ORGANIK apo BIO? – Ana Shima nga Pemla na mëson mbi këto dy terma tepër të përdorur
Duhet ta keni vënë re që tek Pemla nuk i vedosin në asnjë etiketë dhe as nuk i përshkruajnë produktet me termat bio ose organike.
Arsyeja është e thjeshtë, këto terma në industrinë ushqimore kanë shumë rëndësi dhe tregojnë një standart të përcaktuar. Ky standart tregon që toka ku lënda e parë që është mbjellë dhe kultivuar është organike sipas standardeve të legjislacionit në fuqi, por gjithashtu që edhe ambjentet ku përpunohet dhe prodhohet ky produkt janë po të çertifikuara dhe kontrolluara sipas këtij standardi organik ose bio.
Në Shqipëri është e vështirë që çdo fermer të marrë çertifikim organik sepse është një investim goxha i madh, si kohor (minimumi 3 vjet), por edhe financiar për një fermë të vogël dhe shumica e fermave të mëdha të çertifikuara organike e bëjnë këtë investim për tregje goxha më të mëdha se ky i Shqipërisë, pra kryesisht për eksport.
Kjo gjë po ndryshon, kemi mjaft ferma që po konvertohen në standarte organike, konsumatorët tanë si dhe fermerët po ndërgjegjësohen për avantazhet e këtij standardi, por gjithsesi ka ende shumë punë përpara nesh. Për arsye të ndryshme termat bio dhe organik po përdoren, ose keqpërdoren pak në kundërshtim me këto standarte të industrisë ushqimore, për të përshkruar ndoshta një produkt natyral ose artizanal.
Për t’u informuar më mirë për produktet që konsumoni duhet të kini parasysh që një produkt të quhet organik ose bio duhet të ketë 95% të përbërësve (ose ingredientëve) me origjinë organike, të ketë logon zyrtare të BE për produkte organike dhe të ketë të shënuar dhe numrin e çertifikatës organike që ka marrë nga trupat ndërkombëtare çertifikuese.