Për acarin që po troket në derën tonë

Rrezet e forta të diellit që mbuluan thuajse të gjitha trevat shqiptare javës që shkoj, sikur na yshtën ca më tepër sesa duhej për ta pritur një pranverë të beftë! Mijëra shqiptarë nga anë e mbanë mësynë Adriatikun e Jonin të ngazëllyer e besa edhe të lodhur nga një viti jo krejt i lehtë flamash e sfidash.
Megjithatë, të moçmit tanë dijeshumë tek – tuk hidhnin ndonjë fjalë si për të na dëftuar se dimri akoma nuk “qe dorëzuar!” anise neve zor se na dilte dehja e pranverës së hershme.
Dhe ja sot, pa zbardhur mirë, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak i Shqipërise paralajmëroj se si rrallë herë rajoni i Ballkanit do të përfshihet nga masa ajrore me origjinë arktike, të cilat do të sjellin reshje dëbore në bredgdet dhe temperatura të acarta në gjithë territorin shqiptar.
Nëse zgjedhim ta kundrojmë situatën nga një prizëm romantik a idilik, le të themi se deri të enjten do kemi kohë për rrëshkitje nëpër borë; kohë për filxhane me kakao të ngrohtë, aty – këtu kohë për t’i gatuar biskotat e preferuara ndër gjirin familjar, ndofta ca orë për ta qëndisur një letër me shkrim të bukur dore derisa darka të na gjejë poshtë batanijeve me një libër të pluhurosur – faqet e së cilit kanë pritur gjatë për t’u shpalosur … e nëse nuk marrim udhë për një ecje të bukur në natyrë, një film i mirë nuk do ishte ide e gabuar!
Deri këtu, çdo gjë tingëllon për bukuri! POR – matanë këtyre “lezeteve të vockla” – qytetarët duhet të tregojnë kujdes të shtuar përgjatë këtyre ditëve! Sidomos ata që duan të lëvizin, autoritetet paralajmërojnë se ngricat e forta do të jenë prezente për ditë me radhë duke sjellur kështu probleme në të gjitha akset rrugore!
Përgjatë javës, funksionaliteti i tubacionit të ujit mund të përkeqësohet ndjeshëm për shkak të akumulimit të akullit prej temepraturave të ulta, çfarë sjell ngrirjen ose çarjen e tubacuioneve. Ndaj rekomandohet
- Izolimi i tubave të ekspozuara në natyrë me mbulesa si peshqirë apo batanije. (po, fiks siç kanë bërë njerëzit këtu e shumë shumë vite para)
- Mbajtja e termostatit në të njejtën temperaturë si gjatë ditës ashtu dhe gjatë natës
- Gjyshet madje këshillojnë se duhet lënë hapur pak çezmja ose të kontrollohet disa herë gjatë natës, në mënyrë që mëngjesi të mos na gjejë më tuba të ngrirë e pa ujë fare!
Nga ana tjetër përveç veshjes së duhur, rekomandohet përdorimi i shallit, dorezave e kapuçit. Preferohet të evitohet qëndrimi i gjatë në ambiente të jashtme; dalja në orët e para të mëngjesit dhe orët e vona të darkës. Gjithashtu konsumimi i lëngjeve dhe ujit, shoqëruar dhe me ushqime të ngrohta që përmbajnë vitamina e minerale është kurë e mirë për ditët e tilla.
Ama doemos, në harmoni me zemrën dhe mendjen: një tas sup dhuruar tek fqinjët me më pak mundësi sesa ne; një batanije për fëmijët jetimë që rrijnë një kat sipër nesh ose pak kujdes për të pastrehët!
Nuk mjafton me qenë mirë në vetmi!
Komuniteti ka nevojë për mua dhe ty!
Nga Fjolla Spanca