Një varëse në kujtim të shkenctares Sabiha Kasimati

Nuk ndodh rrallë që njerëzimit i vishet një memorie kolektive artificiale e cila bën që civilizime të ndryshme të pësojnë krizë identiteti. Kështu ndodhi dhe me ne pas rënies së komunizmit: përmes shkatërrimit të çdo objekti që na lidhte me atë kohë, na bëri të besojmë se kësisoj do të mund të shfarrosnim nga kujtesa një të shkuar plot neveri dhe absurditet.
Njëkohësisht ne nuk u kujtuam mjaftueshëm edhe për ato figura të rëndësishme të kulturës, shkencës, letrave, artit a çdo fushe tjetër, të cilët patën një fat tragjik. Nuk kemi dhënë mjaftueshëm mirënjohje atyre që patën vizionin, patriotizmin dhe dëshirën për t’i dhënë gjithçka nga vetja vendit tonë. Në harresën tonë kolektive dikush sjell ca xixa shkëlqimi që nuk duhet të na ngacmojnë veç shqisat por dhe shpirtin.
Kështu ka menduar edhe Margjelo, punishtja e filigranit në Shkodër e cila ka sjell një punim në kujtim të Sabiha Kasimati. Varësja mban emrin “Peshqit e Shqipërisë” si nderim i kujtimit një biologe dhe iktiologe, e cila konsiderohet të jetë gruaja e parë shkencëtare shqiptare. Ajo po punonte për një monografi mbi peshqit shqiptarë, kur jeta e saj përfundoi papritur dhe brutalisht në natën e 26 shkurtit 1951.
Ajo ishte vetëm 38 vjeç dhe u ekzekutua nga regjimi komunist së bashku me 21 intelektualë të tjerë. Varësja ështe porositur nga Aleksandra Kukula (punonjese e Bashkimit Europian) nga Polonia që jeton aktualisht në Prishtinë por më parë ka jetuar në Tiranë. Ajo mendon se Sabiha Kasimati meriton një kujtim më të dashur nga bashkëqytetarët e saj shqiptarë pasi ajo ishte një karakter dhe mendje vërtet frymëzuese dhe moderne.
Ndaj kjo varëse nuk është thjeshtë një punim artizanal. Si kuptimi i fjalës filigran në latinisht, që përkthehet fjalë më fjalë ‘fije dhe kokërr’, duket se varësja “Peshqit e Shqipërisë” është fija mes kujtesës dhe mirënjohjes për ata që e deshën pa kushte këtë vend.