Shihemi në pazar! E pimë kafen në pazar!
Ansambli i mahnitshëm, arkitekturor, historik, tregtar e kulturor, është kryefjala e banorëve vendas dhe atyre që vijnë në Gjirokastër. Të gjitha rrugët që lidhin lagjet e vjetra dhe të reja të qytetit, takohen në sheshin e vogël, Qafën e Pazarit. Kjo pikë strategjike është qendra e pazarit dhe qytetit historik. Aty merr frymë pas pjerrësisë që e ndesh në të gjitha drejtimet, në ngjitje e në zbritje.
Kalaja, kompleksi i Angonatëve, Obelisku, gjashtëkëndëshi dhe mozaiku mbi kalldrëm, janë pamjet që soditen nga kjo pikë. Në të dy krahët e 5 rrugëve që shpëndahen nga qafa janë të vendosura rreth 100 dyqane. Tregtarë, zejtarë, artizanë, bare, restorante, bujtina përbëjnë një pasuri më vete. Ata ruajnë tiparin kryesor të këtij ansambli dhe faktojnë qëllimin e krijimit, ushtrimin e mjeshtërive të kohës, shkëmbimin e mallrave dhe rrjedhimisht shkëmbimin e kulturave, traditave e zakoneve mes zonave në jug të Shqipërisë.
Rijetëzimi i zonës, restaurimi i fasadave, mureve, çative, vetratave, tarabave, ndriçuesve, i ka dhënë hov pozitiv tregëtisë, zejtarisë, artizanatit, hotelerisë, haneve, bujtinave të lëna për dekada në harresë. Pazari, tashmë është një nga atraksionet turistike dhe qendër e bizneseve turistike, nga më uniket në rajon.
Pazari u ndërtua në fund të shekullit XVIII dhe fillim të shekullit XIX. Si gjithë qyteti aritektura i përket stilit otoman. Një nga gojdhënat e përcjella në breza është ajo e përcaktimit të përmasave të këtyre rrugëve. Fatmirësisht, ato egzistojnë edhe sot në të njëjtën formë e madhësi. Inxhinierët e caktuan gjerësinë e rrugës duke shkëmbyer dy kafshë të ngarkuara. Sokaqet e pjerrët nuk favorizonin kalimin e karrocave, ndaj deri vonë transportimi i mallrave bëhej me kafshë.
Edhe pse kanë kaluar qindra vite nga ndëtimi, gjirokastritët e quajnë ende pazari i ri. Shkak është ekzistenca e të parit pazar të qytetit, atij të vjetrit në lagjen që mban të njëjtin emër sot. Ndërhyrjet restauruese të viteve të fundit kanë nxjerrë në pah të dhëna interesante. Fillesat e këtij pazari, qëndrojnë mbi rrënojat e një tjetri. Shumë ndërtesa të reja, qëndrojnë mbi themelet e objekteve të vjetra që me shumë gjasë përkon me një tjetër gojëdhënë. Djegien e pazarit dhe ringritjen e tij në po të
njëjtin vend.
Pjesë kalldrëmi rreth 1.5 metra nën nivelin aktual të rrugës dhe ambjentet e nëndheshme ose katakombet u zbuluan së fundi. Këto gjetje tregojnë për një nivel tjetër të pazarit dhe hedhin dritë mbi shtresëzimet historike të qytetit të gurtë.
Ky ansambël është dëshmi e gjallë e marëdhënies së vecantë të banorëve, që bashkë me gurin e drurin kanë gdhendur këtu, vlera të cmuara të trashëgimisë shpirtërore, materiale e kulturore. – Tid Gjirokaster