Në prag fushate e me taksat e tua, asfaltin ta shtrova unë!
Kund e kund politikanët kanë një dashuri të madhe për të ndërtuar rrugë. Dhe në mbarë botën shpenzimet e qeverisë për investime publike janë ulur me 3-4%. Sa për investimet në infrastrukturë, vende të zhvilluara apo më pak harxhojnë një thes me para vazhdimisht. Jo rastësisht, studimet tregojnë se rreth 2/3 e rasteve korruptive me tendera dhe investime në punë publike, anekënd globit vijnë pikërisht nga ky lloj invesimi publik.
Përpos përfitimeve në komunitet që sjell shtrimi apo rehabilitimi i një rruge e rëndësishme është që llogaritë të bëhen mirë nga politikanët. Shpesh vendi ynë ka përvoja jo fort të këndshme me ndërtimin e tyre. Politikanë shpesh në prag fushate e shohin asfaltin akull të ri porsi statujë të vetes së tyre, ku atributet për këtë punim publik i takojnë në mënyrë ekskluzive atij.
Gërshërët e përurimit kërcasin në shirita të kuq përmes brohoritjeve të shtira të shpurrës qeveritare. Ka raste dhe meremetime rrugësh sa për sy e faqe për një filmim propagandistik për lajmet qëndrore ku pas një shiu shpëlahet dhe asfalti më i hollë se gjalpi mbi bukë, por jo turpi se 2 çapa rrugë kushtojnë miliona Euro. Është një çështje që tashmë jemi mësuar dhe ndryshimi do të na bënte përshtypje. Në jetë të jetëve!