Nga kryeqyteti ka habere…
Për çështjen tënde, e dashur fermere bëhen dhjetra konferenca e trajnime nga gra e burra të veshur aq mirë aqsa ty nuk të vlejnë gjithë të mbjellat vjetore sa vetëm një xhaketë e tyre. E ty thesi arnuar mbi shpinë te mbeti po i njëjti.
Nuk di a të vijnë lajme ty atje në fshat, katund, mal a kudo qofsh larg nga konferencat e mërzitshme dhe pa bereqet. E fundja, ç’do të dish ç’behet nga qyteti i madh i dallavereve ku djersa e ballit e puna e ndershme nuk t’u peshua kurrë në këto kusur dekadash.
E prapë ti gjen forcën të mbetesh shpresëplotë e mos të heqësh dorë nga ajo që di të bësh më mire e të jesh buzagaz edhe me ne klientët kërkues e herë-herë me naze kokëçarëse.