Një komunitet i suksesshëm
Elinor Ostrom, është një prej dy grave që është nderuar me çmimin “Nobel” për ekonominë. Ajo është një eksperte e politikave ekonomike dhe puna e saj u fokusua më së shumti në rolin e komunitetit për të ndikuar me zgjedhjet e tij në vendimet që merren prej qeverisë për të mirat dhe shërbimet publike drejtuar po komunitetit.
Konkretisht, në mënyrë unanime, ekonomistët gjykojnë se burimet natyrore, të cilat përdoren nga komuniteti mund të mbishfrytëzohen prej tyre. Elinor Ostrom rrëzoi këtë përfundim duke provuar se bashkësi të vogla komunitare mund t’i menaxhojnë burimet natyrore si: kullotat, ujërat për peshkim dhe pyjet. Studimet e saj rezultuan se kur burimet natyrore shfrytëzohen bashkarisht nga përdoruesit e komunitetit, rregullimet ligjore janë të nevojshme për të caktuar se si këto burime të shfrytëzohen në mënyrë të qëndrueshme në term ekonomik dhe ekologjik.
Ostrom gjykon se një komunitet duhet, doemos, të ketë të drejtën që të përfillet e përfshihet në vendimmarrjen lidhur me fatin e “pasurive të përbashkëta” përmes një platforme vetëqeverisjeje komunitare për t’iu përqasur kështu përjashtimit të të huajve nga vedimmarrja e shfrytëzimi i resurseve që i takon një komuniteti. Kështu shmanget “tragjedia e së përbashkëtës” për një komunitet.