Një udhëtim në fshatin Kosinë
Fshati Kosinë gjendet në njësinë administrative “Qendër Piskovë”, Bashkia Përmet. Mbi një kodër ndodhet kisha “Fjetja e Shën-Mërisë”, ndërtim i vitit 1460. Ajo është 558-vjeçare, por struktura e saj e hershme daton që nga koha e perandorit romak Justinian, në shekullin e gjashtë. Eshtë cilësuar si kisha e dytë më e vjetër në Ballkan, e ndërtuar sipas stilit bizantin, dhe në anën veriperëndimore ka disa mbishkrime ende të panjohura. Ajo është shpallur Monument Kulture që në vitin 1963, por vetëm në 2018-n ka përfunduar restaurimi i saj nga brenda dhe jashtë.
Aktivitetet kryesore ekonomike në fshatin Kosinë janë bujqësia, blegtoria, vreshtaria, tregtia e kohët e fundit, edhe turizmi. Në zonë mund të ushtrohen veprimtari të ndryshme turistike, si: ngjitje me mushka apo gomar, ngjitje në shkëmbinj, çiklizëm malor, ski, kajake, rafting, vizitë në kanione etj. Ndonëse mungojnë operatorët turistikë, gjenden dy agjenci turistike që ndihmojnë për të siguruar guida lokale.
Fshati Kosinë ndodhet 500 m larg aksit rrugor kombëtar Përmet—Këlcyrë, të shtruar me asfalt, dhe rreth 8 km larg qytetit të Përmetit. Ai është 124 km larg kryeqytetit, Tiranës, dhe aeroportit ndërkombëtar të saj, si dhe 78 km larg aeroportit ndërkombëtar në Greqi. Ndërsa zona historike e qytetit të Gjirokastrës gjendet 27 km larg.
Në Kosinë, në 14 gusht, festohet festa lokale turistike “Gatimet e gjysheve”. Festa zhvillohet në qendër të fshatit dhe në vigjilje të festës tradicionale të Shën-Mërisë së Kosinës. Gjyshet ndërsa gatuajnë, shoqërohen nga disa vajza dhe djem të rinj. Kjo simbolizon njohjen dhe përcjelljen e traditës së gatesave tipike nga njëri brez te tjetri. Gjatë festës, gjyshet përmetare të Kosinës përgatitin në kohë reale disa gatime tipike të zonës. Eventit i bashkohen edhe sazet e Përmetit, të cilat performojnë këngë të njohura përmetare, zhvillohen aktivitete të lidhura me njohjen e fshatit, kryhen vizita në kishë dhe shtëpitë tradicionale prej guri etj.
Në këtë ditë vizitohen dhe shijohen panoramat e mrekullueshme, ku gërshetohen me njëra-tjetrën bukuritë e lumit dhe kanioneve të Langaricës me urën e gurtë të Katiut, me një hark të madh, e ndërtuar në kohën e Ali Pashë Tepelenës, me urën e Dashit etj. Festa ka si qëllim të promovojë kulinarinë e pasur dhe bio të zonës, duke kthyer vëmendjen nga ruajtja dhe trashëgimi i saj si pjesë e rëndësishme e traditave të kësaj treve. Tradita e gatimeve të njohura përmetare përfshin prodhimin e reçelrave, glikove, rakisë dhe të verës së njohur.
Turizmi familjar i mirënjohur për vlerat etno-kulturore ka vendin e tij në mozaikun e agroturizmit, si pjesë e turizmit alternativ. Cilësia shumë e mirë e pijeve alkoolike favorizohet nga klima e vendit dhe varietetet e rrushit autokton, si merlot, debin, moskat, që mbretërojnë në vreshtat e gjithë zonës. Zona ka biodiversitet të pasur, ku mbizotërojnë bredhi, lisi, pisha e zezë, bliri dhe disa shkurre, si dëllinja, lajthia etj.
Historikisht udhëtarë të huaj, si Evia Çelebi, Pukëvili, Edit Durhami etj, kanë folur me konsideratë të veçantë për këtë zonë: për mikpritjen, bujarinë, gatimet dhe për pastërtinë përmetare. Për shembull, historiani turk Çelebi, i cili vizitoi Përmetin, në botimin e tij me titull “Shqipëria para dy shekujve” shkruan se ‘kështjellën e Përmetit e kanë themeluar romakët. Klima e Përmetit është e butë dhe e bukur.’ Ndërsa Edit Durhami në librin “Brenga e Ballkanit” shkruan se Përmeti ka qiparisat më të bukur të botës. Ajo shpreh edhe mendime shumë të mira për amvisat përmetare, të cilat, sipas saj, janë më të mira se ato të Holandës./AgroTime