Për fatin e vilave historike shqipare
‘The Albanian House’ është një projekt i sjellë në formën e një website-i që përdor dijen e hapur dhe platforma me kodburim të hapur, për dokumentimin përshkrimor, vizual përmes fotografisë dhe vendodhjes së tyre (me gjeolokacion) të banesave më karakteristike shqiptare. Perfshihen banesa nga fillimi i shek.18 deri nga mesi i shek të 19 të ashtuquajturat ‘banesa popullore’ (tradicionale) të realizuara në një masë të madhe me mjeshtër, si dhe ato të gjysmës së dytë të shek te19 që vijne si adaptime të modeleve tradicionale, per t’iu përshtatur kushteve të reja të jetesës si dhe ato të realizuara me arkitektë.
Permbajtja e website-it perfshin kerkim arkitektonik teorik nga literatura arkitektonike si dhe informacion me shume etnografik i mbledhur ne terren nga intervistat me banorët e shtëpive dhe të zonave ku këto banesa ndodhen, për të parë pak më shumë dhe mbi gjendjen e tyre aktuale. Projekti është realizuar në 4 muaj shumë intensiv, gjatë vitit të kaluar përmes disa ekspeditave 2-3 ditore në fshatrat dhe qytetet kryesore të Shqipërise.
Janë dokumentuar rreth 125 banesa deri më tani dhe projekti vazhdon të pasurohet gradualisht me materiale, përmes kontributit të njerëzve dhe komunitetit të interesuar. Kjo tipologji arkitektonike është ndër më të rëndësishmet për sa i përket origjinës dhe krijimit të urbanistikës dhe arkitekturës se qytetit të Tiranes. Gjithashtu me planet e reja ndërtimore, kjo tipologji është dhe një ndër më të rrezikuarat.
Duke qenë se ky status i tyre, ka qenë një ndër shtysat kryesore në realizimin e projektit mbi shtëpite shqiptare, dhe ritmi i shembjes, e për pasojë humbjes së tyre sa vjen e po shpeshtohet, do donim të ndanim këtu disa informacione të mbledhura, mbi disa nga banesat më përfaqësuese e interesante të Tiranës. Kjo është tentativa jonë, në pamundësi për të bërë më shumë, për të theksuar e risjellë në vëmendje vlerën e tyre dhe aktivizuar memorien tonë të përbashkët mbi to.