Një reflektim modest mbi varfërinë globale
“The top 9 causes of global poverty” qe shkrimi i përgatitur nga hulumtuesja Kristin Myers në Maj të vitit 2018, i cili më pas do të publikohej dhe shpërndahej prej OCHA services. Brenda artikullit, ndër tjerash përmendej se në mos më shumë se 10% e popullsisë së mbarë botës jeton në kushtet e varfërisë ekstreme, ndërkaq 9 faktorët e renditur si shkaktarët kryesorë të kësaj gjendjeje ishin:
- Qasja jo-adekuate në ujë të pastër dhe ushqime të shëndetshme
- Pak ose aspak akses në mjetet e jetesës ose vendet e punës
- Konfliktet e armatosura, lufta, gjenocidi
- Pabarazia
- Edukimi i varfër
- Ndryshimet klimatike
- Mungesa e infrastrukturës
- Kapacitetet e kufizuara të qeverive
- Mungesa e rezervave
Myers e përmbyllte shkrimin duke pyetur se çfarë mund të bëjmë ne të shqetësuarit për t’i ndihmuar skamnorët? Sipas Kristin nëse besojme se varfëria ekstreme mund të zerohet, atëherë duhet lobuar që qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare ta thellojnë bashkëpunimin dhe përpjekjet për t’i trajtuar shkaqet kryesore të varfërisë. Duke i ndihmuar komunitetet që të përballen me ndryshimin e klimës; duke ju dhënë qasje në ujë të pastër e ushqime të shëndetshme si dhe duke ju ofruar mundësi për tu arsimuar/ edukuar doemos do te hapen shtigje të vyera mundësish për miliona njerëz që frymojnë akoma!
- Po ne, sa herë kemi menduar të lobojmë e avokojmë pranë institucioneve për ta ndryshuar gjendjen e komshiut që nuk arrin as copën e bukës ta siguroj për familjen dhe veten?
- Sa herë kursejmë ujin, ndajmë ushqimet a falim libra me qëllimin për ta zbutur varfërinë brenda komunitetit?
Vërtetë këto janë veprime të vockla fare e mbase edhe të papërfillshme, por nëse ndryshimi për Mirë nuk fillon me ty dhe mua, atëherë më kë tjetër duhet të niset ky plan i fisëm?