Një tjetër shkollë shqipe në Merano të Italisë
Mësuese Dhurata Tusha prej vitesh jep kontributin e saj në ruajtjen dhe trashëgimin e gjuhës shqipe në Merano dhe zonat rreth saj.
Këtë vit Tusha ka qenë nismëtare për hapjen e shkollës së parë shqipe si pjesë e programit mësimor të shkollës në Merano më datën 01 tetor 2021.
Dita e parë e mësimit nisi me sloganin: Ruaje, mësoje, trashëgoje gjuhën. Gjuha është thesar.
“Gjithashtu ditën e sotme hapet Shkolla Shqipe Mittelschule Lana në vitin e shtatë të saj, ndërsa të mërkurën fillon Shkolla Shqipe Knabenschule Lana vitin e 14-të. Të tre shkollat janë pjesë e programit plotësues mësimor të shkollave shqipe”, tregon për Diaspora Shqiptare Dhurata Tusha.
Por përveçse aktivitetit si mësues Tusha është shumë aktive ne komunitet. Vitin e kaluar mori pjesë në garën për këshilltar bashkiak, të cilën e humbi për pak vota ndërsa më 10 tetor rikthehet të kandidojë sërish për të njëjtin pozicion këshilltari./Diaspora Shqiptare