shkronjat!
ndaj, dituni e urtni e saja ashtë dhurim i falun prej Tjërkah.
Ashtu pa alfabet t’knuem, ajo ndën hije blini ashtë Paqe e pashuejtun, frymëzim e andërr përjetnie.
p.s. Nana ashtë secila gru’ që fal pa u zvogëlu! Fal tuj u rritun’ e shpirtin tuj e flladitun!