Në Galerinë Rira
E kujtoj, galerinë e parë tek Shallvaret Shëtitjet e pasditës, unë kërkoja ngjyra, jo kaq të shpeshta në atë kohë. Futesha shpesh, hidhja një sy, më shpesh akoma shihja vitrinën nga jashtë. Si fëmijë para pastiçerisë, si vajzat para butikut. E kujtoj.
Sot pas kaq shumë vitesh gjeta Galerinë e re, e cila është e rritur, e pjekur, tani me punime e piktura të reja. Gjatë bisedës me z. Rira më bëri përshtypje respekti dhe dashamirësinë ndaj publikut artdashës pra vizitorit i cili është blerës i mundshëm. Ja që artisti nuk ka pse të jetë a priori snob apo i largët. Është një galeri e këndshme dhe e shumëllojshme. Një rrugëtim praktike, teknikash, frymëzimesh sigurisht jete dhe punë.
Në kërkim të së bukurës, në krijim të saj.
Më pëlqeu mendimi i Rirës se e bukura nuk mund të fshihet në art, dhe se nuk mund të abuzohet duke quajtur “art” çdo gjë. Ashtu si kufiri i përzier dhe gati ujshëm që ndan artin nga artizanati.
Vitet kanë kaluar dhe kësaj rradhe më pak e turpshme arrita të kaloja vitrinën për të zbuluar pak më shumë. Dozën time të artit e mora, mësova dhe sot plot!
– nga ditari i Noa Nur