Një histori e shkurter mbi globalizimin dhe ekonomisë lokale
Që prej kohës që shenjoi fundin e “Depresionit të Madh”, mbarë bota përjetoi një trend të ri drejt globalizimit. Pavarësisht se nuk ka një përkufizim të njëjtë për këtë fenomen, duket se shumë përkufizime për të janë të përshtatshme njëkohësisht. Zakonisht “globalizimi” perceptohet si tendenca drejt rritjes së intensitetit, shpejtësisë e thellimit të lidhjes së ndërsjelltë në nivel botëror.
Koha dhe hapësira u tkurrën për shkak të risive teknologjike dhe kufijtë pothuaj u bënë të padukshëm e të parëndësishëm. Si rrjedhojë, lehtësirat për të bërë ekonomi të hapur dhe ndërlidhëse sollën një transformim socio-ekonomik të paprovuar kurrë më parë. Qoftë për vende të zhvilluara apo më pak të tilla.
Megjithatë, rritja ekonomike solli një zhvillim kryekëput të paqëndrueshëm, sidomos për vendet në zhvillim me një ekonomi të brishtë, ku u investuan shpresa të mëdha tek investitorët e huaj dhe ekonomia e jashtme. Për hir të saj, shpenguar u trand dhe rëndësia e ekonomisë lokale, vetë komuniteti dhe potenciali i tij si edhe nevojat e bashkësive të vogla.
Pa diskutim, kjo qasje e re e të bërit ekonomi dhe zhvillim ka në prioritet përfitimet e korporatave multinacionale që shpesh kanë fuqi edhe më të madhe se qeveritë në disa raste. Një sistem arsimimi, ku hapur nuk i shërben të gjithëve, është i aftë të kontrollojë njohuritë sipas interesit të pakicës.
Padashur të hedh poshtë gjithë arritjet e epokës moderne, të cilën jemi duke e jetuar, të mirat prej Perëndimit të Civilizuar, rendi ekonomik dhe politik anekënd botës është totalisht i paaftë të përmbushë dy nga kriteret bazike të civilizimit njerëzor: nevojën e njerëzve të zakonshëm për të vetërealizuar jetesën në harmoni me njëri-tjetrin dhe mjedisin e të besojnë si rrjedhojë te fuqia e komunitetit ku bëjnë pjesë.
Globalizimi, jo vetëm që është përgjegjës për thellimin e pabarazive mes njerëzve, por gjithashtu edhe për dobësimin e komunitetit. Shumë e shumë studiues propozojnë se ekonomia lokale, aftësia për të ndryshuar komunitetin përmes vetë banorëve, të cilët i njohin më mirë nevojat e tyre, është melhemi për çka shkaktuar deri më tani globalizimi në masë.
Në librin e saj, “Demokracia e Tokës”, Vendana Shiva propozon me të drejtë se fenomeni “globalizim” duhet të vihet në provën e qëndrueshmërisë, demokracisë, drejtësisë dhe se gjithë investimet e mëdha të huaja duhet të realizohen duke mos nëpërkëmbur rolin e shtetit në mbrojtje të interesave të njerëzve të zakonshëm. Por sa shpesh ndodh kjo?
Padyshim se lokalizim nuk do të thotë aspak ekonomi e mbyllur. Është vetëm praktika e një ekonomie që merr në konsideratë mirëqenien e një komunitetit: mundësinë e përfshirjes në ekonomibërje të banorëve të një komuniteti. Pra, është absolutisht e nevojshme që të rikuptohet rëndësia e kontributit të një komuniteti për të përmbushur, në mos të gjitha, disa nga nevojat e tij.
Përgjigjja do të jetë gjithmonë ekonomia locale, jo vetëm për të lejuar prosperimin e banorëve, por edhe për një ekonomi më të qëndrueshme, në nivel lokal e global. Është saktësisht koha që duhet të reflektohet dhe njëkohësisht t’i gëzohemi faktit që mijëra familje nuk kanë reshtur së bëri rezistencë me sipërmarrjet e tyre të vogla. Është koha që të shpërblehen e të krenohemi me ta, gjithmonë nëse arrijmë ta kuptojmë siç duhet.