Organizatat mjedisore kundër ndërtimit të aeroportit në Nartë e për këtë kanë absolutisht të drejtë!
Një grup prej pothuaj 40 organizatash mjedisore kërkojnë anulimin e ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës brenda zonës së mbrojtur ‘Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë. Kjo me argumentimin se Laguna e Nartës dhe mjediset përreth përfaqësojnë një nga ekosistemet ligatinore më të mëdha e më të rëndësishme të Shqipërisë dhe Mesdheut.
Vjosë-Narta, përveç se është Zonë e Mbrojtur në rang kombëtar, është gjithashtu pjesë e pothuajse të gjitha rrjeteve ekologjike ndërkombëtare në të cilat një zonë natyre në Shqipëri mund të bëjë pjesë. Kësisoj, zona është e njohur ndërkombëtarisht si “Zonë e Rëndësishme për Shpendët dhe Biodiversitetin”.
Kjo zone, sipas mjedisorëve, ka regjistruar një numër total prej mbi 200 lloje të shpendëve të egër. Prej këtij numri, 33 janë të listuar me status kërcënimi në Listën e Kuqe të Shqipërisë. Vjosë-Narta është vendfolezimi më i rëndësishëm në Shqipëri dhe ndër më të rëndësishmit në Evropë për disa lloje të rendit të baltakëve (Charadriiformes).
Mund të përmendet këtu rasti i sqepbizës (Recurvirostra avosetta), popullata riprodhuese e së cilës brenda Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë është më shumë se 1% e popullatës së përgjithshme të rajonit biogjeografik të Evropës Juglindore, Detit të Zi dhe Turqisë. Në vijim, Vjosë-Narta mbart rregullisht mbi 1% të popullatave të dy llojeve të rajonit të Mesdheut dhe Detit të Zi, si pelikani kaçurrel (Pelecanus crispus) dhe flamingoja (Phoenicopterus roseus).
Ndërtimi i një infrastrukture të përmasave të tilla si aeroporti i propozuar, jo vetëm që do të tjetërsonte në mënyrë të pakthyeshme peizazhin e mrekullueshëm të zonës, por do të largonte të gjithë këto lloje e vlera, sipas organizatave mjedisore shqiptare. Për më teper, sipas tyre, ndërtimi i aeroportit në vendin e parashikuar paraqet rrezikshmëri të lartë për vetë sigurinë e aeroplanëve dhe njerëzve.
Kjo zonë përfaqëson një prej segmentëve më të rëndësishëm të korridorit të shtegtimit të Adriatikut, ku qindra mijëra shpendë gjejnë ushqim dhe strehë gjatë sezoneve të shtegtimit. Një pjesë e këtyre shpendëve, si për shembull pelikanët, çafkat, pulëbardhat, flamingoja etj, që në këtë zonë hasen me shumicë dhe gjatë gjithë vitit, kanë përmasa dhe peshë të tillë që nëse përplasen me aeroplanët mund të shkaktojnë aksidente tragjike.
Rastet e rrëzimit të aeroplanëve si dhe avaritë e shumta të tyre të shkaktuara nga përplasja me shpendët e egër janë të mirë dokumentuara. Ky fakt, sërishmi e bën Vjosë-Nartën të papërshtatshëm për këtë investim të madh publik.