Një studim ndryshe për flinë e Kosovës

Sa herë në mendje na vjen Kosova, disi natyrshëm kujtohemi për flinë – atë gatim hirplotë të sjellur mrekullisht shijshëm prej duarve që veç “rendeve” të harxhit të shtruara mbi tepsinë poshtë saçit, duket sikur falin copëza zemre edhe brenda ajkës së freskët që i shkrifëton petët e flisë.
“Miell, ujë e kripë” – janë përbërësit kryesorë të flisë, e cila konsiderohet si një nga ushqimet më të shijshme dhe më të famshme të shqiptarëve. Ndonëse tingëllon krejt e kollajtë si recetë, do mund të konsiderueshëm për t’u gatuar dhe përveç shijes e famës, flija mbetet pjesë goxha e rëndësishme e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Fatkeqësisht, dijet tona mbi kulturën buknore janë shumë të limituara, andaj shpesh kufizohemi rrotull recetave në diskutimet mbi traditat e sofrës sonë. Në një kohë kur gjërat ndryshojnë dhe harrohen, recetat nuk janë më të mjaftueshme, nëse nuk i dijmë rrënjët dhe sekretet e gatimeve! Kështu, përpjekjet e frytshme që po bëhen në dekadat e fundit për studimin e kësaj kulture të venitur janë më shumë se të mirëpritura! Madje të nevojshme dhe të domosdoshme.
Kohë para, në Prishtinën e bukur u botua libri “Flija” përmes së cilit mëtohet të paraqitet kultura buknore shqiptare nëpërmjet simbolit dhe praktikës së flisë. Autori, Arsim Canolli – profesor i antropologjisë në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Prishtinës patë thënë se ideja për të shkruar një libër rreth flisë nuk ishte krejt e rastësishme, meqë ai ndër vite studion kulturën bunkore në kuadër të antropologjisë. Madje, profesor Canolli ndërmend se përmes ushqimit apo bukës siç rëndom thuhet në popull, mund të njihet akoma më mirë kultura e një vendi, diversiteti dhe shkëmbimet kulturore, botëkuptimi për mikpritjen, traditat, ndryshimet, etj.
Në një intervistë të dhënë për Periskopi-n autori i librit “Flija” sqaron lexuesitë se nuk bëhet fjalë për një kërkim shkencor të përqëndruar mbi receta gatimi përkundrazi, Canolli tregon se përmes studimit të flisë si haje esenciale në traditën shqiptare, ai ka dashur të shqyrtoj sjelljen dhe kulturën shqiptare në kontekst të këtyre aspekteve por duke u fokusuar kryesisht në Kosovë. “Gjatë dy dekadave të fundit kemi përjetuar një fazë intensive të shtetndërtimit. Në këtë intensitet, kosovarët kanë dashur të identifikojnë dhe të zhvillojnë disa simbole e praktika kulturore të Kosovës, duke dashur t’i theksojnë ato si kulturë shqiptare e Kosovës, gjithnjë në kontekst të shtetndërtimit por edhe të rivitalizimit të traditës, si proces negociues i zhvillimeve e ndryshimeve të reja shoqërore”, thotë Canolli.
Për t’i dhënë dritën e botimit këtij librit, Arsim Canolli ka kryer studime në terren, brenda Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi e Maqedonisë.
Ndërkaq Kosova tashmë flinë e ka futur në listën e mbrojtjes së trshëgimi kulturore e shpirtërore.