Një shkollë biznesi në shitje
Shkollat e biznesit janë në qarkullim që prej vitit 1819, vit kur École Supérieure de Commerce de Paris themeloi të parën grande école të biznesit. E që prej asaj dite shkollat e biznesit mbinë si kërpudhat pas shiut. Sot numërohen rreth 13.000 shkolla biznesi në të gjithë botën, 3.000 prej të cilave janë private. Konkretisht për një student vendës në Britaninë e Madhe kostoja e një shkollimi të tillë varion 14.000–43.500 £ në vit, duke mos përfshirë këtu koston e jetesës gjatë studimeve. Ndërsa për një student ndërkombëtar tarifat janë shumë më të kripura. Për një diplomë MBA në shkolla si Wharton apo Harvard Business School tarifa shkon 25.000–100.000 £. Për hir të së vërtetës, sot këto shkolla biznesi tejkalojnë shumë kompani të mëdha botërore për nga të ardhurat që gjenerojnë dhe nga reputacioni e influenca.
Veç sillni ndër mend numrin e madh të të punësuarve në këto shkolla, armatën e të diplomuarve çdo vit dhe shumat e majme të parave që qarkullohen prej këtyre tyre. Kësisoj nuk është çudi që një nga tiparet e këtyre shkollave është shuma e kripur që përdorin për marketing. Website-t e këtyre shkollave përdorin teknika e dizajne moderne e interesante për të reklamuar shërbimin e tyre. Fashat e reklamave që tërheqin vëmendjen me tituj bold si“Realizo ëndrrën!”, “Njohuria është sukses”, “Gjej veten tënde”,duket sikur po reklamojnë një kurs pianoje, joge apo shërbime celulari e jo dhënien e një diplome. Moderne e mjaft të kuruara e komode janë edhe ndërtesat e këtyre shkollave: një recepsioniste veshur smart pas dyerve prej xhami me sensorë, kafene e mensa moderne, kënde pushimi e relaksi stil resorti, salla leksionesh e seminaresh me tapetë të trashë e që shkëlqejnë nga pastërtia.
Nga ana tjetër, këto shkolla mirëfunksionojnë, sepse ka një kërkesë që sa vjen e rritet. Sipas Aspen Institute, arsyeja fillestare pse një student vendos t’i futet shkollës së biznesit është besimi se në të ardhmen do të bëhen pjesë e kontributit të një kompanie, që ka për qëllim të prodhojë të mira e shërbime nga të cilat mund të përfitojë shoqëria. Mbas përfundimit të studimeve, besimi i hershëm i studentëve transformohet në bindjen se shkollimi i tyre vlen për të maksimalizuar fitimet e kompanisë, e vetëm pastaj vjen interesi i shoqërisë e ideale të tjera me radhë. Të shumtë janë ata që besojnë se shkollat prestigjioze të biznesit janë vendet më të mira për të krijuar mundësi të pashoqe karriere e mundësi ku lidhjet dhe njohjet vlejnë më shumë sesa tarifat e paguara.
Një situatë ‘win-win’ e krijuar për të përfituar të dyja palët: nga njëra anë kompanitë që besojnë se punonjësit e arsimuar në shkolla të tilla janë shumë më të talentuar, kreativë dhe profesionalë për të marrë vendimet e duhura që maksimalizojnë fitimet e kompanisë dhe, nga ana tjetër, universitetet prestigjioze që nga kërkesa e lartë për të prodhuar profesionistë të tillë, rrisin çdo vit tarifat universitare. Ajo çka një shkollë biznesi ka formësuar është një lloj utopie dedikuar vetëm të pasurve dhe të pushtetshmëve, një grup i privilegjuar ku inkurajohesh të bësh pjesë kundrejt një tarife të kripur.