Nigjoi i llaf nënës…

Është e mrekullueshme ndjesia pas bisedës me një gjysh apo gjyshe. Janë kaq entuziastë të ndajnë gjithë përvojat e tyre e shpesh sjellin aq gaz tek mundohen t’u përshtaten realitetit të ri që po jetojnë. Më poshtë janë disa nga thëniet e tyre që janë padyshim mjaft domethënëse.
Mos e lë kafshatën e fundit
Ishte një këshillë e vyer për të mos e çuar dëm ushqimin. Por edhe nëse nuk do të mundnin të na bindnin, me ushqimin e lënë prej nesh do ta konsumonin vetë. Shpesh kjo na bënte që fshehurzi ta puthnim tre herë koren e bukës kur donim ta hidhnim poshtë.
Mos prishet. Laje me dorë atë fustan
Gjyshet i besojnë më shumë duarve të tyre sesa butonave të teknologjisë. A nuk kanë të drejtë? Sa herë na ka ndodhur që një veshje të dashur ta kemi prishur aqsa të mos përdoret më.
Ti je e freskët si lule! Pse kallangjosesh kot?!
Epo vijnë nga një epokë ku të qënit ujë e sapun nuk do të thoshte se duhet të hiqje dorë nga të mbajturit e të zbukuruarit. Një Zot e di sesa të bukura ngjanin me atë përkujdesje natyrale.
Bëje mirë, do shkosh te burri nesër…
Epo ndonjëherë gjyshet të vënë në siklet me shpreshje të ngjashme. Ato gjejnë këtë pretekst për të na vënë sadopak në sedër se duhet të jemi sqimatare në mirëmbajtjen e shtëpisë për të superuar me sukses njëmijë e një syve zhbirues te ‘shpia e burrit’.
Qyqja! Po ti ke 100 bluza si kjo!
Nuk do e kuptojnë dot kurrë maninë e të blerit pafund e vend e pa vend. Si rrjedhojë, as tërheqjen zvarrë nëpër shkallë të thasëve plot me veshje kur ndërrohen motet. Me demek bamirësi!
Se nga ngjau kjo moj xhan…
Thënia tipike kur në ato kokëçarrjet e ëmbla që u shkaktojmë gjysheve tek nuk bëjmë fiks siç ato ato do të kishin bërë në vendin tonë apo në kohën e tyre. Në fakt, ato e dinë shumë se ato gjestet tona u kujtojnë çamarokllëqet e vajzës apo djalit të tyre.
U qërrove mi non!
Harrojnë për vete gjyshet që nuk e lëshojnë pultin e televizorit duke mos lënë puntatë të “Rudinës”, “Arditit” dhe pa parë apo serialet turke. E njëjta vlen edhe për ne që s’mund të bëjmë ndryshme pa celularët tanë të zgjuar.
Në moshën tënde unë…
S’ka shance mos ta dëgjojmë këtë shprehje të paktën vetëm një herë të vetme. U duhet të na rikujtojnë gjithnjë kur harrojmë të marrim plehrat se në moshën tonë kishin një turrë me fëmijë, vjehrrën, një dynja me hyrje-dalje dhe punën me turn enë fund.
Me aq shampo lahet një ushtri!
Epo që nuk e ke instiktin e shpëlarjes së shishes së shampoos, edhe mund të tolerohet. Por që ta harxhosh shampon për një javë është një mesele. Nuk mbushet dora plot me shampo po veç mollëzat e gishtave, si parim bazë sipas gjysheve sigurisht.