Një ekonomi lokale në tranzicion
Fill pas rënies së komunizmit, shpresa e shqiptarëve se ekonomia e tregut do të ndryshonte rrënjësisht jetët e tyre, shpejt u venit nga sfidat komplekse që ende pengojnë masat, të cilat mbeten në kërkim të shpresës për një jetë të denjë, si gjithë evropianët. Për studiuesit e shumtë, transformimi i sistemit socio-ekonomik nuk do të merrte më shumë se 10 vjet. Realiteti tregoi se institucionet e dobëta, pabarazia në rritje, paaftësia e elitës politike dhe vullneti i një klase politike e paaftë për reforma rrënjësore për një zhvillim ekonomik modern, mungesa e parapërgatitjes për futjen në rendin e ekonomisë globale, mungesa e një shtrese të mesme të konsoliduar, janë pak nga tabloja e vështirësive që sipërmarrësit e rinj hasën që në gjenezë të krijimit të tyre.
Sfidat janë akoma më të ashpra kur vjen puna te bizneset e vogla familjare dhe te gjithë aktorët e tregtisë me pakicë, iniciativa biznesi që për hir të së vërtetës përbëjnë strukturën e biznesit në Shqipëri. Sipas Trading Economics, sot Shqipëria renditet e 82-ta nga 190 vende për lehtësirat që u ofron bizneseve dhe nuk ka pasur asnjë përmirësim këto dekada tranzicioni, vetëm keqësim. Bizneset e reja karakterizohen nga mungesa e diversitetit të shërbimit apo produktit të ofruar, dhe zakonisht janë më të shumtë në numër në zonat urbane. Sipas sipërmarrësve, një pengesë e madhe për mirëvajtjen e punës është mungesa e efiçensës së administratës për të dhënë shërbim e mbështetje para se të penalizohen për probleme e mangësi, pa lënë mënjanë mungesën e stabilitetit politik në vend.
Një nga problematikat më të mprehta që has biznesi i vogël në vend është korrupsioni, fakt ky i pranuar nga 82% e bizneseve që u morën në studim, sipas Kombeve të Bashkuara. Sipas Bankës Botërore, rreth 36% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) vjen nga tregu informal i punës. Gjysma e të punësuarve punojnë në informalitet, pjesa dërrmuese e tyre në bujqësi. Një problematikë tjetër është mungesa e politikave të mirëfillta të shtetit. Sipas një studimi të kryer së fundmi, rreth 84 % e bizneseve mendojnë se shteti ka një rol të rëndësishëm e duhet të ndërhyjë si rregullator i tregut të lirë dhe i politikave të konkurrencës. Konkurrenca e pandershme dhe paqartësia në legjislacionin që rregullon aktivitetet ekonomike janë faktorë që ndikojnë negativisht në rrjedhën normale të një aktiviteti biznesi në Shqipëri.
Si një vend i dalë nga komunizmi, edhe sot pas tri dekadash ekonomie tregu të lirë, është pothuajse e pamundur që t’i ftosh jo vetëm fermerët, por edhe prodhuesit e vegjël, në formimin e kooperativave private mes prodhuesve të ngjashëm. Rezistenca për t’u bërë bashkë në çfarëdolloj bashkëpunimi, qoftë edhe për të mirën e tyre, është më se e kuptueshme. Porse në gjithë këto vite të gjata tranzicioni, politika përçarëse mes banorëve të lokaliteteve ka qenë kurdoherë e pranishme. Me gjithë problematikat që has vendi ynë, ajo çka sëmbon më shumë lidhur me ekonominë lokale është vullneti për t’i kthyer sytë seriozisht te njeriu i zakonshëm e te sipërmarrjet e tij familjare që prodhojnë të mira ekonomike.
Nëse do të flisnim konkretisht në gjuhën e shifrave, nga totali i sipërmarrjeve jo bujqësore në vend, 85% e tyre janë të vogla, me 1-4 punonjës dhe pjesa më e madhe e tyre ushtrojnë aktivitet në tregti, shërbime dhe akomodim e shërbime ushqimore (kafene apo restorante). Këto biznese të vogla mundësojnë gati 30% të totalit të të punësuarve në sektorin privat në Shqipëri e me një nivel vetëpunësimi të lartë prej 35%, më i larti në Ballkan dhe i dyti në Evropë, pas Turqisë. Nga ana tjetër kemi kompani të huaja punëdhënëse, kryesisht fasoneri dhe automotive, të cilat tërhiqen nga krahu i lirë i punës në vend.
Por vit pas viti, numri i këtyre sipërmarrjeve po vjen duke rënë, si pasojë e qendrave tregtare, zinxhirëve të mëdhenj të supermarketeve, infrastrukturës së blerjeve online dhe të rënies së konsumit për shkak të krizës. Favorizimi i bizneseve të mëdha karshi atyre të vogla mbetet një problem shqetësues, teksa reformat ekonomike e politikat fiskale nuk përkojnë me rezultatin ekonomik të subjekteve. Bizneset e vogla janë ato që preken të parat dhe më shpejt nga kriza. Prandaj rreth 3.400 biznese të vogla kanë falimentuar përgjatë periudhës së pandemisë.
Zhvillimi ekonomik i një vendi që në reforma nuk merr në konsideratë nxitjen e ekonomisë vendore, formalizimin dhe zhvillimin e potencialit të banorëve të saj do të sjellë doemos shkurajimin e mijëra vetave që e kanë gjetur zgjidhjen te sipërmarrjet e vogla apo familjare, si të vetëpunësuar apo të punësuar. Ekonomia lokale mbetet një nga forcat jetike të ekonomisë, ku vetë banorët kanë mundësinë dhe hapësirën të analizojnë se cilat janë qasjet ekonomike që mund të realizohen përmes kapitalit njerëzor, tokës, punës që disponojnë, me qëllimin e vetëm përmbushjen e nevojave vetjake, por edhe të komunitetit të tyre. Për shkak të situatës së vështirë në përgjithësi, por edhe për shkak të krizës së pandemisë, është shumë e rëndësishme t’i jepet një dorë nxitjes së ekonomisë lokale, sepse kjo ndikon drejtpërdrejt jo vetëm në ekonominë e vendit, por edhe në ekonominë e familjeve të përfshira, e që për hir të së vërtetës janë aq të shumta në numër.
Kësisoj, vizioni i zhvillimit të ekonomisë lokale sjell nevojën e ndryshimit të mendësisë politike, si në nivel lokal, edhe kombëtar. Studimet e shumta tregojnë se nuk është gjithmonë efikase ulja e barrës fiskale për bizneset e vogla. Mbështetja që kërkojnë këto sipërmarrje është pikërisht përgatitja e tyre për të qenë “lojtarë të mirëfilltë” të ekonomisë së tregut: duke shembur barrierat për rritjen dhe konsolidimin e tyre përmes një sistemi konkurrence të ndershme e të paanshme, ku mund t’u bëjnë ballë presioneve dhe garës me kompanitë e mëdha. E gjitha kjo përmes përvojës dhe aktivitetit gjithëpërfshirës të një komuniteti, në gjetjen e ekuilibrit mes drejtësisë sociale dhe rritjes ekonomike me një sistem zhvillimi të qëndrueshëm edhe për brezat e ardhshëm. Është e nevojshme të arrihet edhe përmes politikave mbështetëse të zhvillimit të ekonomisë lokale, për t’u dhënë banorëve të një komuniteti ndjesinë e kontrollit të vetë jetës së tyre dhe të burimeve natyrore që u përkasin.
Marcela Tringaj