Një prezatim i shkurtër mbi ekoturizmin
Ekoturizmi si koncept nisi të përdorej në 1970 si pjesë e lëvizjes mjedisore. Tani është kthyer në një sektor të rëndësishëm në industrinë e turizmit. Ekoturizmi përfshin lloje të ndryshme udhëtimi që kanë si qëllim ndërgjegjësimin dhe respektin e kulturës dhe mjedisit, ndikimin minimal në mjedis, ruajtjen dhe përmirësimin e popullatës vendase.
Ekoturizmi bashkon udhëtimin me promovimin, ruajtjen e zonave të mbrojtura natyrore dhe përfitimin e ekonomisë lokale. Njerëzit që planifikojnë eko-pushim vizitojnë peisazhe të bukura dhe edukohen për mbrojtjen e zonave të ndryshme, mbështetjen e kulturave dhe ekonomive vendase.
Disa nga llojet e ekoturizmit janë:
Strehim eko – përfshin strehim të ndërtuar me qëllim mbrojtjen mjedisore si hotele të ndërtuara me materiale të qëndrueshme ose “eko resorte” me aktivitete si vëzhgimi i zogjve ose lëvizje në natyrë.
Agroturizmi – fokusohet në komunitetet e fermave rurale si tërheqje turistike. Disa shërbejnë për të inkurajuar dhe mbrojtur komunitetet agrare të kërcënuara në vende të pafavorizuara. Disa tregojnë metodat e qëndrueshme të bujqësisë.
Zhvillimi i komunitetit – përqendrohet në mbrojtjen e tokës dhe jetës së komuniteteve të kërcënuara nga industria, shpyllëzimet dhe nënproduktet e modernizimit. Organizata të tilla ofrojnë mundësi për turistët që të bashkëveprojnë me vendasit duke mbjellë pemë, ndërtuar shtëpi ose mësuar tregtinë vendase. Zhvillimi i komunitetit ndërgjegjëson dhe rrit respektin midis vizitorëve dhe vendasve gjithashtu ofron përfitime financiare për komunitetin.
Udhëtimet eko – përfshijnë udhëtime në vende ekzotike, të rrezikuara ose të veçanta. Ato përfshijnë rafting, ngjitje në shkëmb, not, shpella ose lundrim për të rritur ndërgjegjësimin në një rajon të veçantë dhe kërcënimet mjedisore që lidhen me të.
Qëllimet e ekoturizmit janë:
- Ruajtja e habitateve të mbrojtura, kafshëve të egra dhe parqeve.
- Ndikimi në ekonominë vendase.
- Ndërgjegjësimi social dhe kulturor duke pasqyruar realitetin social dhe ekonomik.
- Edukimi i turistëve dhe banorëve për qëndrueshmërinë dhe ruajtjen.
Nga Aleksandra Stambolliu