Një qoshk i përshpirtshëm në Tiranën e trazuar
Në një cep afër Pazarit të Ri, në një nga lagjet e vjetra të Tiranës, përditë besimtarët dhe turistët e huaj, hyjnë e dalin prej xhamisë së Kokonozit. Kushdo që ka kaluar andejpari, syri ia ka zënë një trung shege, limonin jeshil dhe deri vonë imamin e hatibin Saimir Ismaili.
z. Ismaili që prej vitit 2004 ka pritë e përcjellë miq prej të katër anëve, mu në atë shtëpizë të vockël, mbuluar prej dritës së diellit qysh në ag. Hoxhë Saimiri anash shërbesave të fisme që i dha kësaj xhamie për 16 vjet, mes qytetarësh njihet edhe për përkushtimin e tij në dokumentimin e kulturës Islame brenda trojeve shqipfolëse. Si pak prijës fetarë, ai me zell ka lundruar nëpër vitet e historisë për të gjetur dokumente, libra, manuskripte e gjëra të tjera me vlerë tejet të madhe, që flasin për të shkuarën e shquar (thuajse krejt të panjohur) të një populli, që sot është zhytur në harresë.
Në harmoni me kujtimet, përpjekjet, lodhjen, sfidat e durimin, Saimiri rrëfen me një dashuri të paepun mbi kujtesën kolektive, randesën e së shkuarës dhe vlerën kolosale të këtyre thesareve që ruhen prej shpirtit të tij!
z. Saimir kur nisët koleksionimin?
Koleksionimin e kam nis kaherë me nijetin personal për me mbledhë materiale me vlerë. Çdo gjë ka fillu në një ditë Ramazani. Kam qenë tek dyqani i një prej tregtarëve të antikuareve, zotit Fadil Abazi, kur erdhi një arkë me libra fetarë. Fill, shpreha dëshirën për t’i blerë. Dhe mu aty, në atë ditë të bekueme, lindi ideja që të themeloja një qendër për dokumentimin e kulturës Islame, në trojet shqipfolëse. Qysh atëherë morri jetë kjo ide, e vazhdon sot e asaj dite.
Sa vite kaluan që prej asaj dite?
Shumë vite. Mbase, më tepër se dhjetë. Ka qenë pasioni im i hershëm për me mbledhë gjëra të vjetra. Nuk e di se prej ku më ka buru kjo dashni. I kam dashtë gjërat ku ishte mëshiruar shpirti i të tjerëve, sepse gjërat antike kanë një lloj shpirti brenda, që s’di ta shpjegojë më tepër. Kaherë mbledhja gjëra pa rëndësi për të tjerët, por me peshë për të ardhmen.
Çfarë keni grumbulluar nëpër vite?
Më së shumti, libra. Po, librat janë asetet kryesore. Libra ma të vjetër se 5 shekujë. Por kemi dhe plot objekte të tjera, p.sh. tasa Kur’ani, tepsije të vjetra, dokumente të hershme pronësore dhe historike, shqip e osmanisht. Kemi vula të vjetra, shpata të moçme, qëndisje të grave shqiptare me tematika fetare, etj. Kohët e fundit përbënë interes mbledhja e “silsile-ve” Interesantë janë dy zingjirë unikal të lëvruar në Shqipëri, e që datojnë prej 1800-tës. Të veçanta janë edhe dokumentet otomane shumë të hershme (fermanë) që flasin për historinë e bashkëjetesës fetare në Shqipëri. Kemi unaza të vjetra, myhyre e astrolap. Më lejo të them, se kemi dhe disa hara fort unikale, të punueme me dorë ose nga ushtria ose dikush tjetër. Bëhet fjalë për hartën e Karadakut, që i thonë Karatag, pra Malit të Zi, me të gjitha legjendat, shenjat e plota, fshatrat, lumenjtë, rrugët … shumë, shumë unike. Kjo hartë, ka qenë pronë e Rauf Ficosë, politikanit dhe atdhetarit të famshëm shqipëtar, që na e ka dhuru i biri, Bardhyl Fico.
Mes gjithë kësaj begatie, çfarë ke më për zemër?
Ah! Nuk është kaq e thjeshtë! Për mua, koleksioni i dhuruar nga Rauf dhe Bardhyl Fico është gati më i çmueshmi. Kemi dokumente dhe ditarë me vlerë historike, meqë Raufi ka qenë ambasador në shumë kryeqendra botërore. Disa libra kanë të bëjnë me të atin e Raufit, Remzi Fico, i cili ka qenë kadi (gjykatës) i Portës së Lartë. Remziu më vonë u emërua kryekadi i gjithë Jemenit. Nga ky koleksion spikasim dorëshkrimin apo një libër të madh e të trashë që daton qysh në 1650-tën. Libri titullohet “Humajunama” që do të thotë “Libri i Mbretërve”. Poashtu, dua të përmend një Kur’an, manuskript i shkruar me dorë, i cili është jashtëzakonisht i bukur, më plot ornamente, i rrallë për nga lloji dhe i cili i është dhuruar Remzi Ficosë nga i urti Jahja, që ish një nga krerët e tribuve të Jemenit. E rrallë është edhe harta e lartpërmendur e Malit të Zi. Kemi dhe disa dokumente të rëndësishme otomane të lëshuara prej autoriteteve të kohës, nga Porta e Lartë.
Në koleksion kemi edhe librat e njërit prej hoxhallarëve të shekullit të kaluar me origjinë nga fshatrat e Malësisë së Tiranës. Quhej Beshir Lila. Ne kemi arrijtë me ble prej të birit të tij, pothuajse pjesën më të madhe të biblotekës së hoxhë Beshirit. Dikund, në një prej librave dallohet me shkrim dore, që ai i mallkon të bijtë e vet nëse nuk përfitojnë prej këtyre librave, apo nuk u’a japin atyre që nxjerrin dobi prej librave.
Pjesë tjetër e rëndësishme është fondi i vëllëzërve Kolgjini, të cilët migrojnë nga Mirdita në fshatrat e Librazhdit. Njëri syresh prej tyre ka kryer studimet e larta në Stamboll dhe një pjesë të mirë të librave të tij, na e ka dhuruar i vëllai që jeton ende. Ali Kolgjini është në moshë të thyer, por këto libra i ka ruajtur dhe bartur kudo që ka jetuar.
Fatbardhësisht, jemi nderuar edhe me biblotekën e Ferid Vokopolës. Shumë shkrime, poezi, këngë, libra, fotografi e madje edhe çallma e tij është në qendrën tonë.
Një nga veprat e rralla që posedon qendra jonë është edhe dorëshkrimi origjinal i Naim Frashërit, poema “Ëndërrime” (Tekhajulat). Është dorëshkrim shumë i rallë, të cilin e ka posedu dhe përkthy i ndjeri Vehxhi Buharaja.
Së fundmi një libër i rëndësishëm na është dhuruar nga pinjolli i familjes së Seit Bylykut, libër ky i trashëguar për breza të tërë në familjen e tij. Më saktë, ky libër është trashëguar prej babit të Seitit, Ibrahim Bylyku.
Më lejo të përmend se kemi edhe gurë, prej atyre që vendoheshin në pragun e shtëpisë, në të cilët janë skalitur datat e ndërtimit të shtëpisë dhe fjala “Mashallah”. Në qendër posedojmë edhe shumë dokumente të tjera …
… ju keni edhe dokumente të tjera akoma të paklasifikuara?
Unë punoj i vetëm në gjithë këtë le të themi qendër, projekt a fundja përpjekje. Anise nuk është aspak e lehtë mundohem që t’i dedikohem përditë letrave, librave e objekteve të tjera, për të cilat druhem fort! Mendoj se u ka ardhë vakti për trajtim edhe më serioz, urgjentisht madje! Janë të pafundme letrat që po presin për t’u klasifiku! Dokumente të vyera e të rralla…
Në cilat gjuhë janë shkruar kryesisht këto dokumente?
Pjesa më e madhe e dokumenteve është shkruar në osmanisht, por kemi plot sosh edhe në gjuhën shqipe. Madje, kemi ca koleksione të shkruara në shqip por me germa osmane.
A është e vështirë me dëshifru të tilla shkresa?
Goxha e vështirë, por jo e pamundur. Anise vet i kam dëshifruar, tek – tuk me ndonjë dorë ndihme prej miqsh.
Ku e mbanit gjithë këtë pasuri para se të merrnit me qera këtë ambient tepër modest, e në mos të papërshtatshëm për natyrën e qendrës dhe sigurinë e saj e tuajën?
Dikur i mbaja në shtëpi. Të gjitha. Por, dita – ditës gjërat u shtuan shumë si numër. Ishte pak e vështirë t’i lija rrotull, sepse bashkë me to u shtua edhe familja. Nuk para është e pëlqyeshme me i lënë librat e vjetra aty ku kalojnë gjithë ditën fëmijët. Megjithëse, përtej cdo vështirësie, dëshira ime më e madhe ishte që këto libra të bëheshin të aksesueshme për të tjerët, dhe të mos mbeteshin veç si “pasuri personale”. Doja që të rinjtë, ata njerëz që e dijnë dhe e njohin vlerën e së shkuarës të kishin mundësi për të gjurmuar nëpër histori e ta freskonin kujtesën.
Nga çfarë thoni, duket se mirëmbajta do goxha mund?!
Mirëmbajtja është problem më vete, sepse kërkon mund, shumë financë dhe vend të posaqëm, me kushte të volitshme, ku këto libra e materiale të qëndrojnë. Kjo është pjesa më e vështirë të cilën ne nuk e mbulojmë dot me mundësitë e kushtëzuara financiare. Letrat me kalimin e viteve akumulojnë aromë të rëndë dhe kanë brejtës (insekte letre) të cilat e dëmtojnë librin, ndaj dhe mirëmbajtja është e domosdoshme. Lusim Zotin, që t’i krijojmë një vend të veçantë këtyre pasurive që kemi, edhe t’i rehabilitojmë ato e t’i sjellim në kushtet optimale.
Kaq i detyrohemi atdheut, shoqërisë, kujtesës së këtij populli e madje vetës dhe brezave që do të vijnë!
Cilat janë sfidat në procesin e koleksionimit sot?
Financat janë sfida më e madhe, penalitet i padiskutueshëm. Ajo çfarë na ka thyer më së shumti dhe na ka preokupuar është edhe fakti që këto libra me tematike fetare, sidomos manuskriptet, janë objekte lakmie për tregtarët, të cilët kanë shumë interes dhe i blejnë ato me të parë, përnjëherë, duke u nis nga financat e bollshme.
Kjo na shtyen të mendojmë se ndoshta këtu mund të jetë një vullnet jo i mirë për largimin e këtyre materialeve nga vendi ynë, thënë ndryshe një përpjekje për të fshehur a lënë në harresë, memorien kolektive. Në Shqipërinë postkomuniste, brezat ballafaqohen me mungesë të kulturës fetare, ndaj rrjedhimisht edhe respekti kundrejt këtyre pasurive është i mangët. Kështuqë, sot gjendemi para dy realitetesh; atij që librat e çmueshëm i hedh në koshin e plehrave meqë nuk ja u di vlerën dhe pala tjetër, e cila e joshur nga ofertat e tregtarëve që vijnë nga brenda dhe jashtë Shqipërisë, i rrit çmimet e librave në maksimum, duke na e pamundësuar ne të vegjëlve posedimin e tyre. Shto këtu gjendjen ekonomike, që e bën edhe më të theksuar dëshirën a nevojën për t’i shitur sa më shtrenjtë ato pak kujtime të së kaluarës, që rrokin nëpër rreshta a melodi – jetë njerëzish dhe vepra të panjohura e të pamatshme për nga aspekti i rëndësisë.
A mos do të thuash që shqiptarët nuk e dijnë vlerën e koleksionimit?
Fare. Sidomos kur bjen fjala tek koleksionet fetare. Janë të shpërfillura. Nuk u ipet rëndësi. Fatkeqësisht, shprehim keqardhje të madhe, për gjithë ato bibloteka të rëndësishme sidomos të periudhës së hershme otomane që posedohen prej tregtarëve të cilët i kanë nxjerrë në shitje, porse është e pamundur të blihen, për shkak të të ardhurave tona. Duke mos patë përkrahje ekonomike të mjaftueshme, shpesh herë n’a ikin doresh materiale teper të vyeshme.
E them sërish, ndoshta trauma e komunizmit ka bërë që njerëzitë të jenë mosbesues në gjërat me vlerë. Mbase edhe kushtet ekonomike. Madje – madje, edhe një soj moskorrektësie nga ana e atyre që janë marrë me mbledhjen e librave kryesisht pas rënies së komunizimit. Këtyre të fundit, u janë besuar librat e biblotekat nga shumë familje fetare për t’u dhuruar nëpër institucione fetare, por të gjitha kanë përfunduar në destinacione të tjera.
A të habisin gjetjet ndonjëherë?
Të duket e pabesueshme kur ke në dorë dokumente që të tjerët nuk i çmojnë?
Sa e sa herë jam habit e kam qajtë, kur më kanë rënë në dorë gjëra shumë të rralla, që s’më kishte shku mendja kurrë që do arrija t’i kisha. Ndoshta edhe kam qajtë nga dashnija e madhe. Nuk ka burrni në atë pikë!
Një fshehtësi; kujt i je borxhli për këto vite pune? Kush ka qenë mbështetës, përkrahës kryesor?
Zotit i jemi borxhli për gjithçka. Së dyti, borxhli jam ndaj zonjës sime, Loela Xhafa, e cila në momentet më të vështira më ka mbështetë financiarisht por edhe në anën psikologjike. Kur kemi ndjerë pezmatim për të vazhdu më tej, ndërhyrjet e saj kanë qenë shumë vendimtare.
Bisedoi: Fjolla Spanca